Thaçi takon senatorin McCain, diskutojnë për themelimin e ushtrisë së Kosovës

Aktuale January 11, 2017 - 21:22

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Facebook ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme është takuar me senatorin amerikan John McCain. Thaçi ka shkruar se gjatë këtij takimi me senatorin McCain përveç çështjeve të ndryshme kanë folur edhe për themelimin e ushtrisë së Kosovës, raporton “zeri.info”.

“Sapo përfundova një takim tjetër tepër të rëndësishëm me senatorin John McCain, që padyshim përveç që është një hero i gjallë amerikan, ai është edhe një mik shumë i çmuar i Kosovës. Diskutuam për të gjitha zhvillimet në rajonin tonë dhe më gjerë, duke u fokusuar në nevojën që ShBA-ja të vazhdojë me rolin e vet udhëheqës në Kosovë. Një çështje konkrete për të cilën diskutuam dhe për të cilën u pajtuam, ishte domosdoshmëria e themelimit të ushtrisë së Kosovës, e cila është jetike për ruajtjen e sovranitetit tonë shtetëror”, ka shkruar presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka bërë të ditur edhe për ftesën që ia ka bërë senatorit John McCain për ta vizituar Kosovës. /Zeri/