Edhe Ferizaj proteston, kërkon lirimin sa më të shpejtë të Ramush Haradinajt

Aktuale January 11, 2017 - 14:56

Nën organizimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, edhe në Ferizaj janë zhvilluar protesta me kërkesën kryesore për lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në paraburgim nga autoritetet franceze, sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.

Me këtë rast në sheshin e qytetit para protestuesve kërkesat për lirimin sa më të shpejtë dhe të pa kushte i  kanë shpalosur  Xhavit Zariqi,kryetar i degës së AAK-së në Ferizaj, Faik Grainca në emër të LDK-së, Rafiz Sejdiu në emër të Organizatës së OVL e UÇK-së, Gafurr Bytyqi në emër të familjeve të dëshmorëve dhe Labinot Tahiri në emër të AKR-së dega në Ferizaj.  Për t’iu bashkuar protestës kishte ardhur edhe kryetari i Hanit të Elezit Rufki Suma.

“Arrestimi i  Ramush Haradinaj është turpi I drejtësisë botërorë. Nuk mund të pranojmë që çlirimtarët e vendit të arrestohen dhe ne të rrimë duarkryq.Presim zërin e arsyes  dhe Ramushi të lirohet sa më shpejt” tha Gafurr Bytyqi.

Ndërsa Rafiz Sejdiu nga  Organizata e OVL e UÇK-së tha se ish ushtarët e UÇK-së  janë të revoltuar me arrestimin e Komandantit të UÇK-së.

“Konsiderojmë që arrestimi i Komandantit Ramush Haradinaj është arrestuar pa asnjë baze juridike por thjeshtë është arrestim politik” ka thënë Sejdiu.

Faik Grainca  në emër të LDK-së në Ferizaj duke përkrahur këtë protestë tha  se kërkojmë që sa më shpejt të lirohet Ramush Haradinaj.

Edhe Labinot Tahiri në emër të AKR-së dega në Ferizaj  kërkoi që protestat të mos ndalen deri në lirimin e Ramush Haradinaj

Ndërsa Xhavit Zariqi,kryetar I AAK-së Dega në Ferizaj  se sot në këtë protestë të gjithë së bashku po kërkojnë lirimin e Ramush Haradinaj.

Mbajtjen në arrest  të Ramush Haradinjat  Zariqi e ka quajtur tur për qeverinë e Kosovës .

“Ajo që po ndodh më Ramush Haradinajn është turp për të gjithë ne dhe për Qeverinë e Kosovës. Jemi shumë të brengosur që bota demokratike ende burgosë çlirimtarët me urdhër të Serbisë. Deri kur duhet të pritet që çlirimtarët tanë të sakrifikohen”ka thënë Zariqi

Pas shpalosjes së kërkesave protestuesit  vazhduan marshimin nëpër sheshin e qytetit.

Ramush Haradinajt, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministër i Kosovës dhe ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ndaluar më 4 janar nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Ministria e Drejtësisë në Serbi ia ka dorëzuar të martën organeve të drejtësisë në Francë kërkesën për ekstradim të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Me kërkesën për ekstradim organeve franceze të drejtësisë I është dorëzuar edhe dokumentacioni përcjellës i përkthyer në gjuhën frënge në bazë të cilit “drejtësia franceze do të vendos nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat për ekstradim të Haradinajt në Serbi”.

Në anën tjetër, pala mbrojtëse e Haradinajt ka kërkuar lirimin me kusht të tij, deri në përfundimin e procedurave.

Pritet që Haradinaj të paraqitet të enjten para gjykatës ku do të shqyrtohet lënda ndaj tij.