Nuk votohet rezoluta për lirimin e Haradinajt

Aktuale January 11, 2017 - 08:11

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë rezolutën për çështjen e arrestimit të ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj. Partitë në pushtet nuk e votuan rezolutën e AAK-së, kurse opozita në shenjë revolte e lëshoi sallën dhe kështu e pamundësoi miratimin e rezolutës së propozuar nga PDK-ja e LDK-ja

Kuvendi i Kosovës as pas debati 11-orësh nuk arritur ta miratojë rezolutën për çështjen e arrestimit të kryetari të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinajt. Fillimisht partia e Haradinajt propozoi një rezolutë me të cilën përveç kërkesave për lirimin e Haradinajt nga autoritetet franceze kërkonte edhe ndërprerjen e dialogut me Serbinë dhe shkarkimin e negociatorëve, duke aluduar në kryeministrin Isa Mustafa dhe kryenegociatoren Edita Tahiri, që nënkuptonte shkarkimin e Qeverisë.

Por pasi partnerët e koalicionit i kundërshtuan këto dy pika u bënë përpjekje për harmonizim të qëndrimeve, megjithatë qëndrimet nuk ndryshuan dhe koalicioni PDK-LDK doli me rezolutë të veten, e cila vetëm kërkonte lirimin e ish-kryeministrit të vendit. Pas kësaj, deputetët e koalicionit qeverisës nuk e votuan rezolutën e AAK-së, ndërsa opozita në shenjë revolte lëshoi sallën dhe kështu ia pamundësoi mazhorancës kalimin e rezolutës së vet.

Shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, si iniciues i debatit, ka thënë se ndalimi liderit të AAK-së Ramush Haradinajt në Francë është i papranueshëm. Lekaj ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se qytetarët e saj nuk mund të ndalohen me fletarrestime të Serbisë, të cilat si të tilla nuk kanë asnjë bazë ligjore.

“Ne ende po presim dhe dëshirojmë të besojmë që ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që pikërisht për hir të shpërfaqjes së luftës së drejtë të UÇK-së kishte lënë pozitën që sot mban një njeri krejtësisht i padevotshëm, të lirohet dhe t’i mundësohet vazhdimi i agjendës së tij si lider politik i Kosovës”, është shprehur Lekaj.

Qeveria po punon që akuzat e paligjshme të Serbisë të refuzohen

Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka konsideruar dhe konsideron se fletarrestimet nga Serbia për qytetarët e Kosovës janë tërësisht të paligjshme e të padrejta, si dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike.

Mustafa ka thënë se përfaqësuesit e Kosovës kanë transmetuar tek autoritetet e shtetit francez se fletarrestimet e Serbisë janë të paligjshme për qytetarët e Kosovës dhe se juridiksioni i Serbisë mbi qytetarët e Kosovës ka pushuar zyrtarisht në qershor të vitit 1999.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po punon intensivisht që akuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare të refuzohen si të tilla nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë sepse nuk kanë asnjë bazë juridike që ato të trajtohen më tutje. Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë të unifikuar lidhur me çështjen e Haradinajt dhe se vazhdimisht edhe në këto ditë do të punojmë që shteti francez sa më parë ta lirojë Haradinajn dhe që ai të kthehet në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Hoxhaj: Haradinaj do të kthehet në Kosovë

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se që nga dita e ndalimit të Haradinajt nga autoritetet franceze institucionet e Kosovës kanë ofruar përkrahjen dhe garancinë shtetërore që Haradinaj të kthehet në Kosovë.

“Haradinaj jam shumë i sigurt që do të kthehet në Kosovë. Ne do të punojmë 15 orë në ditë që ai të kthehet sa më shpejt. Unë kam bërë kërkesë urgjente për një vizitë zyrtare në Francë dhe temë e vetme është kthimi sa më i shpejtë i Haradinajt, sikurse ne gjatë ditëve të ardhshme do ta ndërtojmë një qasje të plotë se si t’i qasemi INTERPOL-it dhe si fletarrestimet e tilla të jenë këto të fundit”, është shprehur Hoxhaj.

Ndërkohë ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka treguar për angazhimin e këtij dikasteri për lirimin e Haradinajt, duke përfshirë edhe kërkesën për heqjen e Haradinajt dhe të gjithë kosovarëve tjerë nga listat e personave të kërkuar nga Serbia.

Hoxha ka thënë se pritet vetëm përfundimi i procedurave të brendshme të INTERPOL-it që Haradinaj dhe shtetasit e tjerë të Kosovës, të cilët ndiqen për kinse krime lufte të kryera në territorin e Republikës së Kosovës, të hiqen nga kjo listë.

Opozita fajëson pushtetin për arrestimet ndaj ish-luftëtarëve

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është braktisur në dokumentet themelore të shtetit, si në Deklaratën e Pavarësisë, prandaj, sipas tij, disi natyrshëm i “nënshtrohet kriminalizimit”.

“Ushtarët e luftës nuk mund të thuhet se janë harruar, por janë mohuar dhe kështu ajo kriminalizohet dhe meqë u la jashtë shtetit ajo mbyllet brenda burgjeve... Këto ditë intensivisht është folur për arrestimin e Haradinajt dhe jo vetëm se na vjen keq, por jemi të revoltuar ndaj kësaj Qeverie. Me dialogun në Bruksel Kosova nuk mund të jetë palë kur vazhdimisht është temë dhe derisa je temë nuk mund të jesh palë. Ky dialog na kushtoi shtrenjtë, normalizimi nuk ka qenë drejt njohjes, por normalizim për mosnjohjen. Me Serbinë kemi edhe armiqësinë aktuale por edhe krimet”, ka potencuar Kurti.

Edhe kryetari i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka thënë se ndalimi i Haradinajt duhet të kuptohet si rast, i cili ka ndodhur për arsye politike dhe jo të drejtësisë, pasi sipas tij, me drejtësinë Haradinaj i ka përfunduar punët.

“Dëgjuam nga ministrat për përpjekjet që kanë bërë për këto 5 ditë për zotëri Haradinajn, por nuk dëgjuam çfarë kanë bërë qe 5 vjet për të mos ndodhur deri te kjo. Deri kur politika jonë merret me reagime ditore, deri kur nuk do të kemi qeveri e cila reagon siç duhet... Haradinaj do të kthehet shpejt në Kosovë dhe kjo jo falë meritës suaj, por ai do të kthehet për shkak se nuk ka asgjë për të përmbyllur me drejtësinë dhe falë angazhimit të tij dhe luftës së tij të drejtë do të kthehet shpejt”, ka përfunduar Limaj.

Përndryshe, debati në këtë seancë herë pas here është zhvilluar në terr për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.