Hoxhaj: Haradinaj do të lirohet, kam biseduar me ministrin e Francës

Aktuale January 10, 2017 - 12:15

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në senacën e jashtëzakonshme që po mbahet për liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, ka thënë se MPJ është angazhuar maksimalisht për lirimin e tij, raporton Zëri.info.

Hoxhaj më tej, ka thënë se ai personalisht ka biseduar me të parin e AAK-së nëpërmjet telefonit.

“Të mërkurën kur ka ndodhur arrestimi nga ora 3 e pasdites deri në orën 19 unë kam telefonuar disa herë zotëri Haradinaj”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, pos kësaj, Hoxhaj ka thënë se ka biseduar edhe me homologun e tij nga Franca, me ç’rast siç ai është shprehur, Francës i është theksuar edhe njëherë qëndrimi i Kosovës karshi këtij rasti.

“Më 4 e 6 janar kemi bërë disa kërkesa për lirimin e tij. Po ashtu, kam pasur një telefonatë të gjatë me ministrin e Francës, ku ia kam shpjeguar qëndrimin e prerë të Kosovës. Dhe se si fletarrestet e tilla janë të papranueshme”, ka potencuar ai.

Image

Kurse, është shprehur i bindur se Haradinaj shumë shpejt do të lirohet.

“Haradinaj do të kthehet në Kosovë. Unë kam bërë kërkesë urgjente për vizitë nëe Francë”, ka vazhduar ai.

Sipas tij, ndalimi i Haradinajt në Francë ka qenë një goditje për Kosovën.

Kurse, ka thënë se MPJ ka pasur angazhim maksimal për lirimin e tij.

“Nga e mërkura e javës së kaluar deri në këtë seancë, angazhimi im ka qenë maksimal që Haradinaj të lirohet sa më shpejt”, ka shtuar tutje Hoxhaj.  

Sipas ministrit Hoxhaj, burim i ndalimit të Haradinaj është kryekëput Serbia, e cila siç ai është shprehur,  po ndjekë një politikë armiqësore ndaj Kosovës. /Zëri

Image