KMDLNJ: Kërkesat për ndërprerjen e bisedimev, pas arrestimit të Haradinajt janë patetike

Aktuale January 10, 2017 - 10:54

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), përmes një reagimi dërguar mediave, seancat e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës i ka quajtur “mundësi për mosveprim”.

Ky reagim vjen pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për Ramush Haradinajn, i cili u arrestua nga autoritetet franceze më 4 janar në aeroportin e Bazelit në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia më 2004 që ndërlidhet me krime lufte.

KMDLNj thotë se seanca që do të mbahet sot në Kuvendin e Kosovës do të jetë vazhdimësi e seancave të jashtëzakonshme paraprake “që nuk kanë prodhuar asnjë rezultat përveç fyerjeve, akuzave dhe kundërakuzave si dhe rritjes së rreme të adrenalinës patriotike”.

“Pikërisht mungesa e një patriotizmi të vërtetë, dashurisë dhe përkushtimit për shtet dhe qytetarët e tij, prodhojnë situata kaotike dhe seanca të jashtëzakonshme krejtësisht të pafuqishme, të padobishme dhe të dëmshme”, thuhet në këtë reagim të këtij Këshilli.

Lexojeni të plotë reagimin e KMDLNj-së:

Seancat e jashtëzakonshme, mundësi për mosveprim!

Ramush Haradinaj, më 4 janar 2017 u arrestua nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti të Serbisë sikur që ndodhi edhe në Slloveni në vitin 2015. Serbia, si shkaktar i të gjitha të këqijave në hapësirat e ish Jugosllavisë, si ngulfatëse dhe dhunuese e përpjekjeve të popujve për çlirim dhe liri, pjesë aktive e së cilës ishte edhe Ramush Haradinaj, nuk ndryshoi aspak ose fare pak në arkitekturën kriminale shtetërore shkaku se në krye të saj ishin dhe janë çetnikët Nikoliq, Vuçiq dhe Sheshel, njëri ndër socialistët kryesor të Milosheviqit, Daçiqi si dhe frymëzimi shekullor i shovenizmit serb, Kisha Ortodokse serbe.

Serbia, si kryerëse e shumtë e krimeve të luftës, deri në gjenocid dhe krimeve kundër civilëve mbeti e pa dënuar apo u dënua vetëm simbolikisht. Serbia ia caktoi veti rolin e gjykatësit suprem për krime lufte duke akuzuar po për këto krime të gjithë shtetasit e ish Jugosllavisë, anipse nga ish Jugosllavia e cila u shpërbë dhunshëm dolën 6 shtete të pavarura dhe sovrane.

Serbia përpiloi lista të “kriminelëve”të luftës të shteteve tjera duke i dërguar në Interpol që automatikisht i detyron shtetet anëtare t’i arrestojnë të “dyshuarit” për të cilët pastaj kërkohej ekstradimi. Serbia kishte problem me Kroacinë sikur edhe me Kosovën.

Në shumë raste udhëheqësit më të lartë të Kosovës u arrestuan, u poshtëruan publikisht për t’u liruar me ndihmën e “miqve“ ndërkombëtarë.

Në këtë mënyrë Serbia krijonte epërsi politike duke u faktorizuar ndërkombëtarisht ndërsa Kosova mbrohej dhe defaktorizohej duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Serbia, që nga përfundimi i luftës ka sajuar lista me “kriminelë” shqiptarë, kryesisht udhëheqës të UÇK – së apo të atyre që u pengojnë politikisht kurse Kosova, me sugjerimin e “miqve” ndërkombëtarë, kriminelët e dëshmuar serbë nuk i akuzonte për hir të “normalizimit” të marrëdhënieve me Serbinë për çka lavdërohej verbalisht nga Brukseli për qasje konstruktive kurse, faktikisht përjashtohej nga të gjitha proceset integruese duke mbetur vendi i vetëm në botë , pa liberalizim të vizave. Madje edhe Kolumbia e Pablo Eskobarit ka fituar liberalizimin e vizave për shtetet evropiane sikur që edhe Serbia e Millosheviqit, me pasardhësit politik që e trashëguan denjësisht sot në Serbi, me hapa galopant po shkon drejt integrimit evropian. Në kohën kur Serbia po sajonte sikur që edhe sot sajon “fakte” për krime lufte në Kosovë, autoritetet kosovare nuk punuan asgjë në këtë drejtim.

UNMIK dhe EULEX penguan çdo hulumtim serioz për krime lufte në Kosovë prandaj toleruan strukturat e kriminalizuara në Kosovë ta bëjnë vendin “tokë me perspektivë të djegur”, vetëm që të mos e rrezikojnë sigurinë e brishtë dhe bisedimet me Serbinë. Krimet e luftës , në vendet normale nuk i hulumtojnë organizatat joqeveritare por këtë punë e bënë shteti kurse OJQ-të i furnizojnë me informata të cilat duhet të verifikohen. Shteti i Kosovës, post morten e themeloi një të ashtuquajtur Institut për Hulumtimin e Krimeve të Luftës i cili u formua për të mos bërë asgjë. Sot, të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me krime të luftës burimin e kanë te KMDLNj, FDH, QMGF dhe SHBA “Nëna Terezë” sikur edhe te sindikatat e arsimit dhe të tjera.

Në pafuqi të ndërmerren masa reciproke ndaj akuzave të Serbisë, pas arrestimeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës është ringjallur një patriotizëm patetik dhe folklorik i shoqëruar me deklarata të fuqishme, kërcënime ndaj Serbisë, kërcënime ndaj shteteve që zbatonin urdhërarrestin e Interpolit, kërcënime për destabilizim të situatës rajonale dhe globale, ndërprerje të bisedimeve me Serbinë sikur që Kosova të ishte njëri ndër faktorët më të rëndësishëm në botë. Këto ishin shfryrje emocionale, një patriotizëm i rremë apo i dyshimtë dhe një shprehje e pafuqisë në kohën kur nuk pyeteshin dhe nuk pyeten për asgjë. Shteteve me një drejtësi të konsoliduar dhe të pavarur nuk iu interesojnë fare këto kërcënime por kërkojnë fakte, që Kosova i ka me shumicë por të pasistemuara në akuza konkrete. Shteti ka pasur dhe ka përgjegjësi për ngritjen e aktakuzave për ata që dyshohen të kenë kryer krime lufte në Kosovë por nuk e ka bërë këtë. Së voni, Prokuroria Speciale e Kosovës me njësinë e Policisë së Kosovës për Krime Lufte po tregon më shumë seriozitet në trajtimin e këtyre rasteve. UNMIK, EULEX dhe OSBE i kanë vënë në sirtarë të mbyllur rastet më të rënda të krimeve të luftës dhe vetëm për hir të barazpeshës dhe, aty – këtu e aktivizojnë ndonjë rast. Askush nuk e hetoi rastin si iu mundësua të “ikin” 20 serbë dhe 1 rom të dyshuar për krime lufte nga burgu i Mitrovicës dhe askush nuk shpalli urdhër arrest ndërkombëtar për arresimin e tyre e as ekstradimin nga Serbia kur shumica e tyre kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në veri të Kosovës. Në kohën kur Serbia mund të ngrejë akuzën ndaj çdo qytetari të ish-Jugosllavisë, për krime lufte, pavarësisht se jetojnë në shtetet e tyre të pavarura, legjislacioni ekzistues në Kosovë nuk lejon gjykimin e të dyshuarve për krime lufte në Kosovë në mungesë të tyre në kohën kur ekstradimi i tyre nga Serbia është mision i pamundur. Që paradoksi të jetë edhe më i madh , shprehur në përqindje gjatë luftës në Kosovë (janar 98 deri në qershor 1999) numri i viktimave ka qenë 93% shqiptarë dhe 7% serbë dhe joshqiptarë, kurse numri i të gjykuarve dhe të dënuarve për krime lufte në Kosovë ka qenë 78% shqiptarë dhe 22% serbë!!!!

Pafuqia për t’i mbrojtur zyrtarët e lartë shtetërorë në Kosovë është shndërruar në një luftë të ndyrë politike, me akuza dhe kundërakuza për tradhëti kombëtare, mohim të luftës së UÇK-së, denoncim të të arrestuarve te Serbia dhe ndërkombëtarët në ndërkohë që ata që më së shumti kanë kontribuar për arrestimin e tyre janë më të zëshmit në mbrojtje të tyre sikur që, privatisht i konsiderojnë kriminelë ordinerë. Thirren seanca të jashtëzakonshme ku, përveç zbrazjeve të emocioneve “patriotike”, fyerjeve, akuzimeve etj.nuk janë në gjendje ta harmonizojnë as edhe një rezolutë të përbashkët e cila mbetet e pazbatueshme në praktikë. Jemi dyftyrësh: së pari kërkojmë arrestimin e tyre, i gëzohemi arrestimit të tyre pastaj kërkojmë lirimin e tyre! Vlerat e luftës mbrohen me ligje, me Kushtetutë e jo me reagime të rreme emocionale sikur që kemi bërë deri më tani. Listat e të dyshuarve shqiptarë kanë qenë thuaja publike dhe pse Kosova nuk ka përpiluar lista , kur ka një mal me argumente?! Pse nuk ka bërë një kallëzim penal për Nikoliqin, Vuçiqin, Sheshelin si bartës dhe vijues të politikës çetnike serbe gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, kundër trashëgimisë kriminale të Millosheviqit të portretizuar në Daçiqin si dhe ndaj krerëve të Kishës Ortodokse të Serbisë?!

Seanca që do të mbahet sot në Kuvendin e Kosovës do të jetë vazhdimësi e seancave të jashtëzakonshme paraprake që nuk kanë prodhuar asnjë rezultat përveç fyerjeve, akuzave dhe kundërakuzave si dhe rritjes së rreme të adrenalinës patriotike. Pikërisht mungesa e një patriotizmi të vërtetë, dashurisë dhe përkushtimit për shtet dhe qytetarët e tij, prodhojnë situata kaotike dhe seanca të jashtëzakonshme krejtësisht të pafuqishme, të padobishme dhe të dëmshme.

Vetëm zbatimi i ligjit, drejtësia e pavarur, serioziteti shtetëror dhe përkushtimi qytetarë janë mbrojtje e Ramush Haradinaj dhe të tjerëve që janë arrestuar, po arrestohen dhe do të arrestohen. Ramush Haradinaj do të lirohet por situata nuk do të ndryshojë aspak! Individin e mbron shteti sikur që edhe individi, me sjellje në përputhje me ligjin, e mbron shtetin! Ky është standard demokratik i njohur dhe pranuar ndërkombëtarisht. Për fat të keq Kosova është ende shumë larg përmbushjes së këtij standardi prandaj, edhe në të ardhmen do të përballemi me këso probleme. Deri të bëhemi një vend normal!