Drejtpërdrejt: Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme për Haradinajn

Aktuale January 10, 2017 - 10:03

Kuvendi i Kosovës nis të martën, një seancë të jashtëzakonshme mbi ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në Francë mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga partia e zotit Haradinaj, pason një varg reagimesh të autoriteteve dhe zyrtarëve politikë në vend që e kanë cilësuar ndalimin e ish-kryeministrit si të “papranueshme dhe të pakuptueshme”.

Seanca mbahet vetëm pak ditë përpara se një Gjykatë franceze, të shqyrtojë kërkesën e palës mbrojtëse të zotit Haradinaj për lirimin e tij, me paraqitjen e një numri provash, siç thonë avokatët e tij, që “e mundësojnë lirimin e menjëhershëm”.

Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Bazelit të mërkurën e kaluar dhe autoritetet e drejtësisë franceze i shqiptuan masën e paraburgimit deri në, sic thuhet, “paraqitjen e kërkesës zyrtare për ekstradim nga autoritetet e Serbisë”.

 
Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të... by gazetazeri

Ministria e Jashtme Franceze tha se procedurat që po zhvillohen ndaj Ramush Haradinajt janë çështje ligjore, të nisura mbi bazën e kërkesës së Interpolit” dhe përjashtoi mundësinë që “veprimi ligjor ndaj Ramush Haradinajt të ketë ka dimensione politike”.

Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të urdhërarrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.

Në vitin 2012, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish Jugosllavi. Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.

Një ish prokuror i Gjykatës së Hagës për krime lufte, Geoffrey Nice i tha Radios Evropa e Lirë, se rasti Haradinaj “është më shumë politik” dhe vetëm përmes një “presioni ndërkombëtar mund të lirohet” që , siç tha, “të mos ndikohet paqja që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas tij Serbia, në kërkesën e saj për ekstradim të Haradinajt, do të paraqesë “akuza thelbësisht të tjera nga ato me të cilat është përballur Haradinaj në Hagë” duke ia “vështirësuar kundërshtimin e tij që të përballet me një gjykim të ri”.

Autoritetet e drejtësisë në Serbi thanë se do të paraqesin prova kundër Haradinajt për, siç thuhet, “krimet e kryera” ndërkohë që zyrtarë të lartë shtetërorë serbë thanë se “do të kërkojnë me këmbëngulësi ekstradimin e Haradinajt në Serbi”.

Prishtina zyrtare ndërkaq e cilësoi arrestimin si “të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi dhe i kërkoi autoriteteve franceze lirimin e menjëhershëm të Haradinajt”.

Në kundërpërgjigje ndaj arrestimit të Haradinajt, qeveria në Prishtinë i ndaloi hyrjen presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq dhe gjithë personelit përcjellës, përfshirë edhe zyrtarë të qeverisë së Serbisë, në ditën e Krishtlindjeve Ortodokse.

Marrëdhëniet ndërmjet dy palëve u ftohën deri në një pikë më të ulët që prej fillimit të dialogut dhe arritjes së marrëveshjeve “për lehtësimin e jetës së qytetarëve” dhe “normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”.

Udhëheqësit e partisë së Haradinajt kërkuan nga qeveria e Kosovës që të ndalojë “dialogun me Serbinë deri në lirimin e tij”, ndërkohë që edhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës “thanë se një rishikim i dialogut dhe marrëdhënieve me Serbinë është i domosdoshëm” për faktin e “urdhërresteve ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Por zyrtarë të BE-së thanë se “po i ndjekin me kujdes zhvillimet rreth rastit Haradinaj” dhe ritheksuan qëndrimin për vazhdimin e “dialogut ndërmjet palëve”.

“Edhe Kosova edhe Serbia janë përkushtuara për normalizimin e marrëdhënieve dhe përpjekjet e BE-së në këtë drejtim do të vazhdojnë”, i tha Evropës së Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri.

Një numër protestash të qytetarëve shqiptarë janë zhvilluar, përveç në Kosovë, edh enë qendra të mëdha botërore përfshirë Londrën dhe New Yorkun në mbështetje të Haradinajt dhe me kërkesën e lirimit të tij të menjëhershëm.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.

Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, pasi prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte.

Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UCK-së dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq edhe sot.