Pak shpresa për heqjen e vizave sivjet

Aktuale January 07, 2017 - 09:29

Qeveria thotë se mosratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi dhe zgjedhjet në disa shtete të BE-së kanë ndikim negativ në procesin e liberalizimit të vizave. Kurse opozita e fajëson Qeverinë “Mustafa” dhe qeveritë pararendëse, shkruan sot gazeta Zeri.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, i premtuar vazhdimisht tash e gjashtë vjet nga partitë në pushtet, vështirë se do të ndodhë gjatë vitit 2017. Ministria e Integrimit Evropian dhe subjektet opozitare thonë se situata është e pafavorshme për Kosovën. Përderisa ekzekutivi thotë se mosratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe zgjedhjet në disa shtete të Bashkimit Evropian kanë ndikim negativ në këtë proces, opozita e bën përgjegjëse Qeverinë “Mustafa” dhe qeveritë paraprake për mosliberalizimin e vizave.

Në Ministrinë e Integrimit Evropian thonë se ratifikimi i Demarkacionit duhet të ndodhë sa më shpejt, pasi konsiderohet si një nga çështjet që e ka bllokuar liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Tashmë është komunikuar në publik se vendimmarrja në BE për propozimin e KE-së (spell out) për liberalizim të vizave në rastin e Kosovës është ndalur përkohësisht, dhe është në pritje të përmbushjes së kësaj kërkese. Në saje të komunikimit me Bruksel na është konfirmuar disa herë në raste të ndryshme dhe në forume të ndryshme, se sapo të përmbyllim Demarkacionin si kriter të vënë dhe të pajtuar, institucionet e BE-së do të vazhdojnë pa vonesa të mëtutjeshme me procesin vendimmarrës për propozimin për Kosovën që edhe ashtu është në fazat finale”, thuhet në përgjigjet e kësaj Ministrie.

Gjithashtu kjo MIE konsideron se për Kosovën gjendja është e pafavorshme pasi gjatë këtij viti do të ketë zgjedhje në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

“Në deklarimet dhe aktivitetet tona sa i përket kësaj e përcjellim vazhdueshëm mesazhin se Kosova nuk duhet të vlerësohet në bazë të faktorëve të tillë, por në bazë të përmbushjes së kushteve që BE-ja i ka vënë para Kosovës. Situata që lidhet me zgjedhjet në shtetet anëtare nuk është në domenin e përgjegjësisë së Kosovës e as në fushën e saj të ndikimit. Por Kosova mban në duar drejtpërsëdrejti proceset e saja të brendshme dhe prandaj është mirë që të përmbushen kriteret sa më shpejt, dhe të mundësohet vlerësimi vetëm mbi këtë bazë”, përfundon përgjigja e kësaj Ministrie.

Kurse, Bajram Gecaj, këshilltari i kryeministrit të vendit, ka thënë se ende nuk dihet se kur do të procedohet për votim marrëveshja për Demarkacionin.

“Të shohim në ditët në vijim, por Demarkacioni procedohet atëherë kur besojmë se i kemi votat për ta kaluar”, ka thënë Gecaj.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm në Lëvizjen “Vetëvendosje”, Nol Nushi, ka thënë se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për mosliberalizimin e vizave pasi të gjitha qeveritë, sipas Nushit, vazhdimisht kanë premtuar heqjen e vizave ndërsa nuk i kanë plotësuar kushtet. Ai thotë se nuk mund të pritet që në këtë vit të ketë ndonjë vendim pozitiv për këtë çështje.

“Është shumë e qartë që përgjegjësi kryesor i mosliberalizimit të vizave për Kosovën është Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Mustafa. Edhe pse ka qenë kryefjala e kësaj qeverie dhe e qeverive të tjera të pasluftës, ende kushtet kryesore nuk janë plotësuar. Duke parë krizën me emigrantët dhe krizën e brendshme që po e kalon vetë Bashkimi Evropian, nuk ka mundësi që të presim diçka të mirë në 2017-ën lidhur me këtë proces. Largimi i kësaj Qeverie antipopullore është ‘kushti’ fillestar që të ecim në këtë proces”, është shprehur Nushi.

Më tej, anëtari i “Vetëvendosjes” ka thënë se Demarkacioni nuk është kushti kryesor për liberalizimin e vizave.

“Këtë e thonë edhe eksponentë të pushtetit. Ai është një kusht i futur nga vetë qeveritarët tanë, për të mbuluar gabimet që kanë bërë në këtë proces. Zgjidhja është në duar të qeverisë. Populli bashkë me subjektet opozitare e kanë bërë të qartë që nuk japin territor në këmbim të vizave. Thjesht duhet të hidhet poshtë versioni aktual dhe të fillohen negociatat me Malin e Zi, me ekspertët më të mirë që kemi”, ka shtuar Nushi.

Kurse, anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Time Kadrijaj, ka thënë se shpresat janë të pakta për heqjen e vizave gjatë këtij viti.

“Nuk është shpresëdhënëse gjendja për liberalizimin e vizave. Madje është bërë e qartë se edhe nëse ndodhë ratifikimi, nuk do të ketë liberalizim të vizave”, ka deklaruar Kadrijaj.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, më tej ka thënë se Demarkacioni nuk është kushti i vetëm për heqjen e vizave.

“Dhe zyrtarët e lartë të BE-së e kanë thënë qartë se edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë është kriter për liberalizim. Ndërsa rezultatet e deritanishme nuk janë të kënaqshme. Qeveria po tenton t’ua bëjë një mashtrim të radhës qytetarëve dhe deputetëve duke i joshur me liberalizimin e vizave për ta votuar Demarkacionin, por nuk i ka votat për ratifikim të marrëveshjes”, ka përfunduar Kadrijaj.