Zihet hajni serik që vjedh paratë e drejtorit të tij (VIDEO)
E.Gj nga Vushtrria, teknik instrumentar në Klinikën e Syve në QKUK, është arrestuar pasi është incizuar duke ia vjedhur paratë drejtorit të tij, Florim Zejnullahut. Ai është penduar rëndë për veprimin e tij dhe kërkon falje për vjedhjen që ka bërë. “Zëri” ka siguruar një video ku shihet momenti i fundit kur ai ia vjedh kuletën drejtorit të Klinikës së Syve
Një vjedhje spektakolare ka ndodhur në Klinikën e Syve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Personi që ka pranuar se ka kryer vjedhjen e që është arrestuar nga policia është E.Gj, teknik instrumentar në Klinikën e Syve në QKUK.
Policia rastin e ka cilësuar si vjedhje të rëndë, derisa dyshohet se nuk ishte hera e parë që Gj. kishte kryer vjedhje në Klinikën e Syve të QKUK-së.
Gazeta “Zëri” ka siguruar një videoincizim që do të publikohet në portalin www.zëri.info, ku instrumentari E.Gj derisa ishte në orarin e punës, me mantelin e bardhë mjekësor, futet në zyrën e drejtorit të Klinikës së Syve, Florim Zejnullahu, dhe ia vjedh paratë që ai i kishte lënë në kuletë.
Në incizimin që është siguruar ekskluzivisht nga “Zëri” përmes burimeve të saja në organet e hetuesisë, shihet tekniku medicinal E.Gj. tek hap me një çelës zyrën e drejtorit dhe futet brenda saj. Drejtori Zejnullahu ka thënë për “Zërin” se në momentin që atij i janë vjedhur paratë, zyra e tij ishte e mbyllur me çelës kurse ai ishte në sallën operative duke kryer një operacion.
E.Gj dyshohet se vodhi disa herë drejtorin dhe kolegët e tij
“Nuk ka qenë hera e parë ajo që në zyrën time janë vjedhur para. Vetëm muajin e fundit më janë vjedhur para 4 herë”, shprehet Zejnullahu. Vlera e parave që Zejnullahut ia ka vjedhur njëri nga vartësit e Klinikës që ai drejton është 640 euro.
“Ka pasur shprehi që nuk i merrte të gjitha paratë, por disa i linte në kuletë. Kjo shpesh më ka shkaktuar huti sepse ndonëse kisha dilema që jam vjedhur, sërish nuk isha i sigurt nëse kisha shpenzuar paratë diku”, shprehet Zejnullahu.
Së fundi atij i janë vjedhur në kuletë shuma prej 20 eurove. “Unë nuk e di se qysh e ka siguruar ai çelësin e zyrës…”, shprehet drejtori i klinikës. Ndërkohë, E.Gj shihet tek ngadalë futet në zyrë dhe nxjerr nga pantallonat e drejtorit kuletën, merr nga ajo paratë dhe kuletën sërish e kthen mbrapa. Ai po ashtu kontrollon edhe xhepin tjetër të pantallonave.
“Nuk janë vetëm paratë, por janë zhdukur shpesh edhe dokumente me rëndësi nga zyra e çka besojmë se policia do ta hetojë rastin deri në fund”, ka thënë drejtori.
Gazeta nuk ka arritur të konfirmojë se kush është personi që ka kryer incizimin. Por, zyrtarisht në QKUK konfirmojnë se tashmë kanë iniciuar procedurë disiplinore ndaj E.GJ.
“Drejtori i Klinikës së Syve ka vënë në dijeni gjitha instancat në lidhje me këtë rast dhe do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore në fuqi”, ka thënë Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK.
Pendohet hajni
Ndërkohë vetë E.Gj në një email që i dërgon drejtorit të Klinikës së Syve dhe Drejtorit Ekzekutiv të QKUK-së pendohet rëndë për veprimin e tij.
“Për rastin që ka ndodhur më 23.12.2016 ju kërkoj falje juve personalisht dhe gjithë personelit të Klinikës së Syve në Prishtinë për sjelljet e mia të pahijshme”, thuhet në shkresën që e posedon “Zëri” e që E.Gj ua drejton drejtorit Zejnullahu dhe atij Gjocaj.
Ai shprehet se është thellësisht i penduar për këtë rast dhe premton se në të ardhmen më nuk do ta përsërisë veprimin e tij.
“Jam i vetëdijshëm që veprimi im dhe sjelljet e mia të pakontrolluara janë të pahijshme dhe nuk janë të karakterit tim. Të lus që të ma mundësosh që t’i kthej mjetet financiare pasi ta marrë rrogën”, thuhet ndër të tjera në shkresën e kërkim-faljes së E.Gj.
Ai lut drejtorin që të ketë parasysh gjendjen e tij dhe t’ia falë gabimin. “Ju premtoj se asnjëherë në jetë nuk do ta përsëris veprimin e tillë dhe ju premtoj se do t’i kthej mjetet financiare në një afat sa më të shpejt të mundshëm”, thuhet në letrën penduese të E.Gj.
Avokati i tij, Skënder Musa, i kontaktuar nga “Zëri” ka thënë se klienti i tij ka pranuar fajësinë dhe i ka kërkuar falje menaxhmentit dhe kolegëve. “Ne po shpresojmë që menaxhmenti i klinikës dhe QKUK-së të kenë mirëkuptim dhe t’ia falin veprimin pasi klienti im është penduar rënd”, thotë Musa.
Ai ka thënë po ashtu se E.Gj është i gatshëm të bëjë edhe kthimin e parave që ia ka marrë drejtorit të tij.