Vdekja qė vjen nga ajri!
Foto: Driton Bublaku

Vdekja qė vjen nga ajri!

SHPËRNDARJE

Anita Kadriu • 25 Dhjetor 2016 • 08:10 •

Ajri i ndotur po ua merr jetën shumë kosovarëve. Shkallë alarmante e ndotjes është përreth termocentraleve të KEK-ut, ku edhe fëmijët janë të prekur nga sëmundjet kancerogjene

Ka pesë vjet që vuan nga sëmundja e kancerit. Nga trupi i tij i është shkëputur tashmë gjysma e mushkërive.

Në moshën 62-vjeçare, Imer Tërnava që jeton në fshatin Dardhishtë të Obiliqit, shumë afër termocentraleve të KEK-ut, apelon që shteti të reagojë dhe të ndërmarrë masa për mbrojtur ajrin nga ndotja, që të tjerët të mos kenë fatin e tij.

Ajri i rëndë që mbretëron ambientin e këtij fshati, sidomos gjatë stinës së dimrit, ai dyshon se ia solli edhe sëmundjen.

“Kam 44 vjet që punoj këtu dhe jetoj, pra gjithë jetën kam thithur këtë ajër. Nuk kam vetëm unë dyshime, por dhe mjekët kur më diagnostikuan me një lloj të kancerit përmendën edhe pluhurin e termocentraleve si një nga shkaktarët e sëmundjes”, thotë Tërnava.

Gjatë rrëfimit për “Zërin” ai tregon se gjysmën e mushkërive që ia kanë hequr për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në pjesët tjera të trupit. Për diagnostifikim dhe operim, ai thotë të ketë shpenzuar 10 mijë euro, ndërsa çdo muaj paguan deri në 100 euro e më shumë terapinë, që e ka të obliguar ta marrë.

“Rregullisht tani marr terapinë”, tregon ai, por më shumë sesa vetën qan hallin e të vegjëlve. Sipas tij, fëmijët e lagjes ku banon dhe të fshatit ankohen gjithmonë nga gripat apo sëmundje që kanë të bëjnë me frymëmarrjen, e që prekën sidomos gjatë sezonës së dimrit kur ajri është më i rëndë.

Ai thotë se në oxhakët e KEK-ut janë vendosur filtra, por vlerëson se prapë janë pak, në krahasim me nivelin e ndotjes.

“Fëmijët po sëmurën nuk e di nga gripi apo ndotja veç kështu e kemi dimrit ne”.

Thotë se tymi që del nga oxhakët e KEK-ut vërehet më shumë gjatë dimrit. “Shihet sidomos kur bie borë merr ngjyrën e hirit”, rrëfen ai, duke folur edhe për ajrin e rëndë, që tashmë ai thotë po vërehet dhe në Prishtinë e që siç shprehet ia ngjall shpresat se mund të nisë diçka për të zvogëluar ndotjen e ajrit.

E gjithë lagjja e prekur nga sëmundjet kancerogjene

Është nisur për tek mjeku. Fatmire Zhinipotoku tregon se e gjithë familja janë të sëmurë.

“Katastrofë mbi ne ka rënë”, thotë ajo, duke treguar se më së shumti probleme kanë gjatë kohës së dimrit dhe kur hiri dhe mjegulla bien mbi sipërfaqe të tokës.

“Kemi krejt familja problem dhe krejt këto shtëpi sa po sheh. Dy djemtë janë të shtrirë nga gripi, por kjo tek ne nuk ndodh se janë prekur qytetarët nga gripi, po gjithmonë në këtë kohë ne jemi të prekur, zakonisht në Krushevcë (Dardhishtë) ndodh kjo”, thotë ajo duke bërë të ditur se edhe hiri mbi rroba që vendosin t’i thajnë pas larjes ngjitet gjithmonë.

“Pra rroba të pastra nuk kemi. Më e rënda është ajri se frymë nuk mund të ngopesh”.

Ajo thotë se disa herë kanë bërë protesta për këtë gjendje, por nuk ka pasur reagim institucional që të ndryshojë situata.

“Ne donim që të largoheshim krejt nga këtu. Por i rregulluan vetëm disa shtëpi dhe tash për momentin mbetëm ja ku jemi, ku ma shumë na shkojnë barna sesa ushqim”, thotë ajo. Zhinipotoku thotë se krejt kjo lagje është e prekur nga kanceri.

“Krejt kjo lagje prej kanceri janë të sëmurë”, tregon duke bërë me dorë kah gjithë fshati se të gjithë janë të prekur nga sëmundjet kanceroze.

“Çka të bëjmë, kushte nuk kemi që të largohemi nga këtu, ndërsa shteti nuk dëgjon për ne”, thotë Zhinipotoku.

Çdo i treti në fshat vdes nga kanceri

Magbule Bllaca, banore tjetër e Dardhishtës, thotë se ka 25 vjet që jeton në fshat dhe sipas saj ndotja e ajrit nga oxhaqet e Obiliqit po dëmton shëndetin e banorëve.

“Ditën prapë po sheh diçka, por kur fryn erë nuk mund të dalësh, se në mbrëmje me dal nuk mundesh, fryma të zihet prej tymit e mjegullës, shpirti të del. Para shtëpisë tënde nuk mund të rrish”, thotë ajo.

Sipas saj, banorët nuk qëndrojnë mirë ekonomikisht dhe po detyrohen të qëndrojnë në këtë fshat, ku shumica thotë se vuajnë nga sëmundje të rënda.

“Kur fryn era hiri shpërndahet kurdo”, thotë ajo duke treguar se banorët e Dardhishtës nuk mund të punojnë as tokën që të ushqehen ose shesin produktet e tyre.

“Kohët e fundit i fusim në dhe, e nuk nxjerrim asgjë, nuk bëhen perimet sepse është prishur toka është helmuar”, thotë Bllaca.

Ajo thotë se gjithmonë banorët e Dradhishtës janë të prekur nga gripat. Por, ajo që po e përjetojnë si tragjedi për çdo vit thotë se janë vdekjet e banorëve nga sëmundjet kanceroze.

“Nuk ka një javë që ka vdekur fqinji ynë, gjithë mushkëritë i ka nxjerrë jashtë duke pështyrë gjak në shtëpi të shëndetit këtu në Obiliq ka dhënë shpirt”, thotë ajo.

Ndërsa bënë me dorë radhë shtëpitë që kanë humbur të afërmit nga kanceri. Madje, sipas saj, çdo i treti në këtë fshat vdes në vit nga sëmundja e kancerit.

“Dhe çka të protestojmë, po na thonë ja këtu punojnë prej Drenice, prej gjitha anëve të Kosovës nuk po vdesin, po e vërtetë se ata nuk vdesin se s’po jetojnë siç jetojmë këtu, ne kemi shtëpitë natë e ditë në tym, mjegull e hi. Është vështirë tetë orë të qëndrosh në punë, por po nuk jetove këtu është më ndryshe”, thotë Bllaca, duke shtuar se askush nuk po e ngrit këtë çështje as nga shoqëria as nga shteti.

“Tash miratuan ligjin për Obiliqin, por ky ligj është dashur të miratohet moti, jo sivjet”, thotë ajo për gazetën.

Ambasada amerikane: KEK-u, ndotësi më i madh

Ambasada amerikane në Prishtinë po e publikon shkallën e ndotjes së ajrit në vend.

Në një deklaratë për “Zërin” nga kjo Ambasadë theksohet se kontribuues më i madh i ndotjes së ajrit në lagjen Arbëri-Dragodan mund të jetë djegia e qymyrit dhe e drurit që përdoret për ngrohjen e shtëpive private (amvisnive).

“Cilësia e ajrit në Prishtinë dallon prej një stine në tjetrën dhe prej një lokacion në tjetrin. Ambasada amerikane mund të komentojë vetëm për cilësinë e ajrit, bazuar në matjet e bëra nga aparati për monitorimin e cilësisë së ajrit, i cili është i vendosur brenda oborrit të ambasadës. Përderisa parashikimet tona ishin se ndotësi më i madh i ajrit në qytet është termoelektrana e Obiliqit, ndryshimi në mes ndotjes së ajrit gjatë stinës së verës dhe dimrit tregon se kontribuues më i madh i ndotjes së ajrit në lagjen Arbëri-Dragodan mund të jetë djegia e qymyrit dhe e drurit që përdoret për ngrohjen e shtëpive private (amvisnive)”, thuhet në përgjigjen e zyrës për komunikim me medie të kësaj ambasade.

Drejtori për ambient në komunën e Obiliqit, Arben Berisha, thotë për gazetën “Zëri” se banorët e Komunës së Obiliqit janë të rrezikuar nga ndotja e ambientit në aspektin shëndetësor, gjë që sipas tij, e vërteton edhe OBSH-ja.

“Kemi një ambient të ndotur përtej të gjitha masave të lejuara. Zonat më të rrezikuara janë fshati Hade dhe fshati Dardhishtë, qyteza e Obiliqit dhe të gjitha fshatrat përreth”, thotë Berisha.

Por, ai thekson se në përgjithësi uji, toka dhe ajri në këtë komunë janë të degraduara me dekada dhe gjendja e tyre është tejet e rëndë, sidomos në fshatin Hade dhe Dardhishtë.

Krejt kjo, Berisha thotë se ka ndodhur e po ndodh si pasojë e punëve të përditshme të KEK-ut, ku çdo ditë ndodh degradimi nga puna e KEK-ut.

“Komuna dhe banorët përreth jemi të kënaqur për punën që bëhet me hijezim dhe është një ndër gjërat më të mira që kanë ndodhur deri më tani. Si projekt me atë deri sa jam unë i njoftuar është mbuluar një pjesë bukur e mirë”. 

Berisha thotë se shpresojnë që banorëve të Dardhishtës t’iu kthehet normaliteti i jetës me jetësimin e Ligjit për Obiliqin, por sipas tij edhe trajtimin dhe përmirësimin e gjendjes aktuale e deponisë regjionale që ndodhet në fshatin Dardhishtë. 

“Viteve të fundit kemi avancime si nga Komuna ashtu edhe nga KEK-u, por jo të mjaftueshme për stabilizimin e jetesës në Komunën e Obiliqit”.

Berisha beson se me jetësimin-zbatimin e Ligjit për Obiliqin do të trajtohen në mënyre ligjore të gjithë ata që vuajnë nga sëmundjet kronologjike dhe sëmundjet kancerogjene, si dhe do të ketë një sistem të avancuar shëndetësor që do të trajtohen të gjithë banorët e Obiliqit.

Bucolli: KEK-u është në proces të marrjes së një kredie të butë

Skënder Bucolli, drejtor për marrëdhënie me publikun dhe komunitetin në KEK, thotë për “Zërin” se kjo korporatë tashmë ka dëshmuar se mbrojtja e mjedisit është një nga objektivat kryesore të KEK-ut.

“Përkundër faktit se KEK-u operon me stabilimente të teknologjisë së trashëguar, e cila nuk ishte dizajnuar të jetë miqësore ndaj mjedisit, ndotja nga impiantet e korporatës është zvogëluar në nivelet më të ulëta që nga fillimi i operimeve të tyre, krejt kjo falë ciklit madhor të investimeve mjedisore që kapin shumën prej mbi 50-milionë eurosh, kryesisht nga mjetet vetanake”, thotë Bucolli për “Zërin”.

Në bazë të monitorimeve të vazhdueshme të zhvilluara nga KEK-u dhe nga institucionet tjera të pavarura, ai thekson se shkarkimet në ajër nga tymtari në TCB janë në kufi të atyre të projektuara gjatë instalimit, ndërsa në TCA, sipas tij, falë investimeve në Elektrofiltra, emisionet e pluhurit tashmë janë në kufi të atyre të cilat duhet arritur në 01.01.2018.

“Përkundër sfidave të prodhimit, objektivë kryesore e KEK-ut nga viti 2009 ka qenë dhe mbetet mbrojtja e mjedisit në hapësirat ku operon”, ka thënë ai, duke numëruar disa projekte të realizuara si Pastrimi i zonës së ish-Gasifikimit, Elektrofiltrat në TCA, Ish-deponia e hirit TCA... KEK-u ka nisur edhe mbjelljen e fidanëve në deponitë e djerrinave dhe hirit me ç’rast ka arritur numrin prej 150 mijë fidanëve të mbjella në ato zona. Në koordinim me aksionarin dhe Bankën Botërore, Bucolli njofton se tashmë është aplikuar tek mekanizmat ndërkombëtarë dhe KEK-u është në proces të marrjes së një kredie të butë për rehabilitimin dhe rikultivimin e tërë hapësirës se gropave të ish-mihjeve të Bardhit dhe Mirashit...

Maloku: S’po mund të marrim frymë në Prishtinë

Daut Maloku, kryetar i Partisë së Gjelbër të Kosovës (PGJK), e quan Prishtinën sinonim të neglizhencës së ambientit që iu bë pas luftës e këndej.

“Tani nuk mund të dalim jashtë, as të marrim frymë për shkak të cilësisë shumë të dobët të ajrit, që flet edhe për një politikë vendore dhe ndërkombëtare që i ka bërë neglizhencë ambientit”.

Ai thotë se çështja e ambientit ka rënë në nivel të higjienës, pra sipas tij, të mbeturinave. Dhe tani, siç shprehet “ka ardhur puna kur s’mund të marrim frymë”.

Ngufatja nga ajri ai thotë se është pasojë e 30 viteve, si pasojë e termocentraleve, veturave të vjetra, djegies së qymyrit.

“Djegia e qymyrit nëntokësor është një problem gati 30-vjeçar shumë i mundimshëm që ndodh në Bardh të Madh, një djegie në vete e ngadalshme për shkak të rrëshqitjes së kodrës së Minierës”, thotë Maloku.