PDK, e pavendosur për votimin e buxhetit

Aktuale December 17, 2016 - 08:01

Projektbuxheti për vitin 2017 pritet të votohet të enjten e ardhshme, megjithëse ende nuk është e sigurt nëse partnerët e mëdhenj të koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë arritur konsensus për këtë projektbuxhet.

Përfaqësuesit e PDK-së bëjnë të ditur se nëse nuk merren parasysh vërejtjet e këtij subjekti, të cilat i kanë paraqitur javë më parë, ata nuk do ta votojnë atë ligj. Ndërkohë subjektet opozitare thonë se nuk do ta votojnë buxhetin për vitin e ardhshëm pasi, sipas, tyre ky është një buxhet elektoral dhe se nuk mundëson zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, ka thënë se projektbuxheti ka kaluar procedurën standarde në Komision dhe se pas debatit është votuar nga partnerët e koalicionit. Deputeti i LDK-së ka thënë se pret që pas votimit në lexim të parë të bëhen ndryshimet e nevojshme.

“Është e kuptueshme që edhe procesi zgjedhor në Drenas ka ndikuar që të mos ketë seanca për shkak të angazhimeve atje. Besoj që javën e ardhshme do të mblidhet Kryesia dhe do ta caktojë seancën, në të cilën do të shqyrtohet në leximin e parë buxheti, pastaj Komisioni do të ketë kohë të mjaftueshme t’i përgatitë amendamentet dhe ta kalojë edhe në leximin e dytë para Vitit të Ri”, ka deklaruar Osmani.

Më tej ai ka thënë se deputetë të caktuar pretendojnë që të bëjnë ndryshime në projektbuxhet me qëllim që të sigurojnë më shumë investime në zonat ku kanë më shumë elektorat.

“Jo vetëm PDK-ja, edhe partitë e tjera kanë dhënë mendimet e tyre për buxhetin sepse kjo është çështje e rëndësishme, por nganjëherë ka kërkesa përtej mundësive dhe përtej asaj që është planifikuar dhe kështu synojnë të përfshihen në ndryshimet e ligjit, sidomos kur dihet se viti 2017 është vit zgjedhor lokal dhe normalisht që deputetët kërkojnë më shumë investime në vendbanimet ku kanë më shumë elektorat”, ka shtuar Osmani.

Në fund Osmani ka thënë se kalkulimet për të shkuar në zgjedhje përmes dështimit të buxhetit janë të gabuara pasi, sipas tij, edhe nëse nuk kalon buxheti nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, por vetëm telashe në funksionim të institucioneve.

 Buja: Do ta votojmë nëse merren parasysh kërkesat tona

Kurse anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja, ka thënë se jozyrtarisht është njoftuar se partnerët e koalicionit janë koordinuar për çështjen e buxhetit, megjithatë ai ka thënë se ende nuk ka pranuar zyrtarisht ndonjë ndryshim në projektbuxhet.

“Ne nuk kemi ndonjë dokument se ka koordinim, mirëpo sipas njoftimeve jozyrtare është arritur një pajtim. Do të pres ta shoh buxhetin nëse nuk janë bërë ndryshimet, atëherë unë do të votoj kundër, ashtu siç besoj që edhe PDK-ja e ka të njëjtin qëndrim”, është shprehur Buja.

Pavarësisht kësaj deputeti i PDK-së konsideron se partnerët e koalicionit do të koordinohen dhe se nuk do të vijë deri te përçarja për shkak të buxhetit.

“Nuk besoj që do të ketë përçarje në mes të koalicionit, besoj shumë se do të ketë koordinim dhe se nuk do të ketë probleme. Javën e ardhme do të votohet, besoj që të enjten do të kemi seancë”, ka përfunduar Buja.

Opozita: Buxheti është elektoral

Në anën tjetër subjektet opozitare bëjnë me dije se nuk do ta votojnë projektbuxhetin për vitin 2017. Deputetja e “Vetëvendosjes”, Shqipe Pantina, ka thënë se ky subjekt politik nuk e voton këtë projektbuxhet.

As Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta mbështesë projektbuxhetin për vitin 2017, pasi e konsideron buxhet elektoral.

“Projektbuxheti, sipas Grupit Parlamentar të AAK-së, është buxhet elektoral për vitin e ardhshëm. Ndërsa buxheti real do të ishte 1 miliard e 725 milionë, por këta po mendojnë të marrin para edhe nga Trusti, nga AKP-ja dhe kredi, por ato nuk janë kategori buxhetore. Ne nuk e votojmë këtë buxhet sepse nuk është buxhet për zhvillim ekonomik e krijim të vendeve të reja të punës, por është buxhet elektoral”, ka potencuar deputeti i AAK-së, Bali Muharremaj.

Ndërkohë analisti, Blerim Burjani, ka thënë se buxheti mund të shkaktojë përçarje ndërmjet partnerëve të koalicionit, megjithatë ai ka thënë se beson që do të arrihet një konsensus në mes të PDK-së dhe LDK-së.

“Në rast se nuk ka pajtueshmëri në mes të partnerëve të koalicionit për çështjen e buxhetit sigurisht se do të ketë zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, unë besoj që do të ketë marrëveshje në mes të partnerëve. Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur deri në çastet e fundit nuk është ditur nëse do të kalojë buxheti, por në fund partnerët e koalicionit kanë arritur konsensus dhe ka kaluar buxheti, prandaj mendoj që edhe këtë herë mund të ndodhë kështu”, ka vlerësuar Burjani.