Ali Ahmeti: Ndikimet nga jashtë po i dëmtojnë shqiptarët

Aktuale December 11, 2016 - 08:49

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrime (BDI), Ali Ahmeti, pranon se pas zgjedhjeve të së dielës(sot), shqiptarët do të zënë edhe më pak vende në Parlamentin e Maqedonisë dhe sipas tij, në parcializim të votës së shqiptarëve ka pasur ndikime nga jashtë.

Ai përmend ndikimet nga Rusia dhe Turqia për t’i dobësuar politikisht shqiptarët dhe akuzon subjektin më të ri politik shqiptar, lëvizjen “Besa” që një pjesë të imamëve në xhamia i ka shndërruar në zëdhënës politik të kësaj partie, të cilët, siç thotë ai, dënojnë çdo gjë shqiptare në këtë shtet.
Këto komente Ali Ahmeti i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke mos e mohuar se dy xhami në Çair të Shkupit janë jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame, Komunë kjo që udhëhiqet nga nënkryetari i partisë së tij, por se, sipas tij,  numri dy i BDI-së nuk është imam i xhamisë, por kryetar i Komunës.
Gjatë kësaj interviste për “Zërin” Ahmeti fletë për rastet Monstra dhe të Kumanovës, për akuzat që i bëhen për korrupsion prej 5 milionë euro nga “Maxhar Telekom”, për mos pjesëmarrjen me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë nga Papa në Vatikan, etj.

Zëri: Z. Ahmeti sa do të dobësohet BDI në këto zgjedhje, bazuar në fraksionet që kanë kanë dalë nga partia juaj?

Ahmeti: Nga Bashkimi Demokratik për Integrim janë larguar vetëm dy anëtarë të Kryesisë dhe mund të them lirisht se janë minorancë e pa ndonjë pasojë për BDI-në. Por mua më brengos që brenda vitit të fundit, apo më mirë thënë brenda një viti e gjysmë, duke e parë edhe krizën në vend, situatë të politizuar, mbase edhe njerëz të motivuar edhe nga ndikime jashtë Republikës së Maqedonisë kanë ngritur iniciativa e parti të ndryshe. Kjo është shqetësuese për mua sepse këtu po bëhet coptimi, parcializimi i votës së shqiptarëve, pasi garojnë pesë parti politike shqiptare, kurse në bllokun maqedonas garojnë dy koalicione të mëdha. Kur kanë ardhur gjithë këto iniciativa, gjithë këto lëvizje, unë sinqerisht kam dalur para opinionit dhe kam kërkuar që të gjitha ato parti të organizohen të bëhen bashkë, por të mos i shkaktojnë pasoja gjithë shqiptarëve të Maqedonisë dhe le të përballen me BDI-në dhe në qoftëse kanë gjithë atë organizim dhe nëse e kanë mbështetjen e shqiptarëve le ta fitojnë edhe Bashkimin Demokratik, por me rëndësi është që të mos pësojnë shqiptarët, të mos pësojnë humbje në zgjedhje, të mos humbin mandate në Kuvend. Pra edhe nëse humb BDI, nuk është humbje për shqiptarët, sepse mund të organizohet, të profilizohet edhe më mirë, të fitoj në mandatin pasues pas katër vitesh. Mirëpo kjo nuk ndodhi fatkeqësisht. Partitë e vogla që u formuan nuk arritën të merren vesh. Tani se a e kanë pas këtë mosmarrëveshje rreth definimit të platformave të tyre. Por mendoj se më tepër e kanë patur për atë se kush do të jetë i pari nëpër lista, apo nëpër funksione të ndryshme që mund të ketë në parti. Kështu që tani po më përcjellë kjo brengë. Kam apeluar te të gjithë qytetarët që të përpiqemi të gjithë që të unifikojmë sa më tepër votën, të mos dobësojmë mandatet tona.

Shqiptarët mund t’i 5-6 mandate

Zëri: Cilat do të jetën efektet e këtij paricalizimi? Sa mandate do t’i humbin partitë shqiptare në Kuvend?

Ahmeti: Po tash krahasuar me vitin 2011 edhe atëherë kanë garuar 4 apo 5 parti shqiptare, por kemi humbur mbi 52 mijë vota. Pra 52 mijë vota janë diku mbi 5 mandate, apo lirisht mund të thuhet 6 mandate, sepse edhe ne si BDI mund të vijmë në atë pozitë që për një mijë vota të mos e fitoj deputetin e 20 ose të 21, apo të 19.

Influencat nga jashtë në Maqedoni

Zëri: Përmende influenca nga jashtë, nga kush konkretisht dhe përmes cilës parti?

Ahmeti: Ne gjërat duhet t’i themi shumë hapur. Fatkeqësisht neve na paraqitet deshëm apo s’deshëm na paraqiten edhe në planin global kemi përplasje civilizimesh. Deshëm apo s’deshëm gjërat kanë shkuar aq larg për dominim të blloqeve. Sigurisht që Rusia do të shtrij influencat e veta jo vetëm në rajonet ku ka bashkëjetuar e bashkëqeverisur, duke filluar nga Taxhikistani, Uzbekistani, Turkmenistani që kanë krijuar nëse mund të themi një “Comonuelth” të tyre që kanë ekonominë e përbashkët, planet e përbashkëta dhe i gjithë ky bllok përplaset me Evropën. Sigurisht që ne e pranuam apo nuk e pranuam në historinë e shqiptarëve para 110 vitesh e 130 i kanë marrë dhe i kanë quar me detyrim që të shërbejnë në Jemen, në Egjipt. Pra i kanë marr me dhunë, dhe tani nuk dua të besoj që shqiptarët shkojnë vullnetarë në Siri, Irak dhe humbin jetë njerëzish.

Zëri: Megjithatë a ka pas ndikim përmes partive politike shqiptarëve, pasi kemi pa që edhe në fushatë ka pas implikim të imamëve radikal shqiptarë?

Ahmeti:  Sigurisht që ka pasur dhe është mirë që këto të thuhen, është mirë që këto gjëra t’ua shpjegojmë njerëzve. Nuk kanë nevojë të rinjtë shqiptarë të luftojnë në fronte të huaja, në fronte për të cilat ne nuk e dimë se për ç’ide dhe ç’ideologji, për çfarë shtetesh përpiqen të ndërtojnë dhe të bëjnë. Këtu ka patur persona që i kanë motivuar, këto gjëra duhet të thuhen edhe më hapur. Më brengos ajo që dalin ca hoxhallarë këtu nëpër disa xhamia, të cilët janë pakicë në tërë Bashkësinë Islame që mbajnë ligjërata politike dhe e përziejnë politikën me besimin. Unë kam informuar Bashkësinë Islame që në tempujt e shenjtë të besimit Islam që edhe unë i takoj, ma mbyll derën që edhe unë të hyjë aty se flet kundër politikave të mia, kundër përcaktimeve të mia.

Shteti duhet të kontrolloj financimin e partive

Zëri: A janë të rrezikshme edhe paratë e shtetit turk, të administratës së Erdoganit të hyjnë në Maqedoni, sepse është një agjendë islamiste. Islami politik që po shihet se ka zënë rrënjë edhe në Maqedoni. Do të thotë shqiptarët e Maqedonisë kanë tendenca më të mëdha të fetarizimit sesa shqiptarët në Shqipëri apo në Kosovë?

Ahmeti: Nuk mendoj se shqiptarët në Maqedoni kanë tendenca më të mëdha për t’u bërë  projekt, të cili nuk i kanë takuar dhe që nuk janë pjesë e asaj agjende, por janë kryesisht grupe të caktuara kanë bindjet e veta. Kurse sa i takon financimit, shteti duhet të rris nivelin e kontrollit më të lartë dhe jo vetëm partinë time por të gjitha partitë t’i kontrolloj dhe të shoh se prej nga e kanë mbështetjen financiare. Një çështje të tillë shteti duhet ta bëjë.

Zëri: Ju keni qenë 12 vjet në Qeveri. A ndjeni përgjegjësi për mosaktivizim ndoshta më të madh në moslejimin e kësaj shtrirje?

Ahmeti: Sigurisht që unë nuk jam as prokuror, as gjykatës dhe as hetues, por unë kam bërë thirrje  në vazhdimësi që gjithçka që është e zezë dhe e paligjshme të hetohet e të dënohet.

Xhamitë në Çair jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame

Zëri: Janë dy xhami në Çair, Komunë që është në qeverisjen e partisë tuaj e që janë jashtë Bashkësisë  Islame. A keni tolerua në njëfarë mënyrë të heshtur një veprim të tillë?

Ahmeti: Sigurisht që në Komunën e Çairit udhëheq nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, por ai nuk drejton xhaminë. Dhe nëse ka element të tillë, për të cilin unë nuk kam informata duhet biseduar edhe me komunitetin e Bashkësisë Islame nëse ata kanë informata të tilla. Unë nuk mund të denoncoj diçka për të cilin nuk e di në të vërtetë.

“Besa” më akuzon se e promovoj kristianizmin

Zëri: Për Lëvizjen  “Besa” çka mendoni? Ka shkrime të ndryshme për lidhjet dhe financat që marrin nga Turqia?

Ahmeti: Për Besën nuk kam informacion zyrtar, nuk kam diçka të vërtetuar në rrugë zyrtare. Unë flas për Besën për aq informacion që kam, që një pjesë të imamëve nëpër xhamia i ka shndërruar në zëdhënës politikë të Besës, ku ata dënojnë çdo gjë edhe shqiptare që ka ndërtuar BDI-ja. Këtë nuk e bëjnë në rrugë tepër transparente, por e bëjnë në rrugë tepër të sofistikuar duke filluar që nga Skënderbeu, Nënë Tereza, Univeristeti, apo Pjetë Bogdani, apo Josif Bageri duke thënë ja Ali Ahmeti promovon kristianizmin. Por unë promovoj vlera të shqiptarëve.

Zëri: Nuk është hera e parë që po bëhet flirt me këto grupe, nëse “Besa” e ka moton: “Zot për Shqiptarinë”, ku identifikohet si një formë e orientimit drejt lindjes dhe islamizimit të shqiptarëve. Kemi pas edhe Menduh Thaçin i cili ka hapur fushata me shprehje fetare dhe islame, të cilat kanë qenë publike. Do të thotë po shihet se ky elementi fetar ka qenë i shprehur edhe te subjektet tjera politike.

Ahmeti: Unë nuk dua të flas tani as për zotëri Thaçin e as për ata që thirren në emër të Zotit, e që thonë se nëse vjen në tubimin më Boris Trajkovskin nuk je me Zotin, por je me djallin. Ai ka ofenduar pjesën dërrmuese që janë besimtarë, më kanë ofenduar edhe mua. Nuk është mirë që çështjet e besimit t’i përziejmë më çështjet e orientimit ideologjik e politik të partive. Po të jetë për të kënduar ilahi e Kuran shkoj atje ku është vendi, sepse tubimet e mia nuk janë për të bërë dua, por unë mund ta mbyll takimin me një “Zoti na ndihmoftë” dhe Zoti të ndihmon nëse i kryen punët e mira e punët e mbara sepse nëse nuk bënë asgjë për të patur begati atëherë as Zoti nuk të ndihmon. Kështu që nëse ne e përziejmë me politikën çështjen e besimit, kjo nuk na sjellë dobi.

Zëri: Nëse dilni si partia më e votuar shqiptare, a do të bëni koalicion me Gruevskin apo me Zaevin?

Ahmeti: Kjo çështje shtrohet për diskutim dhe për të marr vendim, pas 11 dhjetorit, pra më 12 dhjetor. Por çka është për Bashkimin Demokratik për Integrim është se ne do të mbrojmë platformën tonë dhe për ne doktrina dhe platforma dhe jo se cili do të jetë personi nga pala tjetër me të cilin do t’i bëjmë ato negociata.

Procesi “Monstra” duhet të përsëritet

Zëri: Rivalët tuaj politikë iu akuzojnë ju për procese të montuara, për rastin e Sopotit dhe rastin “Monstra”. Cila është përgjigja juaj?

Ahmeti: Unë në të dyja proceset kam pasur dyshimet e mia, i kam kontestuar që të dyja proceset, kam kërkuar edhe ndihmë nga drejtësia ndërkombëtare dhe ashtu u bë. Në procesin e Sopotit ka dëshmuar njëri nga autoritetet, ambasador që ka qenë në vitin 2002 në Maqedoni ambasadori Bigman dhe ai proces në vazhdimësi kam kërkuar që të ndriçohet në tërësi. Gjithashtu në rastin “Monstra” kam hedhur dyshimet e mia sepse nuk ka patur prova të qëndrueshme në tërë procesin sa unë e kam përcjellë dhe kam kërkuar që ky proces të argumentohet me prova të pamohueshme, me prova të dukshme sepse këtu bëhet fjalë për masakrimin e pesë fëmijëve maqedonas dhe sigurisht që këtë njollë të zezë e ka ndje çdo shqiptarë. çdo shqiptarë e ka dënuar këtë akt barabar dhe kërkojnë drejtësi dhe që ky proces gjyqësor të përsëritet me prova të besueshme dhe të qëndrueshme.

Zëri: Pse deputetët e partisë suaj nuk votuan për vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Publike?

Ahmeti: Deputetët e BDI-së nuk mund të votonin një projekt i cili nuk është dakorduar ashtu siç u dakorduan katër partitë politike me marrëveshjen e Shkupit, po ky propozim u përgatit vetëm nga një parti opozitare maqedonase pa u dakorduar katër partitë nënshkruese të marrëveshjes. Për të qenë dhe për t’i dhënë kompetenca të shtuara apo si ishte rasti i ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve të mbrojtur duhej të thirreshin katër partitë nënshkruese sepse katër parti kemi përgjegjësi ndaj asaj marrëveshje. Dhe po të kishte ndodhë diçka e tillë sigurisht se do të kishte kaluar edhe ai ligj.

Zëri: Po iu fajësojnë se keni dashur ta mbroni partnerin tuaj të koalicionit, Gruevskin?

Ahmeti: Nuk mundet as BDI-ja, as VMRO-ja po të kishte propozuar një gjë të tillë nuk do të mund të kalonte pa u dakorduar palët nënshkruese të marrëveshjes së Shkupit.

Përgjimet u keqpërdoren

Zëri: Pjesë e përgjimeve dolën edhe zyrtarë të partisë suaj. Si e keni menaxhuar këtë situatë? Ku janë ata sot?

Ahmeti: Unë për përgjimet jam deklaruar disa herë dhe kam kërkuar nga publikuesi Zoran Zaevi edhe në takime që të gjitha përgjimet për BDI-në t’i hedhë në opinion që ta di opinioni se si veprojnë funksionarët e lartë të shtetit po edhe të partisë. Mirëpo çështjet devijuan dhe u banalizuan, kur këto përgjigje kaluan në duar të papërgjegjshme dhe u shndërruan në mjet për tregtim për kërcënim të njerëzve. Dhe kur kalojnë në duar të tilla ato mund të montohen, ju si gazetarë e dini se si zërin tim që e keni në këtë intervistë mund të përdorni dhe ta ndryshoni përmbajtjen. Kështu që unë menjëherë e kam dhënë prononcimin e dytë dhe kam kërkuar që kjo çështjet të merret më seriozisht jo vetëm nga partitë politike, jo vetëm nga ata që i kanë publikuar, por edhe nga Prokurori Speciale dhe të mos kaloj situata në vetgjyqësi. Sigurisht që për t’i shuar të gjitha dilemat, unë kam bërë hapin më vendimtar që mendoj se rrallë kush mund ta bëjë, kam shkarkuar 12 funksionarë të lartë dhe janë emëruar 12 funksionarë të rinj. Kjo është bërë me mirëkuptim dhe është menaxhuar me shumë kujdes nga të gjitha palët, në dakordim me të gjitha palët dhe kështu treguam kapacitet, pjekuri të BDI-së si parti politike serioze që në radhë të parë vë interesat e përgjithshme e jo ato personale.

Akuzat për 5 milionë euro mito nga “Maxhar Telekom”

Zëri: Është një akuzë tjetër publike në lidhje me “Maxhar Telekomin”. Iu akuzojnë për pesë milionë euro mito?

Ahmeti: Unë për “Maxhar Telekomin” as që kam pasur njohuri, por mbi të gjitha, nuk jam funksionar i shtetit, as nuk kam qenë ministër, as drejtor, unë jam  kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, jam deputet në Parlamentin e Maqedonisë dhe po të ka diçka të tillë, të mos flasin nëpër portale, por ka hetuesi, ka Prokurori. Nuk e bëjë këtu për t’u arsyetuar. Kjo është një çështje që e keqpërdorin partitë politike për përfitime.

Zëri: Na ra në sy statuja e Skënderbeut, e cila ishte në gjendje të mjerueshme, ndërkohë që nëse nuk jemi gabim 600 milionë ka investuar Qeveria në projektin “ Shkupi 2014” me gjithë ato statuja. Pse nuk arritëm me pas së paku një statujë dinjitoze të heroit tonë? Ishin skelet ende aty, ishte ende e papërfunduar?

Ahmeti: Skënderbeu është 15 metra i lartë në sheshin e Shkupit, aty ka ndërtime, aty janë investuar deri tani 25 milionë euro dhe është projekt që vazhdon punimet edhe më tutje dhe nuk mendoj që Skënderbeu do të jetë më i hijshëm as në Prishtinë tuaj dhe as në Tiranën tonë të përbashkët, ku është me përmasa të njëjta me Skënderbeun e Shkupit. Dhe unë me alegori e them nëse te ju matet Skënderbeu në Prishtinë me kilogram, në Shkupin tonë të vjetër, në kryeqytetin e Dardanisë matet me okë, që do të thotë se është pak më i rëndë se në Prishtinë.

Zëri: Pse nuk mori pjesë asnjëri prej përfaqësuesve politikë shqiptarë në shenjtërimin e Nënë Terezës në Vatikan?

Ahmeti: Ne kemi qenë të angazhuar me shumë çështje këtu dhe për t’ua thënë troç juve sepse edhe më pyetët, nuk dua t’i shmangem. Unë nuk e njoh kryetarin e shtetit për kryetar legjitim të Republikës së Maqedonisë sepse ai është një president që nuk përfaqëson shqiptarët pasi është zgjedhur njëanshëm vetëm nga komuniteti maqedonas dhe ftesa më ka ardhur përmes presidentit.

BDI do të fitoj

Zëri: Sa prisni që do të jeni fitues me përqindje?

Ahmeti: Tash në traditën time nuk është që të caktoj përqindje të parakohshme, por të gjithë oponentët që bëjnë anketa, po flas për shqiptarë, e nxjerrin BDI-në fitimtare. Përderisa oponentët nxjerrin Bashkimin Demokratik fitimtar, mirë janë punët.