Mustafa komunikon me qytetarët: Liria e lëvizjes peng i demarkacionit

Aktuale December 10, 2016 - 16:44

Kryeministri Isa Mustafa, gjatë një komunikimi në Facebook me një qytetar, ka thënë se liria e lëvizje për qytetarët e Kosovës është peng i demarkacionit. Një qytetar me Emrin Egzon Ahmeti, ka komentuar në shkrimin e kryeministrit Mustafa me rastin e ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke thënë ndër të tjera se e drejtë themelore e njeriut është edhe lëvizja e lirë, e cila siç shkruan ai:

“Ne nuk e kemi atë për arsye se ju të cilëve ju kemi votuar nuk mendoni për ne por vetëm për veten tuaj”, dhe më pas ka folur dhe për nivelin e arsimit dhe studentët në Kosovë. Pas këtij komenti kryeministri Mustafa ka thënë se lidhur me lëvizjen e lirë janë plotësuar të gjitha kriteret dhe ka pasur sukses në të gjitha, përveç demarkacionit, duke shprehur besimin se edhe kjo do të arrihet.

“I nderuar Egzon, Nuk ka dyshim se liria e lëvizjes është e drejtë themelore e njeriut. Lirinë e lëvizjes nuk e kemi sepse nga të gjitha kushtet, vetëm demarkacioni nuk është kryer. Të them të drejtën, gjatë gjithë vitit të kaluar, ka pasur intensitet të jashtëzakonshëm në plotësimin e të gjitha kritereve dhe kemi pasur sukses në të gjitha, përveç njërës, demarkacionit. Ende mbaj shpresë se do ta arrijmë. Sa i përket arsimit, mirë që janë mijëra studentë e shumë të rinj në vendin tonë. Mirë që synojnë të studiojnë shumë dhe është fakt se kemi studentë të mrekullueshëm, të cilët në asnjë rast nuk po ngecin nga kolegët e tyre në studimet jashtë vendit. Po punojmë në ekonomi aq shumë sa për të adresuar këtë problematikë, punësimin e të rinjve. Disa suksese konkrete janë arritur në vitin 2015. Suksese edhe më të mëdha në vitin 2016, e sigurisht edhe më shumë do të ketë në 2017 dhe 2018. Nga përvoja, ju them me bindje të plotë se së bashku mund t'i arrijmë të gjitha objektivat tona. Përshëndetje!”, shkruan Mustafa