S’kemi lidhje me Erdoganin, Turqia shtet mik

Aktuale December 10, 2016 - 07:53

Drejtuesit e subjektit politik “Besa”, ndaj të cilëve rivalët politikë në Maqedoni e drejtojnë gishtin akuzues për lidhje dhe financim të drejtpërdrejtë nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, mohojnë lidhjet me këtë të fundit, ndonëse nuk preferojnë shumë të flasin për figurën e tij, me arsyetimin se nuk kanë shumë informacion, shkruan sot, gazeta "Zeri".

“Unë nuk mund të flas për figurën e Erdoganit për faktin e thjeshtë se s’kam informacion shumë të saktë për të”, ka thënë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” nënkryetari Zeqirja Ibrahimi, duke shtuar se kur një figurë të tillë siç është Erdogan shumë medie e shpallin si Hitlerin e dytë apo të tjerat e quajnë shpëtimtarin e botës, është e vështirë të gjendet një mendim i saktë për të.

Ky subjekt politik, i cili moto partiake ka: “Zot për shqiptarinë”, pranojnë se në Maqedoni ka elemente të islamizmit radikal apo të ekstremizmit fetar, por thonë se janë të vetmit që kanë ide sesi të zgjidhet çështja e ekstremizmit fetar.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin”, numri dy i lëvizjes “Besa” flet në pika të shkurtra për financat e partisë, për shpenzimet, përkatësisht organizimin e autobusëve për bartjen e shqiptarëve nga diaspora për të votuar të dielën (nesër) për raportet me Lëvizjen “Vetëvendosje” në Kosovë, etj.

Zëri: Lëvizja “Besa” për herë të parë merr pjesë në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë, çka synoni të arrini në këto zgjedhje?

Ibrahimi: Ka disa synime, nëse flasim në aspektin më afatgjatë, më historik të vizionit të kombit; ishte dashur që ne ta kemi në konsideratë që të mbetet indi shqiptar i fuqishëm në Maqedoni. Për faktin e thjeshtë sepse gjatë kësaj qeverisjeje ka pasur shpërngulje të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë, e cila është në kuadër të planeve që të zbrazet rajoni prej shqiptarëve. Në plan afatgjatë synojmë që kombi shqiptar të mbetet i fuqishëm në Maqedoni. Në planin afatshkurtër, që të realizohet ky vizion synimi ynë është që t’i fitojmë zgjedhjet në kampin politik shqiptar.

Zëri: Vazhdimisht gjatë fushatës e keni kritikuar BDI-në, keni bërë posterë me krerët e BDI-së, Ali Ahmetin, Musa Xhaferin, prapa grilave. Mirëpo, kryetari juaj ka qenë në listë për deputet me BDI-në vite më parë?

Ibrahimi: Duhet të ndahet koha kur kryetari ynë ka qenë në listë me BDI-në. Në kohën kur kryetari Bilall Kasami ka qenë në listë të BDI-së është folur për një BDI që ka dalë prej UÇK-së. Kryetari ynë i bie të ketë qenë prej vizionarëve të parë që e ka kuptuar se në atë subjekt s’ka mundësi të mbrohen interesat e shqiptarëve në Maqedoni.

Zëri: Cilat janë interesat e shqiptarëve në Maqedoni dhe cilat janë tri shtyllat kryesore në të cilat ju do të punoni?

 Ibrahimi: Interesat e shqiptarëve në Maqedoni janë të rrafshit identitar, politik dhe ekonomik. Në rrafshin identitar shqiptarët të shpëtohen si identitet kombëtar në Maqedoni, të mbrohet pa asnjë kompromis identiteti shqiptar në këtë shtet. Në aspektin politik janë çështjet që kanë të bëjnë me barazinë e shqiptarëve në Maqedoni, ndërsa pjesa tjetër është që shqiptarëve t’u krijohen kushte për zhvillim të mirë ekonomik.

Të vetmit ne mund ta luftojmë ekstremizmin fetar

Zëri: A do të jetë identiteti shqiptar i fuqishëm nëse shkohet drejt një islamizimi radikal?

 Ibrahimi: Kujtoj që në Maqedoni ka elemente të cilat mund të shfrytëzohen në një islamizim radikal apo ekstremizëm fetar, i cili për hir të vërtetës shpeshherë i atribuohet Lëvizjes “Besa”. Të vetmit që kanë ide si të zgjidhet ekstremizmi fetar jemi ne. Ne mendojmë që ekstremizmi fetar nuk luftohet duke e sharë apo duke e anatemuar, por ideja jonë është që të vaksinohet dhe të paralizohet.

Zëri: Po e pranoni se ka ekstremizëm fetar?

Ibrahimi: Unë nuk mund të them saktë se si shprehet, por për faktin e thjeshtë se ka shumë shqiptarë të Shkupit dhe të Kosovës që kanë shkuar për të luftuar në Siri, etj, i bie që të ketë. Por për ne si komb është mirë që të parandalohet zhvillimi i atij ekstremizmi.

Zëri: Motoja juaj partiake “Zot për shqiptarinë” duket si një kod drejt ideologjisë së Lindjes dhe islamizimit të vet shqiptarëve?

Ibrahimi: Unë mendoj se ky është një atribuim dashakeq që na bëhet për faktin e keq se edhe himni i Asdrenit thotë se: Zoti vetë e tha me gojë, që kombet shuhen përmbi dhe, po Shqipëria do të rrojë, Për të, për të luftojmë ne. Edhe presidenti Obama në fjalimet e tij thotë vazhdimisht se Zoti e bekoftë Amerikën. Ne nuk e fshehim se shqiptarët e Maqedonisë janë të lidhur me sentimentin fetar dhe jemi të bindur se ky sentiment sikur të zhvillohet në frymë të zhvillimit të identitetit të kombit i shërben fisnikërimit të kombit. Ne nuk mund të shpikim shqiptarë artificialë.

Zëri: E përmendet më herët Turqinë dhe akuzat që ju bëhen për lidhjet tuaja direkte me Erdoganin, cila është e vërteta?

Ibrahimi: Të vërteta janë vetëm shkrimet dhe shpifjet që bëhen. Të vërtetë nuk ka asnjë gjë, janë shpifje nga kuzhinat e BDI-së që janë të ndjeshëm se po e humbin pushtetin, kinse ata po e shpëtojnë shqiptarinë në Maqedoni, ndërsa ne po e rrezikojmë. Shqiptarinë e Maqedonisë e shkatërruan këta që lejuan të bëhet “Shkupi 2014” me financat e shqiptarëve.

Zëri: Mirëpo ju keni zyrtarë të “Besës”, të cilët janë në foto me ish-kryeministrin turk Davutoglu?

Ibrahimi: Nuk është zyrtar i Lëvizjes “Besa” është një shok yni, botues i librave në shqip të Davutoglut dhe s’ka asgjë të keqe.

Zëri: A keni pranuar fonde nga Turqia në lëvizjen “Besa?

Ibrahimi: Absolutisht jo.

Financohemi nga anëtarët dhe nga bizneset

Zëri: Prej nga financoheni?

Ibrahimi: Financohemi nga burimet e brendshme dhe të mërgatës shqiptare. Në fushatë të gjithë anëtarët e Këshillit Qendror, të cilët janë 100 veta, i kanë siguruar nga 1000 euro, nuk është e thënë se vetë i kanë dhënë, por i kanë gjetur diku. Pastaj afaristët shqiptarë, të shtunën një afarist i dha 10 mijë euro, një afarist tjetër e solli autobusin për fushatë.

Zëri: Tash vonë një zyrtar i bankës turke “Halk Bank” në Turqi u kap me para cash dhe deklaroi se janë para të lëvizjes “Besa”?

Ibrahimi: Ne s’kemi lexuar aso deklarate, atë që e kanë bërë lajmin e kanë marrë për aferën financiare atje dhe i kanë vendosur disa foto të “Besës”, që të krijohen relacionet. Pra, është shpifje e pastër.

Zëri: Pse pikërisht juve ju atribuohet lidhja me Turqinë?

Ibrahimi: Ju nuk gjeni asnjë fjalim të askujt, asnjë dokument të botuar që të përdoret elementi i fesë për çështje politike. Keni plot shqiptarë të BDI-së dhe të PDSH-së që jargaviten të fotografohen me Erdoganin dhe t’ua marrësh pasaportat, të vetme vizat që i kanë, i kanë në Ankara. Ne i kemi bërë dy protesta, ku kanë marrë pjesë mbi 10 mijë njerëz në të parën dhe në të dytën mbi 30 mijë dhe nuk ka pasur asnjë flamur të gjelbër dhe asnjë thirrje fetare.

Zëri: Ju akuzojnë se shpërndani kuponë për qytetarë që të marrin mallra pa para dhe të vijnë në fushatë te ju?

Ibrahimi: E shtoj edhe unë një shpifje të tillë, ata të “Besës” nuk do ta mbushnin sallën, por ia kanë dhënë secilit nga 10 euro për të shkuar aty. Këto janë gjëra të çmendura.

Zëri: A ka interes prej Erdoganit që edhe në Maqedoni ta shtrijë influencën e tij?

Ibrahimi: Shteti turk ka pasur interes dhe vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me shtetin e Maqedonisë, veçanërisht është shfaqur në planin e sigurisë, i ka ndihmuar policisë dhe ushtrisë, ka pasur hapje të bankave, të universiteteve, por kjo nuk ka të bëjë fare me ne, ato janë interesa shtetërore, të cilat as nuk mund t’i ndalim e as nuk mund t’i joshim.

Zëri: Në uebfaqen tuaj keni publikuar një buxhet prej rreth 10 mijë eurosh, si mund të funksiononi si subjekt me kaq pak buxhet e kaq shumë shpenzime?

Ibrahimi: Nuk e di saktë, por e di se shpenzimet mujore të “Besës” nuk janë shumë të larta. Kemi zyrën e Shkupit dhe të Tetovës që janë pak më të mëdha, zyrat e tjera janë të vogla. Me sa e di shpenzimet mujore sillen prej 5000-8000 euro.

Nuk kemi paguar ne për ardhjen e bashkatdhetarëve 

Zëri: A e keni organizuar me autobusë të “Besës” transportin e shqiptarëve nga diaspora për të votuar të dielën?

Ibrahimi: Ata vetë janë organizuar, autobusët nuk janë të “Besës”, por janë simpatizantë tanë. Me sa di unë edhe vetë pronarët e autobusëve janë simpatizantë të “Besës” dhe u kanë bërë oferta shumë të lira për transport.

Zëri: A mund të na thoni tri arsye pse votuesit do të duhen t’ju votojnë juve?

 

Ibrahimi: Për shkak se lëvizja “Besa” është lëvizje autentike e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila e përfaqëson dhe e artikulon interesin e shqiptarëve këtu. Lëvizja “Besa” është lëvizja politike autonome, nuk varemi prej asnjë subjekti tjetër. BDI-ja është themeluar si derivat i LPK-së. E shohim veten si subjekt autentik, autokton, autonom.

Zëri: A lidhet identiteti shqiptar për të cilin po flisni me identitetin fetar të islamit në Maqedoni?

Ibrahimi: Mendoj se historia e shqiptarëve të Maqedonisë nuk është e njëjtë me historinë e shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë pasur një zhvillim shumë të zbehtë arsimor dhe kulturor dhe kjo i ka bërë që shqiptarët këtu të jenë të lidhur me shumicë me elementin e fesë. Në kohë të kaluara edhe ka qenë e dobishme sepse e kanë mbrojtur identitetin shqiptar. Në Shkup ka qenë një hoxhë me emrin Atullah Kurtishi, i cili në kohën kur fillojnë shpërnguljet e mëdha të shqiptarëve në Turqi s’ka mundur të bëjë thirrje se ky është një plan serb, por ka thënë se secili që shkon në Turqi është qafir. Nuk do të thotë se islami i mbron shqiptarët nga asimilimi, se në Turqi kemi plot shqiptarë të asimiluar, por në kushte të Maqedonisë u ka shërbyer shqiptarëve të mbrohet ky identitet. Në kohën e pluralizmit shumë të rinj shqiptarë shkojnë shkollohen në shkollat e Lindjes dhe kthehen si hoxhallarë dhe për shkak se shqiptarët këtu kanë admirim fetar nuk mund ta bëjnë dallimin se ai hoxhë ka prirje ekstremiste apo ai që ka liberale. Nën petkun e fesë është sjellë mendimi islam i Lindjes, i cili s’ka përkuar me mendimin e përgjithshëm të shqiptarëve të Maqedonisë. Ne nuk duam në asnjë rast që feja dhe shteti të bëhen bashkë, jemi për ndarje fikse.

Mospjesëmarrja e politikanëve shqiptarë në Shenjtërimin e Nënës Terezë

Zëri: Reagimet më të mëdha për Shenjtërimin e Nënës Terezë vinin nga shqiptarët e Maqedonisë, madje asnjë politikan shqiptar prej këtu nuk ishte në Vatikan atë ditë. Nuk njihen as Skënderbeu e as Nënë Tereza?

Ibrahimi: Mendimi më radikal islamik e ka bërë të veten. Shqiptarët myslimanë të Maqedonisë nuk humbin aspak nga figura e Nënës Terezë sepse ajo është e Shkupit. As Skënderbeu s’e ka luftuar islamin dhe nuk ka pasur asnjë problem me islamin si fe.

S'kam informacion të saktë për Erdoganin

Zëri: Po mohoni çdo lidhje me Turqinë, dëshiroj ta di mendimin tuaj për presidentin Erdogan?

Ibrahimi: Unë nuk dua të flas për figurën e Erdoganit për faktin e thjeshtë se s’kam informacion shumë të saktë. Kur je figurë e tillë, ka plot medie që e shpallin Hitlerin 2 dhe plot të tjera që e shpallin shpëtimtarin e botës. Dhe mes këtyre dy ekstremeve e ke rëndë që të gjesh mendimin e saktë. Për mua është shumë e rëndësishme për qëndrimin e shtetit turk ndaj shqiptarëve në Ballkan. Derisa Edi Rama e ka mik dhe Shqipëria mban shumë raporte me Turqinë, unë s’mund ta shoh atë shtet si armiqësor. Për ta thënë më saktë, interesi i shqiptarëve në përgjithësi dhe në Maqedoni në veçanti është që të gjitha format e bashkëpunimit me shtetin turk të zhvillohen në kuadër të partneriteti euroatlantik. Çdo gjë jashtë kësaj nuk është interes i shqiptarëve.

Zëri: A u është ofruar për bashkëpunim organizata TIKA?

Ibrahimi: Jo. TIKA merret me sponsorizime të zhvillimit ekonomik, por për çështje të politikës jo.

Jo koalicion me BDI-në, as me Gruevskin

Zëri: Me cilën parti do të ishit të gatshëm të bëni koalicion?

Ibrahimi: Prej partive shqiptare përveç BDI-së me të cilët as nuk duam të flasim, me të tjerat mund të flasim. Me partitë e palës maqedonase nuk paragjykojmë se kush i fiton zgjedhjet. E kemi thënë hapur se nuk bashkëpunojmë me këtë lidership të VMRO-së edhe nëse i fitojnë ata zgjedhjet. Me tipa të Gruevskit, Mihajlkovit dhe Jankullovskas, të cilët janë të dëshmuar për abuzime të mëdha dhe si antishqiptarë, s’kemi çfarë të flasim dhe çka të bashkëpunojmë. Por, nëse atje ndërrohet lidershipi, atëherë edhe mund të flasim.

Me “Vetëvendosjen”, më të përafërta

Zëri: Me cilat subjekte politike shqiptare në rajon bashkëpunoni?

Ibrahimi: Për interesin e kombit ne kemi folur me “Vetëvendosjen” në Kosovë, por ka plot gjëra të tjera që na dallojnë me këtë subjekt, pasi që ata janë të majtë dhe ne jemi të djathtë dhe konservatorë. Kemi marrëdhënie të mira me partinë çame në Shqipëri. Me partitë tjera s’kemi pasur kontakte formale.

Zëri: A do të hyjnë më të faktorizuar shqiptarët në këto zgjedhje, apo jo?

 Ibrahimi: Mendoj se fuqia nuk është te sasia, do të ishte mirë të kishim shumë deputetë dhe të ishin të fuqishëm, por është më me rëndësi cilësia. Deputetët e BDI-së nuk e votojnë zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, e cila është themeluar me insistimin e amerikanëve, për shkak se është në dëm të VMRO-së. I bie që vota të cilën e kanë i shërben kësaj të fundit e jo shqiptarëve. Duhet të forcohet potenciali kuadrovik i shqiptarëve. E vërtetë është që shqiptarët s’do të mundnin të arrijnë numrin e deputetëve që kishim në zgjedhjet e fundit, por kjo s’do të thotë se gjendja do të jetë aq e keqe.