Marrëveshje mes Bahtirit, Rakiq-it dhe BE-së për çështjen e murit

Aktuale December 09, 2016 - 18:25

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka deklaruar në Info Magazine të Klan Kosovës se është arritur një marrëveshje, ose akordim, për çështjen e murit të ndërtuar në pjesën veriore të Urës mbi lumin Ibër.

Marrëveshja ose ujdia, siç thotë Bahtiri, është arritur mes tij, kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq dhe zyrtarëve të Bashkimit Europian.

“E kemi takuar Rakiq-in, ka qenë edhe Edita Tahiri dhe nga BE-ja”.

“Rakiq dëshironte të ketë një plato të rrafshuar lartë, por e jona ishte se ai mur duhet të largohet, njëkohësisht e kemi edhe përkrahjen e njerëzve nga Bashkimi Europian”.

“Rakiq ka tentuar që të thotë se nuk është mur, por rrafshim i platos, por për ne ishte dhe është e papranueshme. Në fund kemi arritur kompromisin, i cili është që ajo pjesë e rrafshimet të kryhet në mënyrë, sepse nëse veç një centimetër largohen nga plani atëherë prishet”.

“Projekti i BE-së është i detajuar dhe unë e kam ilustruar disa herë. Ne nuk na ka shkuar ndërmend që mund të ndodhë kjo gjë, e kemi parë kur është vendos, dhe kur u vendos ne reaguam”.

“Prandaj qeveria e ka ndalur puna dhe shkojnë proceduar e rrënimit”.

“Ne kemi lejuar që të ketë 80 centimetra lartësi, por të jetë me shkallë, do të jetë shumë bukur, do ketë edhe lule, sikur është edhe në pjesën e jugut”, ka thënë Bahtiri.