Shkollës i është marrë autonomia

Aktuale December 09, 2016 - 08:33

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka kërkuar nga koordinatorët për Sigurimin e Cilësisë në Shkolla që t’i inkurajojnë mësimdhënësit, që të përmirësojnë performancën. Këto komente Bajrami i bëri gjatë takimit me koordinatorët e komunave Prishtinë, Podujevë, Lipjan dhe Drenas.

“Koordinatorët për sigurim të cilësisë do të doja të jenë mësimdhënësit më të mirë që ka shkolla, mësimdhënës të karrierës, që e duan arsimin, të cilët do të jenë partner i fuqishëm i komunës, ministrisë, i prindërve dhe shoqërisë për të përmirësuar cilësinë”, ka thënë Bajrami.

Ministri i Arsimit duke folur për rezultatin e vlerësimit të PISA-s 2015, tha se Kosova ka nxënës shumë të mirë, inteligjentë dhe se ata munden më shumë, por ka kërkuar nga koordinatorët që të jenë shumë më kërkues ndaj drejtorëve të shkollave, drejtorëve të drejtorive komunale, ndaj inspektorëve të MASHT- it dhe faktorëve tjerë që të ndërtojmë një sistem funksional të ndërtimit të cilësisë.

“Ju ftoj që të jeni të pakompromis në sigurimin e cilësisë në raport me kolegët dhe drejtorët aty ku punoni”, theksoi ministri Bajrami. Ai tha se krijimi i një arsimi cilësor, është interes familjar, interes shoqëror e shtetëror dhe sipas tij, të gjithë duhet të punojnë që kjo gjendje, pas vlerësimit të PISA -s, të jetë një vetëdijesim kombëtar e jo një defetizëm. Gjatë ditës, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar ndaj institucioneve arsimore, qendrore e lokale, si dhe ndaj të tjerëve që të mos humbin kohë duke bërë me gisht e duke shpallur fajtorin, drejt mësimdhënësve.

“Ua kujtoj gjithë atyre “shpëtimtarëve” dhe vajtorëve se mësimdhënësit tanë kanë bërë gjithë të mundurën. U pajtuan me reformat dhe u munduan t’i vënë në jetë. U pajtuan të dërgoheshin në ngritje profesionale pa shkëputje nga puna, u pajtuan të shkojnë në trajnime e trajnime. Të tjerët vendosnin pa i pyetur mësimdhënësit për reformat, trajnimet dhe për eksperimente e eksperimente me klasat e 13-ta, me klasat e pesta e të nënta dhe me nguti të tjera...”,  thuhet në reagim.

SBASHK-u ka bërë të ditur se shkollës i është marrë gjithë autonomia. “Shkolla nuk pyetet as për pranim kuadrosh e as kush do të jetë menaxher apo drejtor. Nga prindërit dhe në emër të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve te nxënësit është krijuar bindja se ata mund të bëjnë çfarë t’u teket. Gjithë këto dhe shumë të tjera kanë ndikuar në këtë gjendje nga e cila dilet me angazhimin dhe pajtueshmërinë e të gjithëve. Të gjithë mësimdhënësit e Kosovës janë ndier keq me rezultatet e PISA-s dhe janë të gatshëm të marrin pjesën e vet të barrës për të përmirësuar gjendjen, por nëse mbesin vetëm në këto angazhime atëherë nuk ka si të priten ndryshime të mëdha pozitive”, thuhet në këtë reagim.

Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës përmes një komunikate është shprehur i zhgënjyer me rezultatet e testit ndërkombëtar të vlerësimit PISA, ku Kosova u rendit në tri vendet e fundit të botës.

“Edhe prindërit, sikur edhe institucionet shtetërore e komunale kanë pritur shumë më tepër nga ky vlerësim i cili edhe pse në vendin tonë aplikohet për herë të parë, rezultati është tepër shqetësues dhe tregon nivelin jo të mirë të arsimit në Kosovë”, thuhet në këtë reagim.

Këshilli i Prindërve apelon nga të gjitha organet relevante si; Qeveria e Kosovës,dhe Institucionet tjera të Kosovës që të angazhohen maksimalisht për përmirësimin e nivelit të arsimimit.