Mustafa thotë se ata që penguan liberalizimin e vizave duhet të turpërohen

Aktuale December 08, 2016 - 20:43

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, ka thënë se sot duhet të turpërohen të gjithë ata që, siç thotë ai, duke përdorur kauza të rrejshme, duke i’u referuar Demarkacionit me Malin e Zi, penguan liberalizimin e vizave.

“Sot është dita kur duhet të turpërohen të gjithë ata që duke shpikur dhe duke u bërë avokat të një kauze të rrejshme penguan liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa Ukraina dhe Gjeorgjia fituan për qytetarët e tyre”, ka shkruar kryeministri në Facebook, transmeton “Zeri.info”.

Ndryshe, sot Bashkimi Evropian njoftoi se Ukraina dhe Gjeorgjia, që ishin në fazë të njëjtë me Kosovën, kanë plotësuar kriteret për liberalizim, ndërsa Kosovës i duhet të plotësojë edhe dy kritere tjera, luftimin e korrupsionit dhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.