Kërkohet pakt kombëtar: Të shpallet arsimi i paprekshëm nga politika

Aktuale December 08, 2016 - 14:20

Kërkohet një pakt kombëtar për sektorin e arsimit. Ky pakt, duhet të shpallë arsimin të paprekshëm nga politika, riorientimin e investimeve në arsim dhe përkrahjen shumë më të madhe për mësimdhënësit. Këtë kërkesë e ka adresuar eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj.

Ai ka thënë për “Zërin” se ky pakt duhet të përfshijë edhe bashkëpunimin në nivel të shkollës, të mësimdhënësve e të nxënësve me kolegët nga Shqipëria e Maqedonia e më gjerë. “Cikli intervenues duhet të shtrihet në së paku shtatë vjet – me qëllim që në vitin 2021 të fillojnë efektet e para pozitive për së brendi por edhe në krahasim me fqinjët e me Evropën. Është krejtësisht iluzore të priten përmirësime për PISSA 2018 kur përfundoi vitit 2016, e kur dihet buxheti për vitit 2017”, thotë ai, raporton Zëri.info.

Rexhaj ka thënë rezultatet e PISA-s janë “maja e akullit” të problemeve të akumuluara me dekada në arsimin kosovar. Ai ka vlerësuar se e mira në mbajtjen e këtij testi është se Ministria ka lejuar mbajtjen e testit për të parë shkallën e degradimit të arsimit në Kosovë në të gjitha nivelet. “Për cilësinë e dobët duhet fajësuar të gjitha nivelet dhe faktorët. Arsimi në Kosovë nuk merret seriozisht nga asnjëra palë. U bënë dhjetë vite që në Kosovë pagat e arsimtarëve rriten në kohë të zgjedhjeve dhe pa asnjë kriter e asnjë dallim për të gjithë”.

Rexhaj thotë se vetëm në Kosovë themelohen pesë universitete për një javë, pa asnjë përgatitje, pa asnjë ndërtesë dhe me borde politike që nuk e dinë se çka do të thotë ai post. “Kujtoni se si e shkruan ‘prontoja’ historinë e Universitetit Haxhi Zeka në Pejë përmes zgjedhjes së anëtarëve injorantë të bordeve”. Për të kuptuar më mirë gjendjen e arsimit në Kosovë, ai thekson se mjafton fakti që “vetëm në Kosovën e varfër ndërtohen shkolla në çdo kodër për të mbledhë vota politike, vetëm në Kosovë emërohesh drejtor për besnikëri të verbër politike ndaj kryetarit të Komunës (më herët ka qenë ndaj ministrisë), vetëm në Kosovë mësuesi shkon në klasë vetëm me një shkumës... Ne e kemi humbur rrugën në oborr në arsimin tonë”. Por, ai thotë se nuk mund të jetë i kënaqur askush me nivelin e cilësisë në arsim në asnjë moment pas luftës.

“Mirëpo, problemi më i madh është se nuk ka pasur as ngritje graduale sado të vogël nëpër vite. Nëse e shikojmë me vëmendja do të vërejmë se cilësia në arsim bie me rritjen e nivelit arsimor, për ilustrim, shkolla fillore mbahet më mirë se sa shkolla e mesme e ulët e kështu me radhë deri tek universiteti”, raporton Zëri.info.

Rexhaj vlerëson se gjendja më e keqe është në arsimin e mesëm të lartë - për shkak të numrit të madh të nxënësve në klasë, diversitetit më të madh të programeve-drejtimeve dhe mungesës së kualifikimeve, si dhe trajnimeve cilësore për mësimdhënësit. “Për habi, politikanët kosovarë gjithmonë janë thirrur se kemi arsim të nivelit evropian. Kjo për mua gjithmonë ka qenë shumë e habitshme. Unë kam shpresuar se pas rezultateve të PISA-s njerëzit do të hiqnin dorë nga një sjellje e tillë. Por, për habi edhe këto ditë po shoh referenca të këtilla dhe premtime për përmirësime të shpejta”, thotë Rexhaj për “Zërin”.

Image

 Drejtorët, mësimdhënësit, profesorët zgjidhen nga politika Politika, ai përmend se ka rol vendimtar në degradimin e shkollës dhe universitetit në Kosovë.

“Nuk mund të emërohesh ose të zgjidhesh drejtor e profesor- mësimdhënës nëse nuk je luajalë ndaj partisë në pushtet në nivelin përkatës”. Madje, Rexhaj potencon bordet e universiteteve të reja. Në kohën që vlerëson se kërkohet sa më shumë ekspertizë që ta marrin veten në vitet e para të funksionimit, këto borde, sipas tij gëlojnë nga militantë partiakë krejtësisht injorantë për çështje të arsimit e të shkencës. “Përderisa më herët është fajësuar Ministria për emërimet e drejtorëve e të mësimdhënësve në shkolla tash këtë e bëjnë (në mënyrë edhe më katastrofike) kryetarët e komunave, madje duke i injoruar edhe drejtorët komunal të arsimit nga partia e tyre”, thotë Rexhaj.

Ndërsa apelon që para se të vlerësohen mësimdhënësit duhet të përkrahen, të bëhen pjesë e proceseve, të përfshihen në përcaktimin e qëllimit, natyrës dhe formës së testimit dhe pastaj të ndihmohen në përgatitje për testim. “Nëse nisemi nga përvoja e testit të maturës (rezultatet e së cilës nuk janë përdorur asnjëherë për vlerësimin e performancës së shkollës e të sistemit), atëherë këto teste ose të bëhen si duhet ose më mirë të mos bëhen fare”.

 Në universitete është bërë dëmi më i madh ndaj sistemit arsimor

Mirëpo, sipas Rexhajt Kosova investon mjete të konsiderueshme në arsim – nëse shikohen mundësitë shumë të kufizuara.

“Por, konsideroj se struktura e investimeve është shumë e gabuar. Duhet të kufizohen investimet kapitale në ndërtimin e shkollave dhe duhet të shtohen investimet kapitale në teknologjinë dhe materialet arsimore. Më duket se në Kosovë në 5-6 vitet e fundit ka rënë numri i nxënësve për më se 20 për qind. Ky trend i rënies së numrit pritet të vazhdojë edhe nja 7-8 vite për t’u stabilizuar pastaj”. Në këto rrethana, Rexhaj thotë se është e pakuptimtë të ndërtohen shkolla të reja kur me dhjetëra janë të zbrazura nëpër fusha e kodrina.

“Po ashtu duhet mbyllur shkollat satelitë urgjentisht sepse aty është ndër pikat kryesore të dobësive në arsimin tonë”, raporton Zëri.info Në disa hulumtime që ka bërë viteve të fundit, ai thekson në shkolla mungesën e teknologjisë arsimore dhe mjeteve materiale, mos-përgatitja për orë, mungesa e planifikimit dhe varësia ekskluzive nga libri janë problemet më të mëdha për cilësinë e tanishme. “Shteti duhet të merret me këto probleme dhe të përkrahë mësimdhënësit në tejkalimin e tyre”.

Po ashtu, në intervistën për “Zëri” Rexhaj thotë se Universitetet janë pjesë e ciklit vicioz të gjendjes katastrofike në arsimin kosovar.

“Në universitete edhe është bërë dëmi më i madh ndaj sistemit arsimor nëpërmjet të instrumentalizimit të tyre për diplomimin, avancimin dhe rehatimin e militantëve partiakë. Këtu ka ndodhur edhe degradimi më i madh i titullit dhe i statusit ‘profesor’”. Nëse do të ketë fatin e njëjtë ky rezultat i dobët i nxënësve nga shoqëria, siç rëndomë jemi mësuar vetëm pak ditë të debatohet dhe të harrohet, Rexhaj përgjigjet se në Kosovë nuk çmohet ekspertiza. “Vetëm do të doja që sulmet të mos zbrazen në mësimdhënësit Kosovarë - ata janë fajtorët e fundit”, ka thënë ai. /Zëri. info .