OVL e UÇK-së kundërshton ashpër ndërtimin e murit në Veri: Situata është afër eskalimit

Aktuale December 08, 2016 - 13:59

OVL e UÇK-së përmes një komunikate shpreh kundërshtimin e ndërtimit të murin në veri të Mitrovicës, duke thënë se që nga pas lufta, politikat vendore dhe ndërkombëtare i kanë lejuar serbët e Kosovës dhe strukturat paralele nga Serbia që të veprojnë paralelisht brenda shtetit.

Ata kërkojnë nga Qeveria të mos lejojnë më provokime të tilla, sepse situata është afër eskalimit.

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kundërshton ashpër ndërtimin e murit në urën mbi lumin Ibër të Mitrovicës, presionet e vazhdueshme, spastrimin etnik, mohimin e vazhdueshëm të të drejtave të shqiptarëve në veriun e Mitrovicës dhe lejimin e strukturave paralele atje.

Përmes komunikatës për media, ata thonë se që nga paslufta e deri më tani, politika vendore dhe ndërkombëtare, e ka lejuar minoritetin serb dhe strukturat paralele nga Serbia, që të veprojnë paralelisht brenda shtetit të Kosovës.

“Poashtu, në bisedimet e marrëveshjet e Brukselit, Kosovën e kanë dëmtuar skajshmërisht duke i favorizuar serbët për shkak të presionit të Serbisë”, thotë njoftimi.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që ta sqaroj opinionin publik se a është muri pjesë e marrëveshjes së dialogut dhe kërkojmë që muri të rrënohet sa më shpejt e mos të lejohen provokime të mëtutjeshme, sepse situata është afër eskalimit.