Murtezaj në Samitin e Ballkanit: Kosova është e përcaktuar qartë për vizionin evropian

Aktuale December 08, 2016 - 13:25

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Valon Murtezaj, ka marrë pjesë në Samitin e Ballkanit të mbajtur në Bruksel, që organizohet  nga “Friends of Evrope”.

Në fjalimin e tij, zëvendësministri Murtezaj ka theksuar se Republika e Kosovës tashmë e ka të qartë orientimin e saj drejt Bashkimit Evropian dhe për integrimin në këtë bashkësi ai ka kërkuar përkrahjen e BE-së.

“Kosova është e përcaktuar qartë për vizionin evropian dhe të integrimit. Secili qytetar dhe secila qytetare e Kosovës, dhe në veçanti të rejat dhe të rinjtë, meritojnë hapësirën evropiane ku do të kontribuonin si qytetarë evropianë të përkushtuar. Prandaj Evropa duhet të tregojë lidership dhe të ofrojë mundësitë praktike për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Murtezaj, transmeton "Zeri.info".

Në takimin vjetor për Ballkanin, si një nga takimet më të mëdha dhe të rëndësishme të këtij lloji, që organizohen në Bruksel, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së si, Komisioneri  për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, raportuesja e Parlamentit të Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, anëtari i Komisionit Evropian, Štefan Füle, ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe pjesëmarrës të tjerë nga fusha të ndryshme që lidhen me perspektivën e Ballkanit në Evropë.

Image

Image