Brahimaj: Qeveria dështoi në integrimin e vërtetë të veriut të Mitrovicës

Aktuale December 08, 2016 - 11:49

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka reaguar për vendosjen e murit në veri të Mitrovicës nga ana e serbëve të kësaj pjese të vendit.

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se ky muri i vendosur në Veri të urës së Ibrit, është plan i serbëve i ushqyer nga nacionalizmat false të Serbisë, që për target e ka ndarjen e Kosovës, transmeton “Zeri.info”.

“Veprime të tilla janë të papranueshme, qeveria, në vend se të patriotizohet përmes deklaratave, duhet të pranojë tërë përgjegjësinë, se kanë dështuar dhe të lirojnë rrugën, për t'i dhënë mundësi e për të krijuar shansin e integrimit të vërtetë të asaj pjese e për të garantuar një Kosovë unike”, ka shkruar ndër të tjerash Brahimaj.

Reagimi i plotë i Brahimajt:
 

Radhën e ka "Presidenti" me e inauguruar murin, si dhuratë të dialogut!

Muri i betonit në Veri të urës së Ibrit, është plan i serbëve i ushqyer nga nacionalizmat false të Serbisë, që për target e ka ndarjen e Kosovës.

Disa serbë po veprojnë sipas logjikës “Pink Floyd” - çdo veprim po e shndërrojnë në tullë, e çdo tullë në një rend në murin që i shmangë nga arsyeja e realiteti, duke u drejtuar në vetizolim e vetëshkatërrim.

Veprime të tilla janë të papranueshme, qeveria, në vend se të patriotizohet përmes deklaratave, duhet të pranojë tërë përgjegjësinë, se kanë dështuar dhe të lirojnë rrugën, për t'i dhënë mundësi e për të krijuar shansin e integrimit të vërtetë të asaj pjese e për të garantuar një Kosovë unike.

Në gjithë ketë zhvillim, ka munguar, me veprimin e vet, vetëm edhe "Presidenti" që t'ia vendoste gurthemelin, pas nderimit që i ka bërë "pllakës së viktimave të terroristëve shqiptarë".