Serbët me mur ndajnë veriun dhe jugun

Aktuale December 08, 2016 - 07:42

Në cep të urës nga pjesa veriore ka filluar ndërtimi i një muri të lartë mbi 2 metra, të cilin e kishte paralajmëruar kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, që në fillim të punimeve për revitalizimin e urës. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se ka alarmuar rastin në Bruksel, ndërsa ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka mbledhur në takim urgjent ekipin punues qeveritar për Marrëveshjen e Brukselit për urën

Një barrikadë tjetër, serbët e veriut të Mitrovicës janë duke e ngritur në cep të urës nga pjesa veriore. Në atë pjesë është duke u ndërtuar një mur i lartë 2.3 metra, i cili do ta ndajë fizikisht Mitrovicën në dy pjesë. Ngritja e murit ishte paralajmëruar që me fillimin e punëve në revitalizimin e urës nga vetë kryetari i Mitovicës së Veriut, Goran Rakiq. Ai pati thënë se me fillimin e punëve në revitalizimin e urës do të fillojë edhe revitalizimin e rrugës “Mbreti Peter”, në veri të Mitrovicës, që shtrihet deri tek ura. Rakiq u pati thënë atëherë medieve serbe, se shqiptarët nuk do të mund të kalojnë me vetura urën dhe të shkojnë në pjesën veriore të qytetit.
“Eshtë paraparë që me makina mund të lëvizet vetëm djahtas për në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe majtas për në Suhadoll. Ne do ta ngrisim një mur të lartë tek rrethrrotullimi, i cili do të pengojë shqiptarët që vijnë nga jugu, që me vetura të mos mund të flutorojnë përmbi rrrethrrotullim dhe të dalin në zonën e këmbësorëve për t’i rrezikuar qytetarët”, pati thënë Rakiq. Ai madje pati precizuar se kjo masë (nuk tregonte se do të bëhet mur) do të jetë e lartë mbi 2 metra, “dhe se shqiptarët do ta kenë vështirë të kalojnë mbi të”.

Muri, prish planet e BE-së

Megjithëse askush nuk i kishte marrë seriozisht fjalët e Rakiqit, pasi që revitalizimi i urës ishte planifikuar të bëhej sipas një projekti të BE-së, ndërtimi i këtij muri tashmë ka filluar në shpërputhje të plotë me projektin e BE-së për rivitalizimin e urës. Edhe tani, të mërkurën, Rakiq ka thënë se aty nuk po ndërtohet kurrfarë muri. “Aty nuk po punohet asgjë më shumë e as më pak se sa parashihet me projektin për revitalizimin e urës për të cilin janë dakorduar në Bruksel, Prishtina e Beogradi. Aty është duke u bërë nivelizimi i zonës për këmbësor nëpër të cilën nuk do të mund të kalojnë automjetet”, ka ripërseritur Rakiq, të mërkurën.

E ndërkaq, i pari që kishte vërejtur se po ndërtohej mur në atë pjesë ishte kryetari i shoqatës për të pagjeturit “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkinaj, i cili bashkë edhe me anëtarë të komisioit për të pagjeturit dhe zyrtarë të Mjekësisë Ligjore kishin shkuar për të marrë pjesë në fillimin e hulumtimit të vendit ku ishte e ndërtuar xhamia, e ku dyshohet për varrezë masive.

“Unë si anëtar i Komisionit Qeveritar për të Pagjetur dhe kryetar i KKASHZHK-së kam shprehur pakënaqësinë në vendngjarje dhe i kam kritikuar ata pse nuk po fillonin me gjurmimin e vendit ku ndodhej xhamia, e ku dyshohet, në bazë të dëshmitarëve të gjallë se ka trupa të shqiptarëve të vrarë. Në atë pjesë, tani kemi gjetur edhe ndërtime. Të gjithë që ishim aty kemi parë se në lokacionin ku ndodhej xhamia e Ibrit, tani është ndërtuar një mur në lartësi 2 metra e 32 centimetra, pikërisht aty ku dyshohet por edhe ka dëshmi se ka mbetje mortore. Më 25 nëntor së bashku me Policinë e Kosovës, që përcjell punën e Mjekësisë Ligjore, dhe me zyrtarët e EULEX-it, nga Njësia e Mjekësisë Ligjore, ishim te vendi në të cilin do të duhej të fillonin hulumtimet dhe të gjithë pamë dhe vërtetuam se brenda lokacionit të hapësirës së xhamisë është ndërtuar muri i lartë gati 3 metra”, i pati thënë “Zërit” Çerkinaj.

Nuk e lejojmë ndërtimin e këtij muri

Ka reaguar edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ai tha se ngritja e këtij muri është në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe nuk përputhet me projektin për revitalizimin e urës. “Ky mur është duke u ngritur në kundërshtim me projektin e BE-së për urën dhe kundër marrëveshjes për urën në Bruksel. Unë e lajmërova Brukselin për këtë mur që po ndërtohet. Gjithësesi BE-ja nuk do të lejojë kurrfarë muri që ndan qytetin”, ka thënë Bahtiri, të mërkurën.

Ndërkaq, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, me të marrë reagimet, ka deklaruar se muri në veri të Mitrovicës është në kundërshtim me ligjet dhe më Marëveshjen e Brukselit. Ministrja Tahiri ka mbledhur urgjentisht Ekipin Punues qeveritar për Marrëveshjen e Brukselit për heqjen e barrikadës nga ura e Ibrit dhe revitalizimin e saj.

Ajo ka thënë se ka mbledhur grupin për të trajtuar disa zhvillime shqetësuese në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës që lidhen me ngritjen e një muri në mënyrë ilegale dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Bruskelit, si dhe masat ligjore që po ndërmerren nga Qeveria për të ndaluar këtë ndërtim ilegal dhe për të mposhtur logjiken e mureve dhe të barrikadave, që janë në kundështim me ligjet e Kosovës dhe standardet e BE-së për lëvizjen e lirë.

 Qeveria do ta ndalojë ndërtimin e këtij muri

Tahiri ka thënë se qysh të mërkurën janë marrë masat e para, pasi që Policia e Kosovës është dërguar për ta inspektuar lokacionin, ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka dërguar inspektorët e urbanizmit në terren  për të inspektuar zhvillimet.

Pas takimit, ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka dhënë një deklaratë për medie, nëpërmes të cilës ka treguar për masat që janë ndërmarrë dhe që do të ndërmirren për ta parandaluar ndërtimin e këtij muri.

“Zhvillimet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës në lidhje me ndërtimin e një muri janë zhvillime shumë shqetësuese dhe mund të kenë pasoja destabilizuese për gjendjen në atë pjesë të vendit tonë, duke cenuar gjithë arritjet e deritashme për të vendosur normalitet, stabilitet dhe rend. Ndërtimi i këtij muri është një veprim ilegal dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për revitalizimin e urës së Ibrit dhe si i tillë do të ndalet dhe rrënohet”, ka thënë ministrja Tahiri.

Koha e mureve, sipas saj, ka kaluar dhe tani është kohë e lëvizjes së lirë “dhe heqja e barrikadës nga ura e Ibrit i dha fund epokës famëkeqe të barrikadave”.

“Ne nuk do të lejojmë mure e barrikada të reja, sepse ato bien ndesh me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjen e Brukselit. Qeveria e Kosovës do të veprojë me forcën e ligjit për të ndalur punimet në atë pjesë të qytetit si dhe për të rrënuar këtë mur. Mbrëmë kam njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian për këto zhvillime negative duke ia bërë me dije se këto ndërtime po bëhen në mënyrë ilegale, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit si dhe po realizohen nga strukturat paralele komunale të dirigjuara nga Serbia”, tha ajo.
Ministrja për Dialog tha se e ka tërhequr vërejtjen se këto zhvillime janë destablizuese dhe se pakënaqësia dhe tensionet janë në ngritje, “andaj duhen masa të shpejta ndaluese, sepse kjo mund të cenojë arritjet e deritashme të dialogut të Brukselit”.

“Po ashtu, kam biseduar me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova së cilës ia ngrita këto shqetësime. Një delegacion i BE-së do të arrijë sot në Kosovë dhe kjo do të jetë tema kryesore e takimit tonë”, ka thënë mes tjerash ministrja për Dialog, Edita Tahiri, pas takimit me Ekipin Punues qeveritar për Marrëveshjen e Brukselit për urën.