Pas rezultateve të PISA-s, Qeveria e Kosovës miratoi Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021

Aktuale December 07, 2016 - 14:39

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka mbajtur mbledhjen e 119 të rregullt, në të cilën ka miratuar ndër të tjera Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021.

Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës. Me këtë Projektligj mundësohet krijimi, mbledhja si dhe shkëmbimi i informacioneve të centralizuara me vendet tjera sipas praktikave të Bashkimit Evropian. Bëhet përcaktimi i qartë i përgjegjësive të strukturave qeverisëse të Kosovës si dhe i kompetencave për krijimin, grumbullimin dhe shkëmbimin e informacioneve gjeohapësinore në Republikën e Kosovës.

U aprovua edhe Projektligji për Ndërmjetësim, i cili rregullon parimet dhe procedurën e ndërmjetësimit, kushtet dhe regjistrimin e ndërmjetësuesit, të drejtat dhe detyrimet e palëve dhe ndërmjetësuesit, njohjen e ndërmjetësuesit të huaj si dhe dispozitat ndëshkimore.

Edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e “Marrëveshjes për Themelimin e Programit Kornizë për Bashkëpunimin Financiar” ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë, mori aprovimin e kabinetit qeveritar.

Qeveria e Kosovës miratoi, po ashtu, vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Rrugës Lidhëse me Rrugën Nacionale N9 Prishtinë-Pejë, zona Kadastrale Kijevë, Komuna e Malishevës.

Aprovimin e Qeverisë e mori edhe nisma për negocimin e “Marrëveshjes për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe Kapitalin” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatës së Madhe të Luksemburgut. Kjo marrëveshje synon eliminimin e tatimit të dyfishtë për të njëjtën kompani ose të njëjtin person fizik për të ardhurat e njëjta në këto dy shtete si dhe unifikimin e bazës tatimore kur është fjala për aktivitetet biznesore ndërkombëtare.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës, ndau mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve për shërim. Zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi tha se Zyra e Kryeministrit ka marrë një kërkesë nga deputeti Bardhyl Meta, i cili është për shërim jashtë vendit, në Gjermani dhe i cili ka nevojë për mbulimin e shpenzimeve në shumën prej 34 mijë e 204 euro. Në koordinim të plotë edhe me Kryeministrin dhe me ministrin e Financave jemi pajtuar që të ndajmë këtë pjesë.

Kryeministri Mustafa lidhur me ndarjen e këtyre mjeteve financiare tha se vetëm t’ju informoj se për deputetin Meta, Ministria e Shëndetësisë, e ka ndarë një shumë. Ai ju ka nënshtruar një operacioni, duhen edhe mjete tjera për arsye se ato nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe për këtë arsye ne tani e kemi marrë kërkesën meqenëse është fjala për një deputet që ta japim edhe kontributin tonë si Qeveri.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar edhe Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, gjatë mbledhjes e ka vlerësuar si shumë të arsyeshme që në këtë mbledhje ishte vënë për miratim Plani Strategjik i Zhvillimit të Arsimit, një ditë pas vlerësimit ndërkombëtar PISA, i cili ka nxjerrë rezultate jo të kënaqshme për sistemin arsimor.

“Tani po shihet se vlerësimet tona në fillim të mandatit që niveli i cilësisë në arsim nuk është në nivel të dëshiruar, kanë qenë të sakta dhe ne ende pa dalë ky vlerësim, që ka ndodhur në muajin prill 2015, kemi miratuar shtatë shtyllat preventive, të cilat do të ndërtojnë një politikë kombëtare për përmirësimin e sistemit arsimor.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Sigurimin e Cilësisë, kurse në ndërkohë është përfunduar procesi i rishikimit të pilotimit të kurrikulave dhe kurrikula do të jetë në nivel kombëtar. Poashtu ka përfunduar procesi i rishikimit të teksteve shkollore. Është aprovuar Korniza Kombëtare e Zhvillimit Profesional të Trajnimit dhe Ndërtimit të Karrierës së Mësimdhënësve. Është miratuar legjislacioni i nevojshëm dhe sot po e diskutojmë një dokument shumë të rëndësishëm, të cilin unë do ta prezantoj. Mendoj se vlerësimi i PISA-s është momenti i fundit i një vetëdijesimi të përgjithshëm shtetëror, shoqëror dhe kombëtar për trajtimin e arsimit si prioritet kryesor kombëtar, sepse duke e trajtuar arsimin si prioritet numër një në nivel kombëtar, ne do të sigurojmë zhvillim ekonomik, do të mundësojmë punësim, mirëqenie dhe do të mundësojmë shërbime të mira publike, për çfarë edhe jemi të obliguar. Andaj, me këtë rast, bëj apel të përgjithshëm shoqëror, për të gjithë faktorët relevantë që edukimi dhe arsimi të trajtohen si prioritet kryesor kombëtar edhe në politikat e buxhetit, edhe në ato investive, sepse vlerësoj se në periudhën pas pavarësisë, ndërtimi i një sistemi cilësor të edukimit, është një nga prioritetet kombëtare që duhet të fokusojë të gjitha institucionet”, tha ministri Bajrami.

Më tej, ministri Bajrami, ka bërë arsyetimin e Planit Strategjik të Zhvillimit të Arsimit për periudhën 2017-2021.

“Ky Plan Strategjik është dokumenti bazë për zhvillimin e sektorit të arsimit në Kosovë për periudhën 2017-2021. Qëllimi i këtij plani është të përcaktojë kahet e zhvillimit të sistemit të arsimit për periudhën 2017-2021, në mënyrë që arsimi të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Si i tillë, Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë, është në përputhje të plotë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe përfshinë:

Masat që kanë të bëjnë me rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin parashkollor,
Rritjen e kualifikimit dhe përgatitjen e mësimdhënësve, përmirësimin e relevancës dhe ofrimit të shkollimit për kërkesat e tregut të punës si dhe
Formimit të mekanizmave të llogaridhënies përmes vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, inspektimit të teksteve të jashtme

Janë tri shtyllat kryesore të këtij plani:

Gjithpërfshirja
Cilësia dhe
Llogaridhënia

Në fushën e gjithpërfshirjes janë arritur sukseset e pamohueshme. Kosova mund të krahasohet me secilin vend në rajon, madje edhe me shumë vende të zhvilluara evropiane në aspektin e fëmijëve dhe të rinjve në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Megjithatë, gjatë pesë viteve të ardhshme, ky plan parasheh masat për të përmirësuar përfshirjen e fëmijëve në edukimin parashkollor, pasi që kjo periudhë jetësore është shumë e rëndësishme për zhvillimin e personalitetit.

Ne kemi obligim të ndikojmë për një sistem arsimor që ofron cilësi, sepse duam që Kosova të jetë një shoqëri, e cila zhvillimin e vetëm e bazon në dije, ndërsa qytetarët e saj të posedojnë njohuri dhe shkathtësi që e bëjnë të pabesueshëm në vend ashtu edhe jashtë vendit. Përmes cilësisë ne e zhvillojmë ekonominë tonë, krijojmë vende pune, në përgjithësi bëhemi konkurrentë në rajon dhe në botën globale. Prandaj, Plani parasheh zbatimin e kurrikulës, të bazuar në kompetenca, të pajisë shkollat me teknologji të informacionit dhe përmirëson cilësinë e teksteve arsimore mbi të gjitha përmirëson cilësinë e mësimdhënies në të gjitha nivelet e sistemit arsimor. Ndërkaq, në arsimin e lartë, bën fuqizimin  e mekanizmave të cilësisë, duke i zbatuar me përpikëri kriteret dhe procedurat e akreditimit dhe duke i ndihmuar institucionet e arsimit të lartë që t’i përmbushin standardet e cilësisë.

Shtylla e tretë është më e rëndësishme dhe nënkupton funksionin e llogaridhënies, që është parakusht për mirëfunksionimin e sistemit të arsimit. Përderisa, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është përgjegjëse për ndërtimin e politikave, kurrikulave, inspektimit dhe në përgjithësi në krijimin e kushteve optimale për punën në shkollë, komunat janë përgjegjëse për perfomancën e shkollave, ndërkaq, shkollat dhe personeli i saj janë përgjegjëse para komunitetit për suksesin e fëmijëve. Prandaj, ky plan, parasheh që bashkë me komunat të ndërtojmë një sistem, i cili ofron llogaridhënie funksionale në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit, duke përfshirë përmirësimin e menaxhimit të shkollës, funksionalizimin e sistemit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës së shkollave, si dhe rritjen e besueshmërisë së testeve kombëtare, që kanë të bëjnë me vlerësimin e njohurive, shkathtësive të nxënësve.

Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë është rezultat i punës ekipore dhe pjesëmarrjes së gjerë të të gjitha palëve me interes, si autoriteteve lokale, institucioneve arsimore, partnerëve zhvillimorë, organizatave të shoqërisë civile dhe shumë faktorëve tjerë relevantë.

Vlerësimi i kostos së Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë, është rezultat i një procesi të gjerë të konsultimeve brenda institucioneve të Kosovës, por edhe me partnerët zhvillimorë dhe me shoqërinë civile.

Me këtë rast, janë marrë parasysh nevojat e vendit për zhvillimin e mëtejmë të sistemit arsimor, të siguroj nga fakti që Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. Janë marrë parasysh edhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2017-2019, si dhe gatishmëria dhe planet e donatorëve për të mbështetur arsimin në Kosovë.

Prandaj, sigurimi i fondeve për zbatimin e PSA-së, nënkupton një rishikim të mundësive buxhetore të Qeverisë dhe konsultimeve plotësuese me donatorët dhe komunat, të cilat mendohet që mund të sigurojnë edhe pjesë të fondeve.

Duke qenë një nga dokumentet më të rëndësishme pas Planit Strategjik Zhvillimor, kërkoj që ky plan të miratohet dhe nga miratimi i këtij plani pastaj Ministria e Arsimit të ndërtojë të gjitha politikat publike adekuate, në mënyrë që vlerësimi i ardhshëm PISA, i cili do të reflektojë punën e këtij mandati qeveritar të del shumë më i suksesshëm. Mendoj që ky vlerësim ka ardhur në kohën e duhur, pas një situate më shumë se dy dekada ku s’kemi pasur vlerësime të jashtme kredibile.

Është me rëndësi që rezultati është real, është me rëndësi që Qeveria po e merr me shumë seriozitet, sepse në ditët kur ne po e miratojmë Planin Strategjik të Zhvillimit të Arsimit, po e trasojmë edhe rrugën që vërtet të kemi përmirësime në sistemin arsimor dhe të zëmë hapin me rajonin dhe me shtetet tjera në vlerësime që do të pasojnë në vitin 2018, e sidomos në vitin 2021, ku do të shihet efekti i politikave që kemi ndërtuar gjatë këtij mandati qeveritar”, tha ministri Bajrami.

Ministri Avdullah Hoti duke e përgëzuar Ministrinë e Arsimit dhe ministrin Bajrami për përgatitjen e këtij plani strategjik, ka theksuar që deri në rishikimin e buxhetit në qershor të vitit të ardhshëm, të organizohet një konferencë e donatorëve, në shkurt apo mars të vitit të ardhshëm, për të parë kontributin e secilit prej donatorëve në mbështetjen e komponentëve të ndryshme të këtij Plani.

Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast ka thënë se tashmë ka një vlerësim që është bërë nga PISA lidhur me arsimin në Kosovë, i cili tregon se duhet të bëhet shumë më shumë në këtë fushë.

“Kemi tani këtë plan strategjik dhe unë pajtohem që t’i mobilizojmë të gjitha fondet dhe të gjitha mundësitë e kësaj pjese që është pjesë materiale që të mos mungojë. Por, pastaj duhet të shohim edhe ndërhyrjet që duhet t’i bëjmë pjesës programore me pjesën profesionale që e mbajnë këtë proces mësimor, sepse domosdoshmërisht duhet të krijojmë të gjitha kushtet për të pas rezultate më të mira”, tha kryeministri Mustafa.

Qeveria e miratoi edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, ku palë kontraktuese janë vendet e Vishegradit, Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia.

Fondi i Ballkanit Perëndimor ka për qëllim që të promovoj zhvillimin dhe bashkëpunimin në mes të shteteve të Vishegradit dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, forcimin e lidhjeve bilaterale në mes të këtyre vendeve, mbështetjen e integrimit në Bashkim Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe prezantimin e përbashkët të palëve nënshkruese në vendet e treta. Pjesë e këtij vendimi ishte edhe ndarja e mjeteve financiare në vlerë prej 30 mijë eurosh të cilat i paguan MPJ për të përmbushur nga ana e shtetit kontributin financiar për pjesën operacionale të vitit 2016 me Fondin e Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë.

Kryeministri Isa Mustafa, gjatë mbledhjes, ka folur për rishpërndarjen e mjeteve që po teprojnë të cilat nuk mund të shpenzohen nëpër ministritë përkatëse dhe nëpër komuna.

“I kemi disa nevoja shumë të mëdha veçmas te veteranët dhe disa shpenzime që në disa pagesa që duhet t’i bëjmë, do të thotë edhe ministrive që u kemi marrë mjete gjatë rishikimit të buxhetit duhet t’i kthejmë te disa pagesa.

Unë kisha lutur ministrat përkatëse që të bëni përpjekje maksimale dhe të vlerësoni se sa mjete do të shpenzoni gjatë këtij viti, në mënyrë që mjetet të cilat nuk mund t’i shpenzoni t’i rishpërndajmë për këto nevoja, që janë nevoja themelore. Unë jam për atë që ne të bëjmë përpjekje që deri të premten ta bëjmë këtë dhe të premten ta mbajmë edhe një mbledhje të Qeverisë në mënyrë që të krijojmë kushte që edhe disa komuna që kanë pagesa dhe disa detyrime tjera që i kemi t’i kryejmë. Çështja e dytë ka të bëjë me Buxhetin për vitin 2017. Ne e kemi aprovuar në Qeveri por po ashtu të bëjmë edhe njëherë përpjekje që çka kemi për ndarjen e barabartë të buxhetit ose për ministritë dhe komunat të bëhen përpjekje maksimale që edhe ajo të arrihet, në mënyrë që buxheti të shkoj. Është mirë që e ka kaluar Komisionin Parlamentar, por unë konsideroj që asnjë arsye nuk e kemi që të mos kemi krejtësisht një trajtim të barabartë për gjitha nevojat që ne vlerësojmë dhe t’i ndihmojmë edhe Komisionit Parlamentar edhe Kuvendit që ai të kaloj sa më shpejtë”, tha kryeministri Mustafa.