Alarmante: Kosova, e 70-ta për cilësi të arsimit

Aktuale December 07, 2016 - 08:05

Kosova është renditur në mesin e tri vendeve të fundit në raportin e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve/Studentëve (PISA). Në lexim Kosova arriti një mesatare prej 347 pikëve duke u renditur kështu në vendin e fundit me pikë të njëjta me Libanin. Kurse, në matematikë arriti një mesatare prej 362 pikëve duke lënë prapa vetëm Algjerinë dhe Republikën Dominikane. Edhe në shkencë ka lënë prapa vetëm këto dy shtete pasi arriti një mesatare prej 378 pikëve. Pra në të tria fushat e testimit Kosova është nën rezultatin mesatar.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se ky rezultat nuk është i papritur, por duhet përmirësuar gjendja aktuale në arsim.

“Rezultati nuk është i papritur, ishte ky që kishim parashikuar. Kemi shumë nevojë që të përmirësojmë gjendjen aktuale. PISA 2015 ka ndodhur pasi unë kam marrë mandatin si ministër dhe kjo nuk do të thotë se gjendjen e njëjtë do ta kemi edhe më 2018-n kur të mbahet testimi i ardhshëm, pasi kemi miratuar strategjinë kombëtare për ngritje të cilësisë, rishikimin e teksteve, kurrikulat e reja etj”, është shprehur Bajrami.

Më tej ai ka thënë se nuk do t’i kundërshtojnë rezultatet, por do të presin rezultate më të mira. “Punë të madhe në këtë aspekt kanë mësimdhënësit sepse përkushtimi i tyre do të ndikojë në ngritjen e cilësisë. Kemi borxh të madh që nxënësve t’u krijojmë kushte të mira për mësimnxënie. Ne nuk do t’i kundërshtojmë rezultatet, por presim rezultate më të mira në të ardhmen”, ka shtuar Bajrami.

Në anën tjetër, opozita dhe shoqëria civile kanë dhënë kritika të shumta për Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë në përgjithësi.

Ndryshe, Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve/Studentëve (PISA) është një studim ndërkombëtar që organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) çdo tri vjet (që nga viti 2000), në të cilin marrin pjesë shumë shtete dhe ekonomi botërore. Në vitin 2015 morën pjesë 72 shtete dhe ekonomi, duke përfshirë edhe Kosovën, e cila mori pjesë për herë të parë në këtë studim.

Vlerësimi i PISA-s ka të bëjë me vlerësimin e kompetencave të përgjithshme të nxënësve në këto tri fusha: lexim, matematikë dhe shkencë, përkatësisht sa janë të përgatitur nxënësit që t’i zbatojnë në jetën reale njohuritë dhe shkathtësitë e mësuara gjatë shkollimit në këto fusha.

Këtij testimi i janë nënshtruar nxënësit 15-vjeçarë. Kosova ka marrë pjesë në PISA për herë të parë më 2015, ku janë përfshirë 28 komuna, 225 shkolla dhe 5161 nxënës. Singapori dhe Japonia kanë dalë më të suksesshmet në këtë raport.