Bajrami: Arsimi në Kosovë i nivelit të vendeve të rajonit

Aktuale December 06, 2016 - 18:16

Minsitri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se rezultatet e Kosovës në testin PISA, që vlerëson njohuritë e nxënësve të shteteve të ndryshme, kanë qenë të pritshme.

Kosova u rendit në pozitën e 68-të nga 70 sish, në testimin që matë njohuritë e 15 vjecarëve në sfera të ndryshme, por ministri Bajrami nuk e sheh shumë shqetësues këtë fakt.

Ai ka kërkuar që këto rezultate të pranohen normalisht, pasi arsimi në Kosovë është përballur me shumë sfida deri tani, ndaj ngritja e nivelit nuk është punë e lehtë, njofton Klan Kosova.

“Ky vlerësim duhet të merret krejtësisht realisht sepse reflekton gjendjen e arsimit në Kosovë për dy dekada. Që nga fillimi i mandatit kemi thënë se i vetmi kriter për të punuar në sistemin arsimor ka qenë cilësia. Pritjet e ministrisë nuk kanë qenë më të mëdha, sepse e dimë gjendjen në arsim. Kemi pasur shumë vjet kur kemi mundur të flasim vetëm për mbijetesë të sistemit arsimor, e përcjellë me një tjetër periudhë administrimi ndërkombëtar. Tek vonë ne kemi filluar të punojmë në ngritjen e cilësisë në arsim. Ky duhet të jetë alarm për të gjithë, për rritjen e investimeve në arsim”.

“Niveli i cilësisë së arsimin nuk është i kënaqshëm. Këtë gjë e kam thënë nga fillimi. Dhe kjo nuk refleton vetëm mandatin tim, pasi ky test është i muajit prill të vitit të shkuar, ndërsa unë në janar e pata marrë mëndatin. Që atëherë kemi bërë disa punë në ngritjen e cilësisë së arsimit, nisur me strategjinë, dhe rezultatet e këtyre punëve mund të shihen në testin PISA 2018, ose më qartësisht në testin tjetër PISA 2021”.

“Orientimi i qeverive të kaluara në rindërtimin e shkollave ka qenë i arsyeshëm, sepse kemi pasur mungesë të ambienteve arsimore. Po ashtu edhe përmirësimi i pagave të punëtorëve të arsimit. Por nuk është në mandatin e qeverisë që të përmirësojë cilësinë në arsim. Këtë gjë duhet ta bëjnë shkollat. Duhet një konsensus kombëtar për këtë cështje; që të gjithë të punojnë në këtë drejtim”.

“I tërë sistemi arsimor ka nevojë për ngritje substanciale të cilësisë. Nuk mund të themi që duhet vetëm në sektorë të caktuar. Dhe ne jemi duke punuar fort në këtë drejtim”.

“Tek ne nuk kemi pasur as përgatitje për këtë test, sic bëjnë vendet tjera, që shpërndajnë praktikume, dhe teste të ndryshme në mënyrë që të jenë të gatshëm për këtë test. Por ne jemi në nivelin e vendeve të rajonit. Jemi afër me Maqedoninë, me Serbinë. Madje Serbia ka refuzuar të jetë pjesë e këtij testi, sepse ka vlerësuar se nuk ka qenë e gatshme për të”.