Pupovci shpjegon testin e PISA's: 15 vjeçarët tanë ngecin 3 vjet shkollim pas atyre të vendeve të zhvilluara

Aktuale December 06, 2016 - 14:57

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë se testi i PISA’s ka treguar se nxënësi mesatar në Kosovë i klasës së nëntë mund të krahasohet me një nxënës të klasës së gjashtë nga vendet e industrializuara përkrah aftësisë për të zbuluar njohurinë e vet në zgjidhjen e problemeve praktike

Testi PISA ka treguar se Kosova është radhitur pothuajse e fundit sa i përket nivelit të arsimit dhe arritshmërisë, shkruan Express.

“Nëse krahasohemi me Shqipërinë dhe Malin e Zi, nxënësit tanë ngecin për 1 ose 2 vite shkollimi në raport me nxënësit e këtyre vendeve”, ka shkruar Pupovci.

Shkrimi i plotë i Dukagjin Pupovcit:

Testi PISA tregoi se nxënësi mesatar kosovar i klasës së nëntë mund të krahasohet me një nxënës të klasës së gjashtë nga vendet e industrializuara përkah aftësia për ta zbatuar njohurinë e vet në zgjidhjen e problemeve praktike. Ndërkaq, nëse krahasohemi me Shqipërinë dhe Malin e Zi, nxënësit tonë ngecin për 1 ose 2 vite shkollimi në raport me nxënësit e atyre vendeve. Nga 72 vende pjesëmarrëse në këtë test, Kosova ndan vendin e fundit në lexim me Libanin, ndërsa në matematikë dhe shkenca të natyrës lë prapa vetëm Algjerinë dhe Republikën Dominikane. Në përmbledhje, një konfirmim i hidhur i realitetit në të cilin ndodhet arsimi në Kosovë.

Asnjë nga 5,161 nxënësit 15-vjeçarë që morën pjesë në test nuk arritën të kualifikohen në mesin e atyre që shquhen me performancë të lartë (nivelet 5 dhe 6), ndërsa 77% nuk e arritën nivelin minimal në fushën e leximit. Ju erdhi fundi broçkullave të tipit “Ne jemi më të mirët në Ballkan – tani synojmë Evropën” ose “Të rinjtë tonë tregojnë sukses të jashtëzakonshëm në botë”. Tani është koha për një reflektim të thellë për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi në Kosovë, për ndryshime rrënjësore që nuk do të na lënë në bisht të Evropës. /GazetaExpress/