Bashkimi Demokratik për Integrim

Aktuale December 05, 2016 - 17:55

PROFILE SUBJEKTESH I

Bëni luftë dhe rezultoi «Marrëveshjen e Ohrit», të cilën as 10% nuk e realizoi. Nuk e lanë apo s'pati kapacitete? BDI mund të tkurret por mbetet e para.

ORIGJINA –  Në vitin 2002, njëri ndër akterët e rrethit të ngushtë të të gjitha protestave dhe luftërave shqiptare (të spektrit të majtë) që nga viti 1982 e deri më 2001, Ali Ahmeti themeloi partinë BDI. Hyrja në politikë aktive të shtetit, të cilin deri atëherë nuk e pranonte as si ekzistencë,  u arsyetua me detyrimin për ta realizuar «Marrëveshjen e Ohrit», e cila u nënshkrua me garanci të ndryshme ndërkombëtare. Strukturat e para të partisë ishin njerëz që kishin luftuar, ndihmuar apo simpatizuar me kryengritjen e armatosur.

REKRUTIMI - Starti i kësaj partie ishte përmbysje masive e partive tjera me origjinë shqiptare, të cilat kishin qenë në pushtet deri atëherë dhe të cilat u braktisën aq furishëm sidomos për shkak të asistencës që i bënin pushtetit edhe kur vriteshin nxënës rrugëve të qyteteve shqiptare. Kyçja e masave në parti ishte punë e lehtë, ngase euforia e luftës kishte prekur gjitha zonat e mundshme brenda hartës etnike shqiptare. Ka vite që BDI nuk i jep zor për të anëtarësuar njerëz të rinj ngase ka kuptuar po atë metodë që përdoret edhe nga Gruevski dhe në Kosovë: të kapurit me vende pune, administrata, bizneset janë njëmijë herë më gjeneruese vote sesa edhe po anëtarësove gjithë popullin përnjëherë.

Më pak se partitë tjera BDI ka operuar me kapjen e medieve ose bërjen e tyre. Kjo duket se i kushton në këto zgjedhje, ku një parti e sapodalë operon direkt me media të veta e tërthorazi edhe me mediat më të mëdha që vetëkamuflohen si të pavarura. Shoqëri civile shqiptare atje nuk ka dhe s'ka as çka të korruptonte.

LIDERI – Ali Ahmetit sidomos i kontestohet intelektualiteti. Veçanërisht nga simpatizantët e ish redaktorit ideologjik të filmit në RTP e më vonë kryetarit të PDSH në Maqedoni Arbën Xhaferi, figura e  kërçovarit më diplomën e fakultetit filozofik të Prishtinës (1983) përshkruhet si arkaike me nofka si «çoban», «i padijshëm» e të llojit. Epitetone këto që shpërndahen nga dy kategori: nga mëçobanët se sa që mund të ishte njëri me një biografi aq të dendur brenda çështjes shqiptare dhe nga ana tjetër nënçmohet nga kasta e pasardhësve të funksionarëve jugosllavë me media në Prishtinë, të cilët me zor donin ta shpallnin Arbër Xhaferin filozof nacional edhe pse nuk ishte aspak i tillë dhe që urrejnë Ahmetin pse ia zuri vendin në politikë. 

Ali Ahmeti nuk intelektual, siç konceptohet nga mendësia shqiptare. Përkundrazi ai operon me një retorikë që kozmetikisht përforcon fyerjet e «zbuluesve të dijes» nga Prishtina e Shkupi. Në politikën si «intrigë dhe lojë shahu» shihet se është më shumë se naiv. Më shumë se i lejohet një njeriu me përgjegjësi aq të madhe. Jo vetëm Gruevski e heq për hunde por më shumë strukturat që mban rreth veti, të cilat e keqpërdorin si të duan. E kjo më shumë se çështje inteligjencie është çështje harxhimi si subjekt ndikues dhe rezultat i një apatie personale.

FINANCIMI – Gjatë qenies në pushtet BDI ka «përvetësuar» plotë biznese të mëdha, sidomos komunave. Pothuaj shumica e pronarëve në Pollog e gjithandej ku ajo ka pushtetin financojnë partinë BDI për t'i ruajtur privilegjet e tyre duke shkelur edhe rregullat e zhvillimit të konkurrencës në tregut e lirë. Krahasuar me këto financime kontributet e anëtarësisë dhe të ardhurat nga pjesëmarrja në pushtet janë qesharake. Me një lider që s'merr vesh nga paret dhe jeton si ata revolucionarët latinoamerikanë të shekullit të kaluar këto biznese moti kanë tejkaluar të lejueshmen dhe mund të flitet për kapje e korrupsion, i cili ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë. Në këtë drejtim rrethi i Ali Ahmetit do të zhbëhet  sapo të hyjë në veprim katalogu i BE-së antikorrupsion, menjëherë pas zgjedhjeve. Ashtu sie dhe parti tjera që s'kanë qenë kurrë në pushtet.

PERSONELI – Në të gjitha fazat e bashkëqeverisjes BDI pati aty këtu ndonjë personalitet që tentoi të projektoi në atë mënyrë punën e ministrisë ku ishte që së paku të implementojë parimet bazë të «Marrëveshjes së Ohrit». Tjerët me doktoratura të marra në kufi apo çajtore nga dy UT- të shqiptare janë vic-figura që s'ia vlejnë as për mësues katundesh me nga 5 nxënës. Është partia numerikisht më e madhja por për nga resurset «intelektuale» më e vogla. Edhe ato figura që ndonjëherë i pati, i tradhtoi dhe viktimëzoi pa i mbrojtur kur difamoheshin edhe padrejtësisht nga konkurrenca. Idealistët e orëve të para tashmë janë larguar të gjithë. Me ndonjë nuancë personeli në garë është i njëjti – pa ngjyrë dhe pa koncepte bindëse -  të krijojnë përshtypjen e papagajëve që recitojnë programin përmendsh dhe që s'duhet t'i pyesësh se çka thotë konkretisht ajo që deklamojnë.

BILANCI – BDI nuk arriti as 10% të asaj «Marrëveshje» që e imponoi me luftë ta fusë në realizim. Politikisht ka dështuar edhe më keq se i lejohet. Ajo nuk arriti të përdor as asistencën aq pro-shqiptare perëndimore (ngase dikton shtetin qytetar me kushtet që kërkon nga shteti maqedon), për t'i vënë qeverisë kushte gjersa kishte fuqinë. Përkundrazi një kohë të gjatë ajo gabimisht luajti rolin e ambasadores së pushtetit për avancim në proceset integruese. Kjo ishte e njëanshme, pa efekt dhe vetëm në konto të Gruevskit pa kontrata strikte brenda, me partnerin e koalicionit për avancimin e të drejtave të elektoratit që përfaqësonte, i cili kishte marr hov të shndërrojnë vendin në statuja perëndish të huaja. Ali Ahmeti çuditërisht kurrë nuk përdori autoritetin – ndër më të mirin nga gjithë primatët shqiptarë – që gëzon tek ndërkombëtarët për të ndryshuar diçka.

IDEOLOGJIA –  Ajo që deklarativisht e me program trumbetohet nga BDI, të jetë aty për realizimin e të drejtave të barabarta të shumicës së dytë me të parën nuk do të gëlltitet më nga elektorati, sidomos ai i pavendosuri. Ishte gjatë në pushtet dhe nuk dëshmoi energjinë e duhur për të dëshmuar se vërtet mundet të imponojë politikën në baza qytetare. Edhe pse nacionalizmi i del i demoduar por magnetik falë mendësisë mbizotëruese siç është në gjithë gadishullin, në bërthamë më shumë se tjerat ajo mbetet garantuesja e identitetit kombëtar po aq sa fraksionet e mbledhura rreth Zijadin Selës.

PROGNOZA – Pushteti nuk të shkakton vetëm demaskim dhe telashe por të siguron edhe një bazë solide votuesish permanent. Votuesi më i shpeshtë i BDI - së do të jetë edhe kësaj radhe i privilegjuari i saj. E këta janë aq mjaftë saqë ta nxjerrin edhe njëherë BDI me më së shumti deputetë në taborin shqiptar. Vendet që mund t'i humbë nuk do të shkojnë tek partitë shqiptare por tek ato sllave, të cilat përfitojnë nga fragmentarizmi i lartë i shumicës së dytë. Atyre u mjafton një lektorat 20% brenda shqiptarëve për ta fituar vendin se janë edhe aq më kompakt proporcionalisht se sa shqiptarët e ndarë në shumë grupe.

VOTA IME: Me kusht – vetëm nëse isha bindur se partitë tjera shqiptare nuk kanë gjasa të fitojnë brenda zonës elektorale. Jo nga parimi im etnoperqëndrist por për shkak të palës tjetër që funksionon hë për hë ashtu dhe trajton shqiptarët si qytetarë të rendit të tretë. I bindur se pa u njohur si të barabartë nëpërmjet rrugëve institucionale nuk ka asnjë gjasë shteti qytetar, sidomos kur Zaevi thotë se nuk preket kushtetuta. (Nesër: Profile subjektesh II – Aleanca për shqiptarët.)