Ali Ahmeti: Ruaje Zot Shqipërinë nga shqiptarët

Aktuale December 03, 2016 - 20:37

Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka mbajtur disa takime me banorët e Gostivarit, ndërsa kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti në Debresh të Gostivarit e ka filluar fjalimin e tij me thënien e famshme të Faik Konicës, ”Ruaje Zot Shqipninë prej shqiptarëve se prej të huajve e ruajmë vetë”.

“Faik Konica këto thënie i ka bërë në rrethana shumë specifike e të ndërlikuara gjatë vitit 1913, pas shpalljes së gjysmë pavarësisë. Aso kohe në Londër vajtën 5 delegacione shqiptare që kishin kërkesa të ndryshme, ata me këtë kërkonin nga një copë, kërkonin një Shqipëri me ngastra e të cunguar, me gjëmba e tela, dhe nga ky dëshprim i madh, Faik Konica bëri analiza që edhe sot duhet t’i mendojmë, pasi gjërat tanimë duan vëmendje, ky është një mandat që do të vendosen çështje të rëndësishme dhe jo aq i lehtë sa mund të mendojë ndonjë subjekt, lëvizje e re apo ndonjë iniciativë qytetare. Situatat që na presin, janë sikur një pacienti në spital t’i shërbejnë ndihmës motra, e mjek gjysmakë, por mos harroni se po ua lë ndihmës motrave e gjysmë mjekëve shëndetin në duar, sigurisht që pacienti nuk do të mbijetojë. Kjo situatë, kërkon specialist, pasi ne duhet patjetër t’ia dalim me sukses të gjitha çështjeve që duan zgjidhje urgjente”, deklaroi kryetari i BDI-së dhe bartës liste për njësinë 6, Ali Ahmeti, transmeton telegrafi.

“BDI ka kuadro të përgatitura në të gjitha fushat, nuk dilet përpara popullit me 2 faqe hartim të nxënësve të klasës së parë dhe të thuash unë do të drejtojë shqiptarët e Maqedonisë. Shqiptarët mbrojtës të kauzës e kanë BDI, subjekt ky i cili buron nga bashkimi i tërë forcave atdhetare e ushtarake të dekadave të fundit”, u shpreh Ahmeti.