​ Ish-deputeti i LVV-së këshillon ministren e Drejtësisë

Aktuale November 22, 2016 - 08:03

Ish-deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Afrim Kasolli, është emëruar këshilltar politik i ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Kasolli në pozitën e këshilltarit në Ministrinë e Drejtësisë (MD) është “rehatuar” pas emërimit të Hoxhës në krye të këtij dikasteri qeveritar.

Zyrtarë për informim në Ministrinë e Drejtësisë konfirmojnë për “Zërin” se ish-deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje” qe disa muaj është emëruar në pozitën e këshilltarit.

“Po, Afrim Kasolli është emëruar në kabinetin e ri të ministres Dhurata Hoxha”, ka thënë shkurt për “Zërin” Orhan Hajrizi, zyrtar për informim në MD.

Ish-deputeti i “Vetëvendosjes” kishte dhënë dorëheqje nga ky subjekt politik vetëm një muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, më 8 maj 2014.

Kasolli përmes një letre atëkohë kishte akuzuar subjektin e tij politik për mungesë të demokracisë, diktaturë, keqpërdorime financiare e mbushje të Komunës së Prishtinës me militantë partiakë.

“Drejtimi absolutist antidemokratik i kësaj Lëvizjeje duket se është sfidë e pakapërcyeshme për të. ‘Vetëvendosje’ mbetet i vetmi formacion politik në Kosovë që ruan të institucionalizuar të ashtuquajturin Komision Disiplinor, një instancë organizative kjo që ka për qëllim t’i korrigjojë ‘sjelljet devijuese’ të anëtarësisë vullnetare. E në të vërtetë qëllimi i këtij mekanizmi disiplinor të pushtetit është trysnia e vullnetit të lirë dhe individual të anëtarëve të Lëvizjes”, pati thënë Kasolli në letrën e tij të dorëheqjes, duke shtuar më tutje se asnjë instancë tjetër organizative nuk e ka vërejtur të jetë e pavarur nga diktati qendror.

“Ajo që ‘Vetëvendosje’ e quan demokraci e drejtpërdrejtë, përbrenda saj është një emër tjetër politikisht për emërimin e drejtpërdrejtë. Meqë lista e evidencave është shumë e gjatë, lidhur me këtë çështje po ju rikujtoj vetëm fasadën pseudozgjedhore në zgjedhjet e fundit të kësaj partie, që në çdo qendër u zhvilluan pa kundërkandidatë, me ç’rast kandidatët fitues nominoheshin me 98 për qind të votave. Këto forma të organizimit të brendshëm politik duket se qëndrojnë larg standardeve demokratike, për më tepër ato përbëjnë një model varrmihës për demokracinë”, kishte shkruar ai.

Sipas ish-deputetit, tani këshilltari politik në MD, fuqizimi i vazhdueshëm i njerëzve me profil të dyshimtë, për të mos thënë inkriminues, është fenomen në ngritje në “Vetëvendosje”.

Derisa nuk kishte lënë pa akuzuar LVV-në edhe për mbushjen e Komunës së Prishtinës me militantë partiakë.

“Pushtimi i Komunës së Prishtinës prej militantëve dhe familjarëve të kësaj Lëvizjeje, qoftë edhe nën emrin e ‘Kontratës mbi vepër’, flet qartë për një aparaturë të gjerë partiake, që ka nevojë urgjente të akomodohet institucionalisht e për të shfrytëzuar mekanizmat shtetërorë vetëm si trampolinë për interesa partiake”, kishte shkruar në letrën e tij të dorëheqjes ish-deputeti Afrim Kasolli.

Përndryshe, gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje gjatë ditës së hënë ta kontaktojë edhe Kasollin, por nuk ka arritur ta sigurojë numrin kontaktues personal të tij.