Nesër në Prishtinë me protestë kërkohet drejtësi për Astrit Deharin

Aktuale November 13, 2016 - 14:46

Me kërkesën për drejtësi në lidhje me rastin e vdekjes në rrethana të pasqaruara të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari me moton “Drejtësi për Astritin”, një grup i qytetarëve të mbështetur nga pjesëtarë të shumtë të shoqërisë civile, nesër (e hënë – 14 nëntor), me fillim nga ora 12:00, organizojnë protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se mbështet këtë protestë, duke ftuar qytetarët për pjesëmarrje.

Vetëvendosje ka bërë thirrje që të mos ndalet kërkesa për drejtësi deri në zbardhjen e këtij rasti jashtëzakonisht të rëndë, dhe deri në çlirimin e sistemit të kapur të drejtësisë dhe ndërtimin e një sistemi të pavarur, i cili angazhohet njëmend për vendosje të drejtësisë.

“Është domosdoshmëri që secili nga ne, të gjithë së bashku, të ngremë zërin dhe të angazhohemi për sistem të mirfilltë të drejtësisë dhe shtet të së drejtës. Sot, më shumë se kurrë ka arsye që të kërkohet drejtësi. Rasti i Astritit i thërret ndërgjegjës sonë dhe përgjegjësisë qytetare që kemi secili nga ne në angazhimin për bërjen e Republikës, për shtetin e drejtë për gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në komunikatë thuhet se “është bërë një javë nga vdekja e Astrit Deharit dhe përveç që nuk është qartësuar asgjë në lidhje me rastin, sistemi i kapur i sigurisë e drejtësisë ka ndihmuar vetëm në rritjen e dilemave që dëftojnë pamundësinë e kryerjes së një hetimi të pavarur e të drejtë që do të rezultonte me vendosje të drejtësisë”.