KOMF: Raporti i Progresit vë në pah mungesën e zbatimit e legjislacionit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

Aktuale November 11, 2016 - 12:56

Raporti i Progresit për Kosovën publikuar më 10 nëntor 2016, ndër të tjera ka përfshirë të gjeturat dhe rekomandimet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Raporti vë në pah që korniza ligjore është në harmoni me kërkesat ndërkombëtare, por zbatimi i legjislacionit i cili ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve mbetet sfidë.

Raporti thekson nevojën që autoritetet të sigurojnë një buxhet adekuat për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve në mënyrë që të këtë zbatim efektiv pas miratimit. Poashtu, të dhënat dhe mekanizmat e monitorimit për të vlerësuar progresin në zbatimin e të drejtave të fëmijëve duhet të përmirësohen. Sa i përket mbrojtjes së fëmijëve viktima të dhunës dhe trafikimit, raporti rekomandon që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të sigurojë financim adekuat për strehimoret që strehojnë fëmijë viktima të dhunës dhe trafikimit. Raporti potencon që

Raporti thekson se Kosova duhet të sigurojë që komunat të kenë burime të mjaftueshme për të ofruar shërbime sociale brenda përgjegjësive të tyre si dhe rekomandon krijimin e grantit specifik për shërbime sociale në kuadër të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.

Ndër të tjera, raporti thekson se qasja dhe cilësia e arsimit duhet të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme veçanërisht gjithëpërfshirja në arsim e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Raporti paraqet si shqetësuese përfishrjen e fëmijëve në punë të rënda, ku 10.7% e fëmijëve janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% e tyre punojnë në kushte të rrezikshme.

Raporti gjithashtu thekson se dispozitat e Kodit të Drejtësisë për të Mitur nuk janë në përputhje me Komitetin e OKB për të Drejtat e Fëmijës në lidhje me kohëzgjatjen e paraburgimit për të mitur. Kodi i Drejtësisë për të Mitur parasheh mundësinë e zgjatjes së paraburgimit deri në 12 muaj, ndryshe nga udhëzimet e Komitetit të OKB për të Drejtat e Fëmijës i cili parasheh kohëzgjatjen e paraburgimit për të mitur deri në maksimumi 6 muaj.

Rekomandimet e Raportit të Progresit përkojnë plotësisht me rekomandimet e adresuara në vazhdimësi nga KOMF.

KOMF vazhdon të qëndrojë prapa rekomandimeve të ofruara në mënyrë të vazhdueshme për institucionet e vendit si dhe kontributit të dhënë në Raportin e Progresit.

KOMF do të vazhdojë të avokojë drejt institucioneve përgjegjëse për zbatimin adekuat të mandatit të tyre në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.