Deklaratë e familjes Dehari: Nuk pranojmë telegrame ngushëllimi nga asnjë udhëheqës i këtij pushteti vrastar

Aktuale November 09, 2016 - 11:13

Familja e Astrit Deharit, i vdekur ditë më parë në Qendrën e paraburgimit në Prizren në rrethana ende në rrethana saktësisht të paqartë, ka reaguar lidhur me dërgimin e një telegrami ngushëllimi nga presidenti Hashim Thaçi.

Familja Dehari deklaron se nuk do të pranojë letra dhe as telegrame ngushëllimi nga asnjë udhëheqës të institucioneve më të larta të këtij pushteti vrastar, apo vartësve dhe zbatuesve të politikave të këtyre pushtetarëve.

Lexoni të plotë deklaratën e familjes Dehari:

Dje, zyra e të ashtuquajturit President i Kosovës, përmes një postieri personal, ka bërë përpjekje t’i lë në dorë prindërve të Astrit Deharit një letër të mbyllur.

Prindërit e Astritit e kanë refuzuar pranimin e kësaj letre, pa e hapur fare, pasi janë njoftuar nga kush është dërguar kjo letër.

Familja Dehari me këtë rast deklaron se nuk do të pranojë letra dhe as telegrame ngushëllimi nga asnjë udhëheqës të institucioneve më të larta të këtij pushteti vrastar, apo vartësve dhe zbatuesve të politikave të këtyre pushtetarëve.

Familjarët e Astrit Deharit

Xhemile, Avni, Albana dhe Arta Boshtraj-Dehari”.