Nis riformatimi i Qeverisë

Aktuale November 07, 2016 - 17:50

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë emërimet e saj në disa ministri në kuadër të riformatimit të Qeverisë së Kosovës, i cili pritet të zyrtarizohet shumë shpejt.

Siç merr vesh “Zeri.info”, Anila Statovci-Demaj, nga zëvendësministre e Arsimit do të marrë postin e zëvendësministres së Integrimeve Evropiane.

Burime të “Zeri.info” bëjnë të ditur se zëvendësministri aktual i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, do të emërohet këshilltar i jashtëm i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ndërkaq, Mevludin Krasniqi, i cili deri më tani mbante postin e zëvendësministrit të Shëndetësisë do të emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Po ashtu, burime të njëjta bëjnë me dije se ndonëse akoma nuk është zyrtarizuar, mirëpo, zëvendësministri aktual i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, pritet të emërohet në postin e ministrit.

Këto burime kanë bërë të ditur se këto janë lëvizjet që do t’i bëjë PDK-ja si pjesë e riformatimit të Qeverisë.

Ndërkaq, sipas po të njëjtit burim, LDK-ja akoma nuk ka dalë me emra konkretë sa i përket emërimeve.