Astriti vdiq në duart e shtetit

Aktuale November 07, 2016 - 08:30

Derisa Ministria e Drejtësisë po garanton transparencë në zbardhjen e vdekjes në burg të aktivistit të VV-së Astrit Deharit, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosjes në një Konferencë të jashtëzakonshme që kanë mbajtur të dielën kanë thënë se vdekja e Astrit Deharit në burg është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit

Kur të burgosurit tjerë kishin dalë në shëtitje të shtunën, Astrit Dehari iu kishte lutur oficerit të Shërbimit Korrektues që të qëndrojë tek dhoma e tij. Lutjen oficerit ia kishte bërë, me qëllim që të bënte pastrimin e dhomës.

Por, kur të gjithë të burgosurit janë kthyer në dhomat e tyre, Astritin e kanë gjetur në tokë dhe në gjendje shumë të rëndë e me të vjella, nga ku pastaj është nisur për spital.

Atje është konstatuar vdekja e të ndjerit. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga një burim i gazetës “Zëri” në Burgun e Prizrenit, sipas të cilit është herët të flitet për shkakun e saktë të vdekjes së

26-vjeçarit. Enigma e kësaj vdekjeje, që është e dyta me radhë në familjen Dehari, pas vdekjes së Arbnor Deharit, vëllait të Astritit, pritet të zgjidhet përmes obduksionit që do të bëhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Të dy vëllezërit ishin aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe bashkë me familjen pas përfundimit të luftës ishin kthyer nga Zvicra për të jetuar në Kosovë.

Kërkesa për obduksion para mjeko-ligjorëve ndërkombëtarë është aprovuar

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka thënë se i kanë kryer të gjitha hetimet në bazë të rregullave për vdekjen e Deharit në burgun e Prizrenit.

Nga hetimet e deritashme, sipas tij, rezulton se i ndjeri është dërguar në spital pa shenja jete. Hoxha ka konfirmuar se kanë marrë kërkesa prej familjarëve që ekipi që kryen ekspertizën të përfshihet edhe nga ekspertë të jashtëm.

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ka thënë se prokurori ka vendosur që të respektojë kërkesën e familjarëve.

“Sipas të gjitha gjasave ka mbetur për nesër obduksioni derisa ta sjellin ekspertin e tyre. Për shkak të transparencës do të jemi të hapur që ekspertiza të kryhet edhe në prani të ekspertëve që i kërkon familja”, ka thënë Arsim Gërxhaliu, drejtor i IML-së.

Ai është shprehur se për ta nuk paraqet asnjë problem që ekspertët tjerë të jenë në monitorim.

I pyetur se sa ka mundësi që të konfirmohen përmes ekspertizës rastet e vdekjeve nga materiet toksike apo medikamentet, Gërxhaliu ka thënë se e kanë Laboratorin Toksikologjik dhe në këto raste marrin doza të dyfishta që mund të dërgohen edhe jashtë.

“Nëse duam mund t’i dërgojmë ato mostra edhe jashtë”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka mohuar nëse ka rrezik të zhdukjes së provave nëse mostrat merren më vonë. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një Konferencë të jashtëzakonshme që ka mbajtur të dielën, ka thënë se vdekja e Astrit Deharit në burg është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit.

“68 ditë pas mbajtjes në paraburgim dje morëm lajmin e tmerrshëm për vdekjen e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së Astrit Dehari. Astriti kaloi 68 ditë në paraburgim në një vend ku suspendohet dinjiteti. Këtë paraburgim Astritit dhe 5 aktivistëve tjerë ia kishte montuar policia bashkë me Prokurorinë pa asnjë provë”, ka thënë Ymeri, duke e quajtur këtë rast si një montim të kulluar politik.

VV: Pse u dhanë deklarata kundërthënëse nga gjitha institucionet ?

Astrit Dehari, siç tha ai ishte akuzuar për terrorizëm derisa terrorin në fakt, tha Ymeri, po e bën sot ky shtet me të gjitha mjetet e tij policore.

“Si ai, si dy aktivistët e tjerë që mbahen në paraburgim, edhe pse me akuza të pafaktuara. Shteti as nuk sjellë fakte, ndërkohë i mban aktivistët në parabur- gim. Vdekja e aktivistit tonë, Astritit, pavarësisht mossqarimit të rrethanave është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, sepse Astriti ka vdekur në kohën sa ka qenë në burg, sepse Astriti me shokët tjerë e me të gjithë ne tash e 68 ditë terrorizohen me akuza më të ulëta e të pacaktuara”, ka thënë Ymeri.

Ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm edhe të dy aktivistëve të Vetëvendosjes.

“Tash nuk mund të jemi të sigurt për mënyrat se si funksionojnë institucionet e sigurisë. Kërkojmë që menjëherë të lirohen nga burgu”, ka thënë Ymeri.

Ai është shprehur se mbështesin plotësisht kërkesën e familjes Dehari për autopsi të pavarur dhe të besueshme për të identifikuar drejtë dhe saktë, shkaktarët e vdekjes së Astritit.

“Përgjegjësia e shtetit në këtë rast është e pashmangshme, është përtej çfarëdo dyshimi të bazuar dhe është absolute. Ne nuk do të heshtim deri në zbardhjen e rastit dhe në vënien e drejtësisë në vend e posaçërisht në këtë rast”, ka thënë i pari i VV-së.

Ndërkaq Dardan Molliqaj ka thënë se ajo që ndodhi në burgun e Prizrenit nuk ishte fatkeqësi.

“Besoj që të gjithë njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë që nuk ka të bëjë me fatkeqësi, ishte rezultati i një persekutimi të pashoq që ky pushtet po ia bën çdo studenti, punëtori, mësuesi e çdo qytetari të cilët e kundërshtuan këtë regjim, me rrahje, plagosje, gaz lotsjellës, arrestime e së fundmi edhe me montime të rënda. Ky nuk është gjë tjetër veçse montim”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka rrëfyer edhe detaje për atë se si është burgu duke ndarë përvojat e tij personale.

“Në burg nuk ka liri, në burg t’i vetëm mendjen e ke të lirë, në burg çdo gjë tjetër është nën kontrollin e institucioneve përkatëse, pra prej kohës kur zgjohesh, në cilin krevat fle, kur zgjohesh e aq më shumë kur ke vizitë te mjeku apo merr medikamente për nevoja të ndryshme, pra gjithçka është në dorën e institucionit, në këtë kuptim çfarëdo që ndodhë në burg është gjithmonë përgjegjësi e institucionit”, ka thënë ai, duke e quajtur tërë këtë si një “persekutimin nga regjimi”.

Deklaratat e bëra lidhur me rastin, ai i ka quajtur të ngutshme dhe rënduese.

“Edhe për këtë rast edhe dje më pak se dy orë pasi kishte ndodhur rasti, komandanti i policisë së Prizrenit deklaron që ky vdiq nga barnat, një gjë e tillë mund të vërtetohet vetëm nga autopsia, pse kjo nguti, pse Shërbimi Korrektues deklaron se Astrit Dehari vdiq në spital, në të njëjtën kohë e kemi deklarimin e prokurorit që e cilëson vdekje të dyshimtë, pra tri institucione Policia, Shërbimi Korrektues dhe Prokuroria me deklarata të ndryshme”, ka thënë ai.

Sipas Molliqajt Astriti nuk vdiq në spital.

“Astriti ka shkuar i vdekur në spital, kjo është e vërtetë dhe zyrtare. Astriti një javë para se të ndodhte rasti më kërkesën e tij i ka bërë analizat në burg, analiza të cilat tregojnë se nuk ka vuajtur nga ndonjë problem, e konfirmuar nga zyrtarë të burgjeve të Kosovës”, ka thënë Molliqaj. Sipas tij, Asrtit Dehari nuk ka qenë as duke marrë ndonjë medikament apo  tabletë për gjatë gjithë kohës sa ka qenë në burg.

“Në burg medikamentet merren vetëm me udhëzues të mjekut, në prezencën e mjekut dhe oficerëve korrektues, nuk të lihen në dhomë nuk të jepen në dorë por drejtpërdrejtë në gojë dhe duhet t’i përpish në prezencën e mjekut, ky është rregulli”, ka thënë Molliqaj.

Institucionet garantojnë transparencë

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet një komunikate ka sqaruar se me qëllim të garantimit të transparencës në hetimin e rastit, është vendosur që t'i mundësohet familjes Dehari për të përfshirë ekspertin e kërkuar në cilësinë e vëzhguesit në procesin e kryerjes së autopsisë.

“Ministria e Drejtësisë, me vendimin e Prokurorisë, ka njoftuar se ka pranuar kërkesën e familjes Dehari për përfshirjen e ekspertëve nga familjarët e të ndjerit, Astrit Dehari”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku garantohet transparencë e plotë në zbardhjen e vdekjes së Deharit.

“Deri në marrjen e raportit zyrtar, Ministria e Drejtësisë, mbështet mjekët ligjorë për fillimin sa më të shpejtë të obduksionit në përbërjen e kërkuar nga familja e të ndjerit dhe fton të gjithë qytetarët dhe partitë politike që të përmbahen nga paragjykimet lidhur me rastin”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, në anën tjetër, përmes një telegrami ngushëllimi për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që në mënyrë urgjente të sqarojnë në tërësi dhe në detaje këtë rast.

Përmes këtij telegrami, Veseli ka ngushëlluar familjen Dehari për humbjen tragjike të të birit.

Në mënyrë që dhimbja e rëndë familjare dhe shqetësimi i publikut të mos manipulohen, kryeparlametari Veseli kërkon nga institucionet përkatëse të ligjit që në mënyrë urgjente të sqarojnë në tërësi dhe në detaje këtë rast.

Të dielën, homazhe për vdekjen e Astritit kanë bërë qytetarë të shumtë dhe aktivistë e udhëheqës të Lëvizjes Vetëvendosje. Ata ndezën qirinj dhe vendosën lule para fotografisë së Deharit, me moton: “Drejtësi për Astritin”.