SHBA, gjithmonë me shqiptarët
Politika e Jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbetet e njëjtë ndaj Kosovës, pavarësisht nëse president i SHBA-ve zgjidhet demokratja Hillary Clinton apo republikani Donald Trump. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se diplomacia amerikane ndërtohet mbi baza afatgjata dhe nuk ndryshon “brenda ditës”. Presidenti i ri, sipas tyre, e vazhdon njëtrajtshmërinë e mbështetjes ndaj Kosovës dhe shqiptarëve
Politika e Jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë koherente ndaj Kosovës, pavarësisht nëse në krye të Shtëpisë së Bardhës do të vijë kandidatja demokrate Hillary Clinton apo ai republikan Donald Trump. Kështu vlerësojnë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës së jashtme amerikane. Kjo pasi, sipas tyre, politikat e jashtme amerikane ndërtohen mbi baza afatgjata dhe se kornizat e këtyre politikave i vendos Kongresi, ndërsa presidenti i zbaton ato. Megjithatë, nuk mohohet fakti që rasti i kandidatit republikan Donald Trump është më specifik për shkak të dallimeve që ky i fundit ka edhe me partinë e tij sa i përket shumë çështjeve.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se parimisht nuk do të duhej të ndryshonin marrëdhëniet në mes të SHBA-ve dhe Kosovës, madje ai thotë se edhe në bazë të praktikave të deritanishme politika e jashtme amerikane nuk ka ndryshuar pavarësisht nëse presidenti ka qenë republikan apo demokrat.
“Parimisht nuk do të duhej të ndryshonin raportet në mes të dyja vendeve. Nëse ndalemi edhe në praktikën e deritashme, pavarësisht kandidatëve demokratë ose republikanë, është dëshmuar që politika e jashtme në përgjithësi dhe në veçanti ndaj Ballkanit e shqiptarëve nuk ka ndryshuar. Madje shtetet e fuqishme, siç është rasti i Shteteve të Bashkuara, nuk ndryshojnë qasjen e tyre sepse politikat e tyre të jashtme ndërtohen mbi baza afatgjata dhe jo afatshkurtra”, ka vlerësuar Hoti. Ai më tej ka thënë se beson që raportet në mes të republikanëve dhe demokratëve nuk dallojnë kundrejt Kosovës, pasi, sipas Hotit, atë që e ka bërë ish-presidenti demokrat Bill Clinton për çlirimin e Kosovës e ka bërë edhe pasardhësi i tij republikan, George W. Bush në kohën e njohës së pavarësisë së Kosovës.
Trump, rast specifik
Megjithatë, Hoti thotë se rasti i kandidatit republikan Donald Trump është më specifik.
“Rasti i kandidatit Donald Trump është rast më specifik, pasi siç duket në disa pika ka dallime edhe me vetë partinë e tij dhe ajo që është evidente deri më tani lidhet me faktin që ka subjekte, madje shumë të rëndësishme të vetë Partisë Republikane në SHBA, që nuk e mbështesin kandidaturën e tij. Dhe kjo na bënë, nëse jo skeptikë, të paktën na lë dilema që Trump mund të marrë vendime që momentalisht mund të jenë të paparashikueshme”, ka shtuar Hoti, duke thënë se personalisht beson që zgjedhjet në SHBA do të fitohen nga kandidatja demokrate Hillary Clinton.
Edhe Faton Bislimi, ligjërues universitar i politikës ndërkombëtare në Programin e Washingtonit për Zhvillim Ndërkombëtar, ka thënë se nuk pret ndryshim të politikës së jashtme amerikane karshi Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Ai ka thënë se kornizat e politikës së jashtme amerikane i përcakton Kongresi.
“Çështja shqiptare në Ballkan, duke përfshirë këtu Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët në Luginë të Preshevës, Maqedoni e Mal të Zi, është çështje e sigurisë nacionale amerikane. Themelet dhe kornizat e politikës së jashtme i përcakton realisht Kongresi i SHBA-ve përmes Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë. Presidenti, në këtë rast, është më shumë ekzekutues i kësaj politike, kryesisht përmes Sekretarit të Shtetit”, ka vlerësuar Bislimi.
Abazi: Nëse fiton Trump, ndryshon qëndrimi ndaj Ballkanit
Kurse Haki Abazi, nga fondacioni “Rockfeller Brothers”, ka thënë se demokracia në SHBA është në nivelin më të ulët në shtatë dekadat e fundit. “Demokracia në Shtetet e Bashkuara është në nivelin më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore. Polarizimet e skajshme, gjuha e përdorur e shoqëruar me tone ksenofobe, elemente të gjuhës së urrejtjes dhe denigruese në baza etnike dhe religjioze kanë krijuar një atmosferë tjetër nga që është parë në SHBA në të kaluarën”, ka potencuar Abazi.
Kështu, sipas tij, duke e ditur se qëndrimet për politikën e jashtme të dy kandidatëve për president janë diametralisht të kundërta, pritet edhe ndryshim i qëndrimeve ndaj Ballkanit nëse Trump e fiton garën për president.
“Duke qenë se politika e jashtme e dy kandidatëve është diametralisht e kundërt sa i përket qëndrimit ndaj Rusisë, kjo e bën gjithashtu shumë të qartë faktin se patjetër do të këtë ndryshime në qëndrime ndaj Ballkanit dhe Kosovës nëse Trump do të fitonte garën. Nëse Clinton do ta fitojë garën mendoj që intensiteti i përfshirjes së SHBA-ve në rajon do të shtohet edhe për nga kualiteti, por edhe për nga forma e angazhimit”, është shprehur Abazi.
Sipas tij, rëndësia gjeopolitike e Ballkanit njihet mirë nga kampi i kandidates demokrate, prandaj Abazi vlerëson se nëse Clinton do ta fitojë garën ajo do ta mbështesë integrimin e këtij rajoni në strukturat euroatlantike.
“Në fakt arsyeja pse do të ketë kthim, besoj unë, është ekspertiza që ekziston brenda kampit të Hillary Clinton për rëndësinë gjeopolitike që ka rajoni në sigurinë shtetërore të SHBA-ve dhe Evropës. Arsyeja tjetër është se Hillary do të jetë një përkrahëse e fuqishme e Angela Merkel dhe liderëve të tjerë evropianë, që kanë për qëllim ta përfundojnë zgjerimin e BE-së në Ballkan dhe ta përfundojnë një kapitull të domosdoshëm të integrimeve, por edhe të përmbylljes së rrethit të vunerabilitetit të sigurisë dhe stabilitetit të Evropës”, ka shtuar Abazi.
Kështu, të martën do të kuptohet nëse Hillary Clinton apo Donald Trump do të zgjidhet president i 45-të me radhë i shtetit më të fuqishëm në botë.