Sigurohet buxhet për pensionet e veteranëve

Aktuale November 03, 2016 - 07:51

Vonesa në pagesën e pensioneve kishin edhe për muajin shtator, pasi numri i veteranëve ka shkuar në mbi 28 mijë, të cilët marrin pensione e për të cilët Qeveria nuk kishte planifikuar buxhet, pasi në fillim ishte thënë se do të jenë deri në 14 mijë veteranë që do të marrin pension, meqë pjesa tjetër është e punësuar.
Aktualisht me këtë numër të veteranëve Qeveria e Kosovës duhet t’i ndajë 4 milionë e 749 mijë e 377 euro vetëm për një muaj për t’i paguar pensionet e veteranëve. Ndërsa, për vitin 2017 Qeveria e Kosovës ka planifikuar t’i ndajë 28 milionë euro për veteranët, ndërsa 12 milionë euro për invalidët.
Mirëpo sipas zyrtarëve qeveritarë, as këto mjete nuk mjaftojnë për krejt vitin, meqë numri i veteranëve është shumë i madh dhe se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk lejon të marrë më shumë obligime. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ditë me parë ka deklaruar se në fillim të nëntorit do të dalin me një opsion për zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi që nuk mund ta përballojnë një numër kaq të madh të veteranëve që marrin pensione.
Por në anën tjetër, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë thënë se nuk do të pranojnë uljen e pensioneve për veteranët, pasi që edhe ashtu pensioni i veteranit është shumë i vogël, siç e kanë quajtur ata pension sociali.
Madje, këto të fundit kanë akuzuar edhe qeveritarët se ata kanë futur persona si veteranë pa e ditur se ku kanë qenë në luftë.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdojnë të ballafaqohen me vonesa në marrjen e pensionit.

Kjo si pasojë e mungesës së buxhetit pasi Qeveria thotë se rritja e numrit të veteranëve ka shkaktuar probleme në buxhetin e Kosovës që ka qenë i dedikuar për veteranët.

Vonesa në marrjen e pensionit veteranët kanë edhe për muajin nëntor pasi Ministria e Financave ende nuk i ka transferuar mjetet financiare në skemën e pensioneve për veteranët.

Mirëpo ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë për gazetën “Zëri” se pensionet e veteranëve do të dalin këto ditë, pasi që tashmë kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Financave për t’i transferuar mjetet financiare në skemën e veteranëve.

“Po, po unë e kam dërguar në Ministrinë e Financave një shkresë për transfer të brendshme, që do të thotë skema ku kemi mjete për t’i transferuar në skemën e veteranëve. Dhe, po presim që këto ditë të bëhet pagesa për muajin tetor”, ka thënë ministri Abrashi.