Abrashi mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për skemat pensionale

Aktuale October 25, 2016 - 22:09

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që vendosi kundrejt parashtruesit të kërkesës, deponuar nga ish-Ministri Rashiq, përmes së cilës kërkohej vlerësimi “kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë” për skemat pensionale të financuara nga shteti.

“Ky është një lajm i mirë, dhe shumë inkurajues për të vazhduar akoma më fuqishëm me reforma në funksion të mirë-menaxhimit të financave publike, dhe përkrahjen e pensionistëve, qytetarëve të Republikës që i plotësojnë kushtet për skemat respektive. Sa për informacion, me Udhëzimin Administrativ në fjalë, ne përcaktuam procedurën administrative për realizimin e njohjes së të drejtës në pension”, ka shkruar Abrashi në profilin e vet në “Facebook”.

“Gjatë ditëve në vijim, pasi edhe nxjerrim pasqyrat financiare, do të njoftoj publikun se sa milion kemi kursyer vetëm përmes këtij udhëzimi, dhe siç kam cekur edhe më herët, çka do që kursejmë, do të kthehet në pensione e mirëqenie më të lartë për pensionistët tanë”, ka thënë ai.