Krasniqi: Drejtësia në Kosovë është vënë në qorrsokak

Aktuale October 25, 2016 - 22:02

Konfirmimi i dënimeve për rastin 'Drenica 1' e 'Drenica 2' përbën një goditje të rëndë për idenë e lirisë, të çlirimit dhe të drejtësisë, vlerëson ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

"Duke qenë i bindur në pastërtinë e Luftës Çlirimtare, them me bindje se: Drejtësia në Kosovë është vërë në qorrsokak", ka shkruar Krasniqi në faqen e tij në Facebook.

Krasniqi ka thënë se drejtësia në vend është e dirigjuar nga politika, të cilin ai e quan të "inkriminuar" dhe "eliminuese".

"Është e dhimbshme, kur “Drejtësia” është e dirigjuar nga politika e inkriminuar dhe eliminuese, e cila ka kryeqëllim, dënimin e gjithsecilit qytetarë të vendit e veçmas te luftëtarëve të lirisë, vetëm jo te inkriminuarve në krim e korrupsion që hapëroj pandalshëm pas Luftës Çlirimtare në Qeveri, Prokurori e Gjyqësi etj. Kur te inkriminuarit instalohen ne institucionet e larta të shtetit, qytetarët bien viktima të pa ligjësisë institucionale!", ka shkruar Krasniqi në rrjetin social.

"Me të drejtë besuam e shpresuam që e krijuam shtetin e lirë, për të vendosur drejtësinë dhe për t’i dhënë fund padrejtësisë që kishte sunduar për shekuj në këto troje. Konfirmimi i dënimeve për rastin Drenica 1 e 2, është goditje e rëndë për idenë e lirisë, të çlirimit dhe te Drejtësinë", ka shtuar ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në Facebook.

"Drejtësi po, për të goditur çdo veprimtari kriminale te pas luftës, çdo formë të korrupsionit apo forma tjetra të trafikimit, por jo dënimin e çlirimtarëve me dëshmi të rrejshme e dëshmitarë te yshtur nga politika antikombëtare e anti çlirimtare! Është koha e fundit për t’i thënë stop çdo forme te ndjekjes kriminale ndaj çlirimtarëve! Ndjekje që nuk pushuan tash e 17 vjet në Kosovë e jashtë sajë", thuhet në shkrimin e shefit të Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën.