Nitaj jep versionin e AAK-së, përse dështoi dakordimi për deklaratën

Aktuale October 25, 2016 - 21:03
Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së, ka bërë këtë sqarim për opinionin publik, pas dështimit të nënshkrimit të një deklarate të përbashkët të liderëve të Pozitës dhe të Opozitës për Demarkacionin.

“Është për keqardhje se si një deklaratë e dakorduar, pothuaj deri në detaje, sabotohet e nuk nënshkruhet në momentin  e fundit”, shkruan Nitaj.

Sipas tij, megjithëse partitë opozitare kishin bërë  të pamundurën në harmonizimin e një deklarate të përbashkët, duke u treguar bashkëpunuese e duke pranuar një dokument që nuk paragjykon rezultatin e zgjidhjes së çështjes së demarkacionit, ishte pzita sot që i është kthyer edhe njëherë këngës së vjetër “për ta lavdëruar” marrëveshjen e vet me të cilën e ka futur vendin në telashe.

“Krejt çka është kërkuar nga AAK dhe kryetari i saj Haradinaj, ka qenë që fjalës shqyrtim t’i shtoheshin dy germa (ri), kjo në frymën e përmbajtjes së dokumentit, sepse e gjithë fryma e tekstit të deklaratës, ka qenë rishikimi i një procesi, pa e paragjykuar rezultatin”.

“Kjo është deklarata që nuk është pranuar nga dy partnerët e Qeverisë së Koalicionit”, deklaron Nitaj.

Për më tepër, ai publikon edhe deklaratën për të cilën ende partitë nuk janë dakorduar.

Republika e Kosovës

Deklarata

Në frymën e dialogut të brendshëm politik dhe me qëllim të zhvillimit dhe konsolidimit demokratik, forcimit të institucioneve  te Kosovës, avancimit të integrimeve euroatlantike dhe ruajtjes e kultivimit të marrëdhënieve me të gjithë partnerët rajonalë e ndërkombëtarë.

Subjektet politike parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (NISMA), zotohen se do të punojnë së bashku për gjetjen e zgjidhjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Subjeket politike parlamentare do të punojnë së bashku me qëllimin e arritjes së koncensusit në qështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Palët nuk ndërmarrin veprime për këtë çështje, për sa kohë që dialogu vazhdon.

Subjektet pajtohen që (ri)shqyrtimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, të jetë në përputhje me integritetin territorial dhe ligjet e Kosovës, interesat dhe proceset integruese te vendit, dhe parimin e respektimit reciprok mes Republikës së Kosovës dhe të Malit të Zi për fqinjësi të mirë dhe partneritet, si dhe parimin e së drejtës ndërkombëtare.

Subjektet pajtojen të punojnë së bashku në frymën e vullnetit të mirë, derisa hollësitë (mekanizmat) për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit do të përpunohen brenda pak ditësh. Ftojmë edhe subjektet e tjera për bashkëpunim.