Kelmendi: Ajo që po shihet në Kosovë mund të jetë gjithçka, veç drejtësi jo!

Aktuale October 25, 2016 - 20:31
Publicisti Adriatik Kelmendi duke aluduar në vendimin që u bë dje nga  Gjykata e Apelit ku janë  konfirmuar dënimet e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, ndaj Grupit të Drenicës, thotë se ajo që po shihet në Kosovë mund të jetë gjithçka, vetëm drejtësi e barabartë jo.

Ai shkruan disa shifrave të vrasjeve që janë kryer të ndërlidhura me luftën e Kosovës,  viktimat e së cilës në numër shumë më të madh janë shqiptarët, dhe jo serbët.

Thekson se është pikërisht Kosova vendi ku po formohet Gjykata Speciale, madje thotë se krimet janë kryer po ashtu në Kosovë, nga forca të ardhura nga jashtë.

Shkrimi i tij në Facebook:

Secila vrasje duhet të trajtohet sipas ligjit, pavarësisht nga cila anë është bërë.

Mirëpo, deri në vitin 2014, për krime të ndërlidhura me luftën në Kosovë janë akuzuar 62 shqiptarë dhe vetëm 22 serbë – që i bie afro 3 herë më shumë.

Nga gjithsej 13.146 persona viktima të luftës në Kosovë – 10.495 janë shqiptarë, 2.077 serbë dhe 574 joshqiptarë e joserbë dhe të papërcaktuar – që i bie afro 4 herë më shumë shqiptarë.

Tash,

5 fish më shumë shqiptarë të vrarë;

plus 3 fish më shumë shqiptarë të akuzuar për krime;

plus vetëm në Kosovë po bëhet Gjykata Speciale;

plus krimet janë kryer në territorin e Kosovës nga forca që në masë kanë ardhë jashtë këtij territori?!…

Po, secila vrasje duhet të trajtohet sipas ligjit, pavarësisht nga cila anë është bërë… Qartë!

Por kjo që po shohim ne në Kosovë mund të jetë gjithçka – mirëpo vetëm drejtësi e barabartë nuk mund të jetë!