Autobusët e rinj në dhjetor, 'Trafiku Urban' ende nuk është gati

Aktuale October 25, 2016 - 19:37

Pjesa e parë prej 30 autobusëve do të vijë në dhjetor të këtij viti ndërsa pjesa tjetër prej 21 sosh do të vijë në janar të viti të ardhshëm.

Edhe pse projekti për blerjen e 51 autobusëve për Komunën e Prishtinës ka përfunduar dhe autobusët pritet që shumë shpejt të lëshohen në qarkullim, procesi ende nuk kanë përfunduar. Komuna e Prishtinës  ende nuk e ka përfunduar planin e mobilitetit.  Ndërsa Adonis Tahiri, zëdhënës në komunën e Prishtinës, ka thënë për zeri.info se tani po bëhet plani i ri i mobilitetit, nga një kompani Angleze, ku do të përcaktohen edhe pjesët e qytetit që do të mbulohen nga këta autobusë.

“Procedurat e tenderimit kanë përfunduar muaj më parë. Tani po bëhet plani i ri i mobilitetit urban nga kompania përkatëse angleze. Me përfundimin e këtij plani të mobilitetit do të saktësohet koha e fillimit të përdorimit të atyre autobusëve si dhe pjesët e qytetit që do të mbulohen nga ata. Përndryshe, një numër i autobusëve do të vijnë deri në fund të këtij viti, kurse pjesa e mbetur në fillim të vitit të ardhshëm.”, ka thënë Tahiri, shkruan zeri.info

Edhe pse është parapa sistemi i ri i biletimit, sipas të cilit qytetarët nuk do të kenë nevojë që të paguajnë bileta sa herë ti ndërrojnë autobusët por biletën e njëjtë mund të shfrytëzojnë për dy orë në gjithë autobusët urbanë, ende nuk është bërë e ditur nëse do të ketë ndërrim të çmimit të biletave.

“Në momentin kur të përfundohet integrimi i të gjitha linjave në sistemin e ri të biletimit, do të përcaktohet edhe çmimi i saktë i biletës”, ka thënë Tahiri.

“Trafiku Urban”, ende me objekt të vjetër

Në anën tjetër, edhe pse BERZH, e kishte kushtëzuar “Trafikun Urban”, që të rinovoj objektin para ardhjes së autobusëve të rinj një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, dhe nuk pritet të ndodh të paktën edhe në dy muajt e ardhshëm.

Projektin për rinovimin e këtij objekti e ka fituar kompania “Prishtina”, e cila ka afat 60 ditë punë për kryerjen e punimeve, projekt ky që do të kushtoj 622 mijë euro, nga 10 milionëshi i BERZH-it.

Halil Mustafa kyreshef Ekzekutiv i “Trafikut Urban”, ka thënë rinovimi i objektit sapo ka filluar dhe ka 60 ditë kohë që nga data e fillimit të punimeve.

“Objekti tani ka filluar, 60 ditë punë janë për t’u rinovuar, diku deri në 3 muaj i duhen përfituesit të tenderit. Kompania e cila është duke i kryer punimet është kompania “Prishtina”. Vlera e këtij projekti është 622 mijë euro, mendoj që është e mjaftueshme por besoj pjesërisht renovimi do të shkoj në tre faza, prandaj ndoshta faktikisht do të shkoj tek ajo vlera prej 750 mijë, që faktikisht janë granatet për renovimin e objektit, kjo është faza e parë, pastaj do të vijë faza e dytë nëse na ngecet diçka edhe pastaj faza e tret që është e fundit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa po ashtu ka thënë se ndërmarrja “Trafiku Urban”, me ardhjen e autobusëve ka nevojë edhe për punëtor shtesë, pasi ka mungesë të shoferëve, dhe se pritet që të hapen konkurse të reja në janar të viti të ardhshëm.

“Me qenë se kemi bukur të vjetër mesataren e punëtorëve, pra jemi të detyruar që të marrim punëtor të rinj, por përveç asaj jo vetëm që është bazë mosha por është problemi tjetër që duhet të marrim me tepër vozitës. Pra më prurjen e autobusëve të rinj na detyrimisht duhet të marrim vozitës të tjerë, realisht këto shkojnë në mënyrë graduale kur vjen faza e parë e prurjes së autobusëve, në fazën e parë i kemi 15 në të dytën 15, dmth 30, pra planifikojmë që kjo 30 të jetë para viti të ri. Sapo të vijnë autobusët në të njëjtën kohë shpallet edhe  konkursi për punëtor të ri, mirëpo kryesisht kanë me qenë vozitës”, ka thënë Mustafa./ZERI