Imazhi i keq i Kosovës, zvarritë inkuadrimin në NATO

Aktuale October 25, 2016 - 18:02

Imazhi i Kosovës i ndërtuar mbi korrupsion, krim të organizuar e sjellje devijante e ka zvarritur  inkuadrimin e Kosovës në NATO. Kështu kanë deklaruar ish komandantë e UÇK-së në Kosovë, sot deputet të Kuvendit të Kosovës. Në anën tjetër ndërkombëtaret e vendorët konstatojnë se formimi i FAK-ut varet kryekëput nga vullneti politik dhe gjetja e një zgjidhje në këtë drejtim.

Ndërkohë njohësit e çështjeve të sigurisë e analistëve përveç politikës vendore që luan rol kyç  në zvarritjen e inkuadrimit në NATO  është edhe politika ndërkombëtare ajo që po e pengon këtë proces. Në seminarin “Rose Roth” të mbajtur këto ditë në Prishtinë, Gjenerali  Davdid Hobs ka thënë se përkundër që FSK –ja qëndron mirë teknikisht ajo pengohet nga politika për tu transformuar në ushtri. “FSK ka një kapacitet të mirë teknik por kjo nuk do të thotë se është e gjitha, më shumë është problem politik..”, ka deklaruar Hobs.

Mos njohja e shteteve e pengon anëtarësimin në Nato

Problemet vendore nuk janë e vetmja pengesë në rrugën e NATO-së. Hulumtuesi në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Plator Avdiu ka thënë në një prononcim për Gazetën “Zëri”  se inkuadrimin e Kosovës në Nato e pengon edhe mosnjohja e shteteve.

 “NATO-ja nuk e njeh shtetin e Kosovës, përkatësisht katër shtete anëtare të kësaj organizate (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Mosnjohja e pavarësisë nga këto vende të NATO-s ka bllokuar vendosjen e çfarëdo bashkëpunimi zyrtar ndërmjet institucioneve të Kosovës me NATO-n e me këtë as në programin e NATO-s për Partneritetin për Paqe”, ka deklaruar ai.

Avdiu konsideron se pavarësisht pengesave të politikës së jashtme, edhe institucionet e Kosovës bartin një pjesë të fajit për  mosgatishmëri në zyrtarizmin e marrëdhënieve me NATO-n.

“Mungon një lobim i fuqishëm nga ana e Qeverisë për të shtyrë përpara agjendën për kompletimin e arkitekturës së sigurisë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përkatësisht shndërrimit të FSK-në në FAK”, ka  thënë tutje hulumtuesi në QKSS.

Më tutje Avdiu vlerëson se Qeveria e Kosovës ende nuk e ka kuptuar rëndësinë që ushtria do të thotë.

“Siç po duket, Qeveria ende nuk e ka kuptuar peshën dhe rëndësinë e themelimit të FAK-ut duke mos e vendosur si prioritet kryesor në këtë fazë të shtetndërtimit, e cila do të mund të shpinte Kosovën drejt Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe nisjes së procesit të anëtarësimit në NATO”, ka përfunduar Avdiu.

Selimi : Ne akoma nuk e kemi ushtrinë

Ish komandanti i i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani deputet në Lëvizjen Vetëvendosje, Rexhep Selimi e konsideron themelimin e ushtrisë si hap të menjëhershëm që duhet të merret nga ekzekutivi i vendit.

“Hapi i parë i Kosovës për me u inkuadrua në Nato është krijimi i ushtrisë së vet sepse ne akoma nuk e kemi ushtrinë , ne kemi një partneritet me Naton por ajo që duhet të ndodh patjetër është themelimi i ushtrisë”, ka deklaruar Selimi.

Ndërkohë që Deputeti i VV-së e ka eliminuar mundësinë që demarkacioni të pengojë anëtarësimin në NATO.

“Jo unë nuk mendoj se demarkacioni mundet me ndikuar në anëtarësimin e Kosovës as në të Malit të Zi për shkak se çështja e Demarkacionit nuk ka të bëjë me rrugën e inkuadrimit në BE e Nato. Kjo s’do të duhej të ishte problem as për Kosovën as për Malin  e Zi”, ka deklaruar ai.

Kurse bashkëluftuari i Selimit, Daut  Haradinaj  duke folur për gazetën “Zëri” ka thënë se Kosova është afër ndërtimit të kapaciteteve të sigurisë.

“Kosova është në fazën e saj finale që të ndërtoj kapacitetet e sigurisë dhe ketë pothuajse ma shumë me meritën e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA),  se sa më angazhimin vendorëve”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj në fund ka thënë se imazhi i Kosovës do të rregullohet vetëm kur vendi ynë do të krijojë gjitha kapacitetet e një shteti funksional.

Angazhimi i Qeverisë do ndihmonte ushtrinë e imazhin e Kosovës

Ish komandanti tjetër i UCK-së, sot deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së, Anton Quni, ka vlerësuar se angazhimi serioz dhe këmbëngulës i  Qeverisë do të ndikonte drejtpërdrejt në krijimin e një imazhi të mirë për Kosovën. “Luftimi i vazhdueshëm i krimit të organizuar e korrupsionit dhe të gjitha dukuritë devijante që Kosovën e kanë përcjellë tash e sa vite, duke u bërë pengesë për zhvillim të vendit dhe duke krijuar një imazh jo të mirë për ne dhe shtetin tonë të ri”, ka thënë Quni. Nndërkohë profesori i Integrimeve Evropiane, Avni Mazreku është i mendimit se qeverisja e mirë është faktori që ndikon në përmirësimin  e imazhit të një shteti.

 “Kosova duhet me pas luftë kundër krimit të organizuar, mesazhi që jep duke qenë në shkallë të lartë të krimit të organizuar bën që të renditet në raport me shumë vende si një nga vendet më të korruptuara në Evropë më shkallë të lartë të krimit të organizuar me mungesë të zhvillimit ekonomik”, ka potencuar Mazreku. Sipas tij imazhi pozitiv fitohet vetëm duke luftuar korrupsionin.

Ndërkohë analisti politik, Krenar Shala konsideron se Kosova ka  imazh të  keq dhe zgjidhja  e këtij problemi janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.  “Rruga më e mirë rreth përmirësimit të imazhit të Kosovës është që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, qytetarët tu japin mandat politikave të cilët e kanë vizionin, guximin, besueshmërinë si dhe profesionalizmin për ti ndërmarr reformat përmbajtjesore për të rritur nivelin e zhvillimit ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit si dhe konsolidimin e mëtutjeshëm të institucioneve demokratike.”, ka përfunduar Shala./ZERI