OSBE dënon ashpër kërcënimet ndaj gazetarit Kërquki

Aktuale October 25, 2016 - 16:25

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, dhe përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, sot kanë dënuar kërcënimet ndaj Leonard Kërqukit, kryeredaktor i “Gazetës Express” dhe autor i emisionit televiziv “Zona Express”.

"I dënoj kërcënimet dhe thirrjet për dhunë kundër Kërqukit. Liria e shprehjes duhet të mbështetet dhe të respektohet në të gjitha rrethanat", tha Braathu. "U bëj thirrje autoriteteve të sundimit të ligjit për të hetuar këto kërcënime menjëherë dhe për t’i sjellë autorët para drejtësisë".

Më tej, OSBE-ja shkruan se nëpërmjet stilit të dokumentarit, “Zona Express” hulumton tema të ndjeshme në shoqërinë e Kosovës. Emisioni i fundit, i transmetuar më 23 tetor 2016, trajtoi temën e krimeve të kryera kundër popullatës serbe të Kosovës. Kërquki ka qenë subjekt i një fushate diskreditimi në mediat sociale.

“Kërcënimet dhe dhuna kundër gazetarëve përbën një sulm ndaj demokracisë dhe shoqërisë në tërësi. Anëtarët e mediave duhet të jetë në gjendje të bëjnë punën e tyre të rëndësishme në mënyrë të lirë dhe të sigurt", ka thënë Mijatoviç, duke e mirëpritur edhe dënimin që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bëri kërcënimeve kundër Kërqukit.