Qeriqi: Vonesat me veteranët, të qëllimshme

Aktuale October 25, 2016 - 15:46

 Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, ka thënë se vonesat e verifikimit të listave të veteranëve po bëhen në mënyrë të qëllimshme.

“Vonesat e identifikimit të plotë për ushtarët e UÇK-së po bëhet qëllimisht, nuk janë marrë parasysh ende ankesat e shumë personave për këto lista”, ka thënë ai.

Sipas tij, sa i përket pagesave të veteranëve, Qeveria është e obliguar ta kryejë detyrën e vet.

Qeriqi më tutje ka thënë për zeri.info se është dashur të bëhet një raport për numrin e saktë të tyre. Sipas tij, Qeveria po del me gabime sa herë që po e bën verifikimin.

“Procesi i verifikimit është stërzgjatur, janë më shumë se tri vjet qëkur ka filluar Qeveria ta bëjë verifikimin e veteranëve e që në fund del me gabime të mëdha dhe thotë se duhet të rishqyrtohen përsëri”, ka shtuar ai./ZERI