Tahiri: Qëndrimi për Trepçën është i prerë

Aktuale October 25, 2016 - 15:31

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, edhe një herë ka potencuar se çështja e Trepçës nuk do të bisedohet me palën serbe në Bruksel.

Tahiri thotë se, deklaratat e disa zyrtarëve evropian se Trepça duhet të dialogohet në Bruksel janë të papranueshme.

Ajo në një prononcim për zeri.info ka thënë se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i qartë dhe i vendosur.

“Trepça dhe të gjitha pasuritë janë të Kosovës dhe vetëm ne vendosim për to. Janë të papranueshme disa deklarata të zyrtarëve të parlamentit Evropian që vijnë nda shtete që nuk e kanë njohur Kosovën se kjo çështje duhet të vihet në Bruksel. Trepça nuk do të dialogohet në Bruksel dhe kjo nuk do të ndodhë asnjëherë”, ka thënë Tahiri për “Zeri.info”.

Ndryshe, dje shefi i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Serbinë, Eduard Kukan, ka deklaruar se e ardhmja e Trepçës është një çështje e rëndësishme që duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit./ZERI