Vetëvendosje: Policia po na përgjon, pengoi aksionin simbolik (Foto)

Aktuale October 25, 2016 - 10:29

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për medie ka bërë të ditur se sot në orët e mëngjesit njësitet e Policisë së Kosovës kanë ndaluar një furgon i cili ishte nisur nga Prishtina për në Pejë e në  të cilin kishte mjete për zërim, që kjo Lëvizje sot kishte planifikuar të mbante një aksion simbolik në qytetin e Pejës, transmeton “Zeri.info”.

Sipas “Vetëvendosjes”, Policia e Kosovës po e përgjon këtë Lëvizje, prandaj edhe ka arritur që ta ndalë këtë furgon.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron këtë akt të papranueshëm dhe kundërshton të gjitha këto taktika policore, që janë karakteristikë e shteteve autoritare. Me këto veprime, assesi nuk do të ndalet angazhimi ynë i përditshëm për çlirimin e shtetit dhe për ndërtimin e një Republike demokratike të qytetarëve”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e “Vetëvendosjes”, transmeton “Zeri.info”.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës ndaloi furgonin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili bartte zërimin për aksionin simbolik që do të mbahet në komunën e Pejës.

Patrulla e cila ndaloi furgonin, ka përcjellur atë nga Prishtina, ndërsa ndalimin e ka bërë me arsyetimin se kanë urdhër nga lart që të ndalohet automjeti me këto targa.

Siç edhe po shihet, Policia e cila është shndërruar në instrument të klanit “Pronto”, po përgjon dhe po përcjell çdo aktivitet të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ngjashëm siç veprohet nga regjimet autoritare me subjektet opozitare.

Në vend që të luftojë strukturat paralele dhe grupacionet e tjera kriminale, kjo polici merr urdhër që të ndjekë automjetet e VETËVENDOSJE!-s.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron këtë akt të papranueshëm dhe kundërshton të gjitha këto taktika policore, që janë karakteristikë e shteteve autoritare.

Me këto veprime, assesi nuk do të ndalet angazhimi ynë i përditshëm për çlirimin e shtetit dhe për ndërtimin e një Republike demokratike të qytetarëve.

Image