Rasti “Stenta” mund të zgjerohet me akuza të reja

Aktuale October 25, 2016 - 07:56

Një aktvendim i gjyqtares së Procedurës Paraprake, Alltën Murseli, ka zgjatur hetimet në lidhje me rastin “Stentat” deri më 16 dhjetor 2016. Gazeta “Zëri” e ka siguruar aktvendimin, ku pos 64 të akuzuarve janë edhe emrat e 55 doktorëve të tjerë që ende po hetohen lidhur me këtë aferë

Listës së të akuzuarve në rastin “Stentat” mund t’i shtohen edhe emra të rinj. Kjo është bërë e ditur nga një burim i gazetës “Zëri” brenda Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi hetimet për këtë rast ende janë duke vazhduar edhe për 55 persona të tjerë.

Kjo konfirmohet edhe nga aktvendimi i gjyqtares së Procedurës Paraprake, Alltën Murseli, ku shihet se hetimet në lidhje me rastin “Stentat” janë vazhduar deri më 16 dhjetor 2016 për gjithsej 119 të dyshuar, mes të cilëve janë edhe emrat e 64 të akuzuarve.

Gazeta “Zëri” ka siguruar aktvendimin, në të cilin janë emrat e të akuzuarve në rastin “Stentat”, por edhe të personave të tjerë ndaj të cilëve nuk ka aktakuzë, por që janë duke u hetuar në lidhje me këtë rast.

Hetimet janë duke u zhvilluar për “Pjesëmarrje dhe organizim të grupit kriminal”, “Marrje e ryshfetit”, “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit”, “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Në rastin “Stentat” do të shoshiten të dhënat e mbi 700 pacientëve

Aktvendimi arsyetohet me faktin se janë kryer shumë veprime hetimore, duke përfshirë edhe marrjen e deklaratave të dëshmitarëve, të dëmtuarve, të shumicës së të pandehurve, rreth 300 personave në cilësi të dëshmitarëve dhe ende po vazhdon marrja e deklaratave të tyre.

“Ka mjaft vështirësi në sigurimin e adresave të tyre, mirëpo janë duke u bërë përpjekje maksimale për sigurimin e prezencës së tyre për të dhënë deklaratë. Andaj kërkohet edhe një kohë shtesë e hetimeve për të arritur që të merren deklaratat e të gjithë dëshmitarëve apo të dëmtuarve apo të pandehurve”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga gazeta.

Gjithashtu thuhet se janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë mbi 20 dosje me të dhënat e rreth 700 pacientëve, lidhur me pagesat që i ka bërë Ministria e Shëndetësisë për shpenzimet e pacientëve, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalet private “International Medicine Hospital” dhe “Intermed”, në bazë të letrave referuese që i kanë lëshuar mjekët, të cilët ishin anëtarë të konziliumeve mjekësore në Klinikën e Kardiologjisë.

 “Gjithashtu janë siguruar shumë dëshmi nga QKUK-ja dhe nga dy spitalet private, si dhe nga një biznes i njohur me emrin ‘Doktor’, të cilat duhet të analizohen dhe varësisht nga rezultatet e këtyre analizave mund të ketë edhe zgjerim tjetër të hetimeve”, thuhet në aktvendimin e nxjerrë nga gjyqtarja Murseli.

 Rasti me 119 të pandehur dhe mbi 200 dëshmitarë

Më tutje, aty sqarohet se duke pasur parasysh raportin për të dhënat financiare të të pandehurve, që kanë qenë të përfshirë në urdhrin për zbulimin e të dhënave financiare, është kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që të bëjë kontrollin e personave juridik “International Medicine Hospital”, “Intermed” dhe “Doktor”, si dhe të pandehurve të përfshirë në urdhëresë lidhur me pagesat e tatimit.

“Duke marrë parasysh që kjo çështje penale është mjaft e ndërlikuar për shkak të natyrës specifike të veprimeve inkriminuese, ku janë përfshirë 119 të pandehur dhe mbi 200 persona në cilësi të dëshmitarëve, në mesin e të cilëve ka edhe të dëmtuar, andaj kërkojmë nga Gjykata, gjegjësisht nga gjyqtari i Procedurës Paraprake vazhdimin e hetimeve edhe për gjashtë muaj, duke llogaritur zgjatjen e afatit nga data 16.06.2016 e deri më 16.12.2016, në mënyrë që hetimet të zhvillohen pa pengesë dhe të sigurohen dëshmi që janë të domosdoshme për të marrë vendim të drejtë lidhur me këtë çështje penale”, thuhet ndërkaq në kërkesën e Prokurorit të Shtetit, ku ai arsyeton zgjatjen e hetimeve.

Gjyqtarja Murseli e ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit për zgjatjen e hetimeve kundër 119 të pandehurve dhe ka gjetur se e njëjta kërkesë është e arsyeshme.

Andaj, sipas aktvendimit të siguruar nga gazeta, ajo ka lejuar që hetimet të zhvillohen deri më 16 dhjetor 2016. 

 

Image