Koalicioni LDK-PDK është i qëndrueshëm

Aktuale October 22, 2016 - 20:31

Këshilltari politik i kryeministrit Isa Mustafa, Faton Abdullahu, tha për Radion Evropa e Lirë se kritikat që janë dhënë nga Kryetari i Kuvendit dhe njëherësh edhe kryetari i PDK-së janë normale në një vend demokratik.

Ai ka hedhur poshtë pohimet për mos-qëndrueshmëri të koalicionit.

“Palët në këtë koalicion kanë raporte ekskluzivisht të mira. Pajtohen me zhvillimet nga më të ndryshmet. Ka një program qeveritar. Ka agjendë ku ata pajtohen plotësisht si për demarkacionin, asociacionin, qoftë për riformatimin, për çështjen e Trepçës e të tjera, gjë që e bën këtë koalicion të qëndrueshëm”, thotë Abdullahu.

Dështimi i deritashëm për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, si kushti i fundit për liberalizimin e vizave, sipas Abdullahut, nuk ka ndodhur për fajin e qeverisë.

“Çështja e liberalizmit të vizave është e ndërlidhur. Pra, është si kusht edhe me demarkacionin. Pse nuk kalon çështja e demarkacionit nuk është faji i qeverisë, është thënë nga miqtë tanë ndërkombëtarë se një pengesë e tillë që i behet demarkacionit është sajesë opozitare”, tha Abdullahu.