Memli Krasniqi: PDK s’është për zgjedhje të reja, por partitë të rrinë gati

Aktuale October 22, 2016 - 19:53

Nënkryetari i PDK’së, Memli Krasniqi ka thënë se partia e tij s’është për zgjedhje të reja pa u përfunduar reforma zgjedhore. Ka treguar se Kadri Veseli kërkoi debat konstruktiv me partitë politike, por se PDK është për respektimin e afateve të rregullta zgjedhore. Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës është vonuar me riformatizim.

 “Mungesa e debatit të mirëfilltë në Kuvend, për një kohë të gjatë e ka cenuar normalitetin e veprimit politik dhe funksionimit demokratik të skenës politike. Qëllimi i Veselit ka qenë dhe është që me opozitën të kemi debat konstruktiv e jo ngurtësim joparimor të pozicioneve. Ky është edhe qëndrim politik që e kemi si lidership partiak”, tha Krasniqi në një prononcim për Telegrafin.

 Për çështjen e koalicionit qeverisës, Krasniqi tha se ka diskutuar sot gjatë ditës me kreun e PDK-së.

 “Prioritet mbetet zbatimi i programit qeverisës, me fokus te zhvillimi ekonomik, si dhe zgjidhja e çështjeve politike – si liberalizimi i vizave dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Sa i përket qeverisjes, për të rritur dinamikën e punës, po e shqyrtojmë çështjen e riformatimit të kabinetit qeveritar, proces që është vonuar paksa”, tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

 Këto komente të Krasniqit vijnë pas një interviste të Veselit në një të përditshme të Kosovës, në të cilën citohet të ketë përmendur zgjedhjet si mundësi për të kthyer në normalitet gjendjen politike në Kosovë.

 “Do të duhej lexuar drejt deklaratat e Veselit, sepse jemi mbështetës të afateve të rregullta zgjedhore, veçanërisht kur kihet parasysh që asnjë mandat qeverisës, deri tash, nuk ka zgjatur deri në fund. Por, natyrisht, unë mendoj se çdo parti politike serioze duhet të jetë gjithmonë e gatshme për zgjedhje”, ka thënë Krasniqi.