Asnjë specializant nga Vushtrria

Aktuale October 22, 2016 - 08:23

Në konkursin e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës për specializime nuk ka mundur të përfshihet asnjë mjek nga komuna e Vushtrrisë. Një grup i mjekëve të Vushtrrisë janë ankuar në mënyrën se si Ministria e Shëndetësisë ka ndarë specializimet e mjekëve për këtë vit.

Në anën tjetër, në Spitalin Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicës kanë thënë se problemet me kuadër të specializuar të mjekëve tashmë janë tejkaluar dhe se gjendja është shumë më e mirë se përpara.

Një grup i mjekëve të komunës së Vushtrrisë kanë takuar kryetarin e komunës, Bajram Mulaku që në kuadër të mundësive të tij t’ju ndihmojë që edhe mjekët nga Vushtrria të përfshihen në konkursin e specializimeve, të shpallur ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovë.

“Asnjëri nga mjekët e Vushtrrisë nuk ka arritur madje as të kandidohet për ndonjë fushë të specializimeve”, kanë thënë mjekët dhe për këtë fajin ua kanë hedhur drejtuesve të Spitalit të Vushtrrisë “Sheikh Zayed”, të cilët, sipas mjekëve nuk kanë aplikuar fare për nevojat që kanë për specialistë.
“Spitali i Vushtrrisë, në të cilin mijëra qytetarë të Komunës, por edhe të komunave tjera të Kosovës drejtohen për të kërkuar ndihmë mjekësore, nuk mund t’i përmbushë të gjitha nevojat e pacientëve, për shkak të mungesave në disa shërbime. Gjithçka është pasojë e faktit se pranë këtij spitali, në të cilin kohët e fundit janë investuar 7 milionë dollarë, nuk ka mjekë nefrologë, kardiologë, neurolog, reumatolog dhe specialistë të fushave tjera dhe shpesh pacientët detyrohen që t’i drejtohen QSUK e në raste të tjera edhe klinikave private. Mirëpo, për drejtuesit e spitalit në Vushtrri mungesa e mjekëve specialistë nuk është një problematikë që i preokupon edhe aq shumë, sepse buxheti i limituar që ka Ministria e Shëndetësisë pamundëson që të shtohet numri i mjekëve në këtë spital”, kanë thënë ata.

Kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku është shprehur i shqetësuar lidhur me këtë rast, për çka tha se do të angazhohet që me drejtues të Spitalit të Vushtrrisë dhe me Ministrinë e Shëndetësisë të gjejë një zgjidhje. Ai ka inkurajuar mjekët që të vazhdojnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre.

E në anën tjetër, gjendja alarmante me mungesë të mjekëve specialistë në Spitalin Rajonal “Dr. Sami Haxxhibeqiri” në Mitrovicë, duket se është tejkaluar. Drejtuesit e Spitalit Rajonal të Mitrovicës kanë thënë se gjendja është përmirësuar dukshëm dhe tani aty ofrohen shërbime cilësore për qytetarët e komunave të rajonit të Mitrovicës.

“Spitali po del nga gjendja e vështirë në të cilën ka kohë që ishte dhe se aty tani po bëhet një punë e mirë në shërbim të pacientëve. Tani në Spitalin Rajonal të Mitrovicës janë angazhuar një numër i ri i kuadrove, specialistë të fushave të ndryshme që mungonin. Fjala është sidomos për angazhimin e kirurgëve, që aktualaisht janë pesë dhe të cilët ofrojnë shërbime gjatë gjithë 24 orëve për pacientët e rajonit. Po ashtu gjendja është përmmirësuar dukshëm edhe në sektorë të tjerë”, kanë thënë dr. Zahir Musa, drejtor i Spitalit Rajonal “Dr. Sami Haxhi Beqiri” në Mitrovicë, në një takim që pati me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Ai ka shtuar se kanë përfunduar punët edhe në Klinikën e Pediatrisë, e cila do të përurohet së shpejti. “Mirëpo ne kemi nevojë për ndihmën e komunës që që të na ndihmojë për largimin e një objekti të vjetër që gjendet aty, e që spitali nuk është në gjendje ta bëjë vetë”, është shprehur dr. Musa.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se Komuna do të ndihmojë dhe kërkesa që ka spitali do të realizohet. “Ofrimi i shërbimeve sa më  cilësore spitalore është interes i qytetarëve, por komunat duhet të përkujdesen për këtë. Është obligim i yni që qytetarët tanë mos të sillen nëpër institucione tjera shëndetësore, por shërbimet t’i marrin këtu, në qytetin e tyre, andaj edhe jemi shumë të interesuar që të bashkëpunojmë maksimalisht për përmirësimin shërbimeve shëndetësore. Gjithashtu ne do të përkujdesemi që ta përmirësojmë edhe ndriçimin publik dhe asfaltimin e rrugëve që shpiejnë në spital”, ka siguruar kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.