Klinika plot pacientë, mjekët në gjykatë

Aktuale October 22, 2016 - 08:12

Një teknik bashkë me kolegun e tij futen në një dhomë pacientësh në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Në atë kohë, shumica dërrmuese e mjekëve të Klinikës gjendeshin në gjykim, në procesin gjyqësor të njohur si rasti “Stentat”, ku po akuzohen 64 persona prej të cilëve shumica janë kardiologë.

Kur ekipi i gazetës “Zëri” ka pyetur teknikun e ri në moshë nëse mund të gjendej ndonjë kardiolog në repart, ai në buzagaz ka kthyer dorën kah gjoksi i tij.

“Sot unë jam çka të dush këtu…”, ka thënë ai në të qeshur, duke drejtuar ekipin e gazetës në drejtim të një dhome ku gjendej doktoresha Aurora Bakalli.

 Shërbimet ambulatore u kryen pjesërisht

Ajo bashkë me drejtorin aktual të Klinikës së Kardiologjisë, Basri Sejdiun dhe mjekët Artan Ahmetin, Imri Jasharin, Violeta Hysenin janë ndër të paktët mjekë të Kardiologjisë në QKUK që nuk janë të akuzuar.

Në momentin kur kolegët e saj po gjykoheshin në një sallë të Pallatit të Drejtësisë, Bakalli me kolegët e saj po kujdeseshin për pacientët e gjithë klinikës, përfshirë repartin e njësisë koronare, Kardiologjinë 1, Kardiologjinë 2 si dhe ambulancat specialistike.

“Këtu jemi zakonisht një mjek për tre pacientë të një dhome. Por, sot një mjek po mbulon gjithë repartin”, ka thënë Bakalli, sipas së cilës, ballafaqimi i kolegëve të saj me drejtësinë ka krijuar vakum në Klinikë.

Sipas doktoreshës Bakalli, të premten është vërejtur mungesë e madhe e stafit në reparte. “Është problem të organizohen të gjitha shërbimet”, ka thënë ajo, në kohën kur po punonte në repart, e kur kolegët e saj ishin në seancë gjyqësore në një prej rasteve më të mëdha gjyqësore për nga përmasat i organizuar pas lufte, me të dyshuar mantelbardhët.

Bakalli ka thënë se shërbimet emergjente janë kryer të gjitha derisa vetëm pjesërisht kanë arritur të kryejnë shërbimet ambulantore.

“Gjithsesi që ka mungesë të stafit për t’i kryer veprimtaritë e përditshme me kapacitete të plota. Në ambulantë specialistike zakonisht kontrollohen deri në 100 pacientë. Sot atje është vetëm një doktor”, ka thënë ajo.

Në Klinikë kryheshin rastet emergjente, por edhe intervenime

Në invazivën e Klinikës së Kardiologjisë, drejtori Sejdiu në kohën kur vartësit e tij po gjykoheshin “luftonte” për jetën e një të riu.

“Patëm një rast emergjent të infarktit akut dhe kaloi shumë mirë. I vendosëm pacientit dy stenta. Tashmë e hospitalizuam në repart”, ka thënë ai për “Zëri”, pas intervenimit.

Edhe Sejdiu ka folur për vështirësi në organizim derisa nuk kanë pasur mundësi për shkak të procesit gjyqësor të organizojnë punën në repart.

“Në Kardiologji ka frekuentim të madh të pacientëve dhe mungesa është vërejtur”, la thënë Sejdiu.

Por, ai tha se ju kanë ardhur pikërisht të premten kuadro përforcuese të kontraktura nga Ministria e Shëndetësisë.

“Gjithashtu, nga sot ka filluar punën në Klinikë Dr. Tefik Bekteshi me të cilin edhe përfunduam bashkërisht intervenimin tek pacienti që ishte rast emergjent”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka folur për “Zëri” edhe për planet afatshkurtëra që kanë. “Nga një nëntori do të zgjasim orarin e punës në invazivë deri në ora 19”, ka thënë Sejdiu, sipas të cilit, invaziva aktualisht punon vetëm deri në ora 15.

Ndërkohë, pasi të hapet salla e re përmes kredisë austriake, ka thënë ai, pritet që shërbimi i kardiokirurgjisë të jetë funksional 24 orë. “Kjo do të ndodhë besojmë brenda 3-4 muajve”, ka thënë Sejdiu.

Ndryshe, rasti “Stentat” në të cilin po akuzohen 64 persona është procesi më i madh gjyqësor i pasluftës, ku shumica e të akuzuarve janë mjekë.